Avokati i kosovarëve në Serbi

Teki Bokshi lufton qe dy dekada për t’i shpëtuar shqiptarët nga arbitrariteti i sistemit serb të drejtësisë. Në dhjetor të vitit 1999 avokati i njohur u kidnapua në Serbi. Në një intervistë për gazetën «Danas» Bokshi kërkon që Serbia t’i largojë nga puna juristët që shpallën aktgjykime politike – dhe tregon detajet e kidnapimit.

Teki Bokshi, avokat. Foto: Medija centar, Beograd



Në dy dekadat e fundit emri i Teki Bokshit është përmendur shpesh nga mediat – si në ato të Beogradit ashtu edhe të Prishtinës. Bokshi është një avokat, i cili ka një mision: përkrahjen juridike të kosovarëve të gjendur në shënjestër të drejtësisë së politizuar serbe. Bokshi bashkëpunon kryesisht me Fondin për të Drejtën Humanitare të Natasha Kandiqit, aktivistes serbe për të drejtat e njeriut. Së fundi ky Fond ka botuar një raport, ku kërkon ndëshkimin e atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, të cilët mes viteve 1998-2000 kanë marrë pjesë në proceset e montuara politike kundër shqiptarëve të Kosovës.

Në një bisedë me gazetën «Danas» Bokshi ka kritikuar sjelljen e autoriteteve serbe ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të diskredituar. Ata, sipas Bokshit, lerë që nuk janë ndëshkuar, por ata punojnë të qetë, janë avancuar në detyrë dhe janë shpërblyer. «Andaj nuk kam asnjë shpresë se ata do të përgjigjen. Monitoruesit objektivë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë tërhequr vëmendjen se këto gjykime nuk kanë plotësuar standardet minimale të gjykimeve të paanshme dhe të ndershme», tha Bokshi. Ai kërkoi që këta prokurorë dhe gjykatës së paku të largohen nga funksionet, nëse nuk mund të dënohen për shkak se veprat e tyre janë parashkruar. Sipas Bokshit sidomos pas luftës qindra shqiptarë janë dënuar në Serbi me dëshmi të dyshimta, siç është «testi i parafinës», përkatësisht prania e nitratit në duar. Sistemit moderne të drejtësisë e hedhin poshtë këtë lloj dëshmie si të pabesueshme. «Unë me ekipin e avokatëve të Fondit për të Drejtën Humanitare kam mbrojtur grupin prej 145 personave nga Gjakova, të cilët gjatë bombardimeve të NATO-s janë mbledhur nëpër shtëpitë e tyre. Të gjithë janë dënuar, me përjashtim të dy personave kundër të cilëve është zhvilluar një procedurë e ndarë për shkak se kanë qenë në spital të burgut. Domethënë, janë dënuar 143 persona me gjithsejtë 1632 vjet burg, nga shtatë deri në 13 vjet. Gjatë shqiptimit të dënimit kryetari i turpit gjykues Goran Petronijeviq tha se bëhet fjalë për dënim kolektiv. Të gjithë personat e përmendur kanë mbajtur nga 715 ditë burg në kushte shumë të rënda dhe gati gjatë gjithë kohës janë keqtrajtuar. Në fund, në vitin 2011, prokurori në Leskoc ka hequr dorë nga ndjekja, sepse aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut të Pejës me seli në Leskoc u pezullua nga ana e Gjykatës Supreme të Serbisë në prill 2002. Por, ka pasur raste kur Gjykata Supreme e Serbisë ka konfirmuar aktgjykimet duke u bazuar vendimet e saj në <testin e parafinës>».

Në bisedë me gazetën «Danas» Bokshi ka folur edhe për vështirësitë e tij si avokat që mbron shqiptarët e Kosovës në Serbi. «Jam kidnapuar më 3 dhjetor 1999 në rrugën mes Sremska Kamenicës dhe Beogradit, afër Dobanovcit, dhe jam mbajtur në burg privat dy javë, deri kur familja ime tuboi 100 mijë marka gjermane për lirimin tim. Paratë në pikën kufitare në Merdar i ka pranuar Tomislav Stojkoviqi, atëherë avokat, sot gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë. Këtë e kanë regjistruar kamerat e UNMIK-ut dhe KFOR-it. Përndryshe, rrëmbyesit u patën legjitimuar duke na treguar dokumente policore. Pastaj dhunshëm me ndanë nga kolegët, më futën në veturën policore dhe të lidhur me pranga më dërguan në Beograd. Në një banesë në Beogradin e Ri më mbajtën 13 ditë, të lidhur për radiatori dhe duke më keqtrajtuar».

Duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale Bokshi tha se joefikasiteti i drejtësisë kosovare ka shkaktuar krijimin e kësaj gjykate formalisht kosovare, në të vërtetë ndërkombëtare, ku pala kosovare nuk ka asnjë kompetencë. Bokshi tha se ma e rastin e miratimit të ligjit për Gjykatën Speciale parlamenti i Kosovës ka vepruar si makinë për votim sipas sistemit merre ose lëre, duke pasur parasysh presionin e madh të bashkësisë ndërkombëtare. «Nuk jam i sigurt, por në histori nuk ka ndodhur që një shtet të themelojë gjykatë me ligj të vetin, por të mos marrë pjesë në të, duke pasur parasysh se nuk do të ketë aty gjykatësit dhe prokurorët e vet».

Bokshi tha se Serbia duhet të zbatojë një program nacional të largimit nga funksioni të të gjithë atyre zyrtarëve që kanë marrë pjesë në krijimin dhe zbatimin e ngjarjeve të luftës. Sipas gazetës «Danas» një pjesë e madhe e të dyshuarve për krime të luftës aktualisht mbajnë pozita të larta në partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq. Ka akuza serioze nga Fondi për të Drejtën Humanitare kundër Nebojsha Dikoviqit, shefit të ushtrisë serbe, për pjesëmarrje në krime të luftës në Kosovë. Por, tha Bokshi, udhëheqja serbe atij i ndan mirënjohjet më të larta. «Ky është paradoks ballkanik».
E.R.

Ndalohet ribotimi nga mediat e tjera.