Avokati i djallit të shqiptarëve

Në opinionin publik shqiptar ngjarje me interes të madh po e spostojnë njëra-tjetrën me shpejtësi marramendëse: demarkacioni, futbolli, zgjedhjet në Dibër, hashashi, avioni i drogës… Por, të gjitha këto nuk e shuan jehonën e shenjtërimit të Nënë Terezës. Sidomos autoritetet politike e shfrytëzuan brenda dhe jashtë këtë shans të rrallë për të defiluar krenarë në skenat ndërkombëtare. Për faktin e prejardhjes së njëjtë. Politikanë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia rendnin se kush do të shfaqet më në fokus të aktiviteteve rreth shenjtërimit të Nënë Terezës. Ata e punuan me aq kujdes paraqitjen e tyre në ceremoni sa kryeministri shqiptar e zhduku me efekte kompjuterike praninë e kundërshtarit të tij historik politik në një fotografi nga ngjarja.

Kjo performansë e shqiptarëve ka bërë përshtypje edhe në opinionin ndërkombëtar. Mediet gjermanofone vetëm tani së fundmi kanë pushuar së komentuari paraqitjen e autoriteteve politike të tri vendeve në aktivitetet e shenjtërimit të Nënë Terezës. Ato u morën edhe me entuziazmin e manifestimeve popullore në këto vende për figurën e Nënë Terezës, memoteknikën me emrin e saj në të tri qendrat, me të cilat lidhet kjo figurë. Ajo që shohin vështruesit e huaj në këto manifestime është qasja simbolike, kufizimi në prejardhjen e saj. Me një fjalë, atyre u mungon qasja kritike, pavarësisht rëndësisë që kishte protagonistja. Kjo metodologji është e ngulitur në këto shoqëri, ajo madje rrjedh nga riti i shenjtërimit. Në këtë moment thirret edhe i ashtuquajturi «avokati i djallit», funksioni i të cilit është parashtrimi i disavantazheve të kandidatit, të cilat pastaj do t’i përmbysë «avokati i Zotit».

Këtë rol në botën laike në mënyrë të vetëdijshme e rrëmbeu mjeshtërisht një gazetë amerikane, duke ofruar në këtë atmosferë promovimi një këndvështrim tjetër për opinionin, por pa e mohuar personalitetin e Nënë Terezës. Në opinionin shqiptar prej kohësh po rreket një rreth fundamentalistësh që ta errësojë figurën e misionares, të cilët në kundërshtim me urdhrat e fesë islame marrin përsipër ta caktojnë fatin e njerëzve në jetën tjetër. Por, ato nuk përbëjnë më tepër se ca zëra të dëshpëruar. Festën e shqiptarëve për mirënjohjen që po i bën bota një bije të tyre, edhe kësaj radhe, e prish një opinion maqedonas në konkurrencë për të përfituar nga prejardhja e saj gjeografike. Në mbarim të aktiviteteve lidhur me promovimin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, një shije të hidhur lë kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë. Ai kumton: Gonxhe Bojaxhiu nuk ishte shqiptare.

Realisht, prejardhja shqiptare e Gonxhe Bojaxhiut nuk mund të diskutohet, ajo merret nga të gjithë si një fakt. Botërisht. Kështu e gjen në çdo enciklopedi serioze. Në mënyrë të padetyruar këtë e ka pohuar vetë ajo. Madje, në një moment po kaq solemn sa shenjtërimi, me rastin e laureimit me Çmimin Nobel për Paqe. E pohojnë biografët e saj në gjithë botën. E pohojnë kushërinjtë e saj në Maqedoni dhe në botë. Më shumë se një herë. Madje vetë emri i saj rrëfen për një vetëdije të mirëqenë kombëtare shqiptare të familjes së saj. Atëherë, përse ky zell në Maqedoni për ta tjetërsuar atë, duke e relativuar identitetin e saj shqiptar, gjë që në fakt Maqedonia zyrarisht po e bën prej vitesh, duke iu referuar Nënë Terezës thjesht si «shkupjania»?

Opinioni maqedonas është i tronditur nga valëvitja kaq e lartë e emrit të shqiptarëve në botë. Në gjithë raportimin për identitetin e Nënë Terezës në botë, aq më intensivisht tani me rastin e shenjtërimit, prevaloi identiteti i saj etnik shqiptar, ai shtetëror erdhi më pas. Shqipëria dhe Kosova në këtë kontekst erdhën përpara Maqedonisë, ajo ngeli më në hije të debatit. Prandaj, ky opinion e nxjerr reprezentuesin më të lartë të dijes së saj, kryetarin e Akademisë së Shkencave, për ta përmbysur këtë disponim. E mira e të mirave për akademikun dhe tutorët e tij do të kishte qenë që Nënë Tereza të shpallej maqedonase, por për këtë nuk mjafton lindja e saj në Maqedoni. Prandaj, për fillim le të thuhet se ajo e ka një origjinë vllehe, për ç’gjë akademiku vlleh përshtatet më së miri. Për Maqedoninë, hëpërhë, me rëndësi është që Nënë Tereza të mos njihet si shqiptare.

Zhvillimet politike në Maqedoni nuk lënë asnjë dyshim se elitat politike po e ndjekin një program politik të përjashtimit dhe mohimit të hapur të shqiptarëve. Indikatorët më sinjifikantë të kësaj janë dhuna, papunësia, emigracioni, ndrydhja kulturore e shqiptarëve. Për refuzimin e kërkesave për një status të merituar politik të shqiptarëve lypset një justifikim përpara opinionit ndërkombëtar. Në këtë kontekst, elitat maqedonase janë përpjekur ta kapitalizojnë përkatësinë fetare myslimane të shqiptarëve në Maqedoni, në fanatizimin e së cilës ato kanë investuar aq shumë. Sepse, popujt e dënuar të mos marrin atribute shtetformuese, ndër të tjera, nuk duhet të kenë personalitete të mëdha. Dhe, del një shqiptare e krishterë nga popullata shqiptare e Maqedonisë me kredencialet më të larta qytetare e fetare dhe i fundos të gjitha. Aq më tepër me identifikimin që gëzon ajo te popullata myslimane shqiptare. Prandaj, Nënë Tereza nuk bën të jetë shqiptare!

Mohimi i identitetit shqiptar të Nënë Terezës nga sistemi maqedonas sigurisht mund të interpretohet në kontekst të përkushtimit për falsifikimin e historisë. Asaj vetanake dhe të tjerëve, sugurisht në radhë të parë të atyre që nga perspektiva maqedonase e rrezikojnë supremacinë e tyre. Këtu nuk bën pjesë vetëm afirmimi i atyre që deri para një çerek shakulli njiheshin si maqedonas sllavë në pasardhës të Lekës së Madh. Elitat maqedonase kanë shfaqur një zell të papërmbajtur për diskualifikimin e shqiptarëve. Prejardhja ilire e tyre është mohuar që në kohën e Jugosllavisë, ndër të tjera, sepse në mendësinë e këtyre elitave statusi i komuniteteve kombëtare derivohet nga lashtësia e tyre dhe jo nga e drejta për liri dhe zhvillim. Në ndërkohë, elitat maqedonase, sidomos me enciklopedinë e famshme, u rrekën edhe në deformime raciste të qenies shqiptare, duke i përshkruar ata si barbarë, të egër… Këto xhevahire më pas janë reflektuar në mënyrë kreative në materialet shkollore. Deri te tekstet e stereotipizuara, ku çunat e mbarë mbajnë emra maqedonas, kurse ata të mbrapshtë kanë emra shqip.

Këto marifete janë trajta të një metodologjie të aplikuar prej kohësh, e cila, sikur e ka për qëllim, ka kaluar në diçka të vetëkuptueshme. Nxënësit shqiptarë në Maqedoni e kanë një lëndë mësimi më tepër se maqedonasit – maqedonishten. Dhe, kjo nuk është thjesht një lëndë gjuhe, por kulture. Aty, që në klasat e hershme mësohet krijimtaria e rilindësve maqedonas, më pas nxënësit shqiptarë fokusohen me javë në tëra në vepra të caktuara të autorëve bashkëkohorë maqedonas. Këto vepra punohen edhe si lektyra shkollore. Në përvojën time, që besoj se ka ngelur e njëjtë, rilindësit maqedonas shfaqeshin paralelisht edhe në librat shkollorë të shqipes. Sikur punoheshin veprat letrare të autorëve jugosllavë si lektyra në lëndën e gjuhës shqipe. Apo sikur shpërbleheshin nxënësit e shkëlqyeshëm me libra të këtyre autorëve. Gjuha shqipe nuk është e denjë as për ta folur maqedonasit, jo më për ta studiuar.

Kjo është mu në kuptimin e debatit për multikulturalizmin që filozofi kanadez Charles Taylor ia atribuon mjekut dhe filozofit francez Frantz Fanon me librin e tij «Të mallkuarit e kësaj bote», me të cilin ai provon se evropianët e kanë instaluar në kolonitë e tyre vetëdijen se ata janë njerëz me vlera më të ulëta. Kultura e tyre nuk ishte e denjë të krahasohej me atë të padronëve dhe të paraqitej në kurrikulat shkollore. Me falsifikimin e vazhdueshëm të historisë, dhe të realitetit!, elitat maqedonase mëtojnë t’i komprometojnë përpjekjet e shqiptarëve në botë, ta ruajnë moralin e maqedonasve si popull me një lavdi të pakonkurrencë në rajon, si dhe ta dekurajojnë vetëdijen kombëtare të shqiptarëve. Që ata ta pranojnë pozitën e tyre inferiore si një rend normal i gjërave.

Paralelisht me mohimin verbal dhe tekstual të identitetit shqiptar të Nënë Terezës, sistemi është duke e implementuar këtë qëndrim edhe në planin infrastrukturor. Në avazin e fshirjes së gjurmëve shqiptare në Shkup nuk është kursyer edhe trashëgimia e shenjtores dhe komunitetit të saj. Sistemi kryen një rokadë perfide: në kuadër të projektit të famshëm Shkupi 2014, në vendin e shtëpisë së lindjes së Gonxhe Bojaxhiut është planifikuar të ngrihet një kishë ortodokse. (Momentalisht aty është një pllakë përkujtimore me një shënim në maqedonisht dhe në anglisht!). Kurse në vendin e kishës së komunitetit katolik shqiptar të Shkupit, të cilit i takonte ajo, është ngritur një muze i saj, në të cilin ligjërohet varianti zyrtar maqedonas për Nënë Terezën.

Kaloi një javë dhe autori i këtyre rreshtave nuk ka ndeshur ndonjë reagim ndaj deklaratës së kryetarit të Akademisë së Maqedonisë. As në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoni! Fisnikëri, e cila nuk i lejon ata ta bëjnë një gjë të tillë për të mos rënë në pozitat e ulëta të akademikut maqedonas? Si shpjegohet atëherë shfaqja e tyre për çështje triviale në publik?! Apo nuk janë të denjë për këtë, sikur me rastin e enciklopedisë së Akademisë, së cilës një grup letrarësh iu kundërpërgjigj me një enciklopedi të hartuar, duke u shërbyer me burime nga Wikipedia, e cila ndalohet të shfrytëzohet edhe për punime seminarike. Si paraqitja në një debat e njërit prej anëtarëve të parë shqiptarë në Akademinë e Maqedonisë duke dredhur gjithë kohën çelësat. Ku janë strukur anëtarët e tjerë të Akademisë së Maqedonisë që grinden me kolumne tallava nëpër portale? Një reagim flakë për flakë do të ishte minimumi. Ngushëllim për këtë agresion ndaj së vërtetës do të ishte ose dorëheqja e tyre, ose ajo e shefit të tyre.