Aventurat e dy shkencëtarëve zviceranë me një avion solar

Për herë të parë një avion pa derivat, vetëm me energji diellore, i sillet botës përrreth. Të martën në mëngjes piloti zviceran Bertrand Piccard e aterroi avionin «Solar Impulse 2» në Abu Dabi. Aty ku edhe e filloi rrugëtimin e tij prej 43'000 kilometrash.

Etapa e fundit e fluturimit nga Kairo në abu Dabi kishte zgjatur 48 orë. Aterrimi kishte shkuar pa asnjë vështirësi. Aty ishin mbledhur kurreshtarë dhe anëtarë të ekipit të Solar-Impulsit të cilët e përshëndetën atë me duartrokitje. Ndër mysafirët e rrallë që e përshëndetën aterrimin e avionit ishte edhe ministrja e qeverisë zvicerane Doris Leuthard, princi Albert i Monakos si dhe ministri i Emirateve Al Jaber.

Bertrand Piccard iu drejtua të pranishmëve dhe mediave: «Mirëmëngjes Abudabi. Kam pritur 15 vite për këtë moment. Kemi kaluar mbi 40’000 kilometra pa derivat dhe jemi rrotulluar rreth botës. Tani e keni ju në dorë ta shpieni më tutje këtë detyrë. Ju jeni e ardhmja.»

Udhëtimi kishte pasur 17 etapa. Në natën e së hënës mbi Arabinë Saudite, aeroplani u përfshi në turbulenca të forta. Për shkak të temperaturave të ngrohta, këto edhe ishin pritur, por pilotin për një kohë e kishin lënë pa gjum. Kështu kishte shënuar vetë ai në Twitter, transmeton «swissinfo.ch».

Ekipi i pilotit etapën e fundit të fluturimit e kishte konsideruar si më të vështirën. Atë, përveç zonave të ndaluara të fluturimit e kishin cënuar edhe moti dhe erërat termike në Lindjen e Afërt. Mbi shkretëtirën në veri të Rijadit, Piccardin pas vështirësive të fundit ishte shpërblyer me lindjen e mrekullueshme të diellit. Kjo shihej edhe në imazhet e ekipit të Solar-Impulsit.

Dy aventurierët dhe shkencëtarët zviceranë Bertrand Piccard dhe André Borschberg me aksionin e tyre të rrothullimit rreth tokës me një avion solar dëshironin t’i bënin publicitet shfrytëzimit të energjive regjeneruese. Ata për 12 vite punuan në avionin e tyre të sajuar nga fibrat e karbonit dhe të pajisur me 17’200 pasqyra solare.

Aeroplani eksperimental ishte ngritur më 9 mars 2015 në Abu Dabi dhe fluturoi mbi Indi dhe Kinë në Havai. Për shkak të një defekti me baterinë, ekipi duhej të ndalonte nëntë muaj në ishujt e paqësorit. Pastaj rrugëtimi vazhdoi për në Kaliforni, mbi disa stacione në New York dhe mbi Europë e në Lindjen e Afërt në vendin e nisjes.

Përndryshe projekti kushtoi rreth 170 milionë franga. Ai u financua nga një numër i madh frimash si Solvay, Omega, Schindler, ABB dhe Google. ks