AUV-i rekomandon therjen e kurbaneve në thertore, Komuna e Prishtinës në tregun e kafshëve

Institucionet qendrore dhe ato lokale kanë dhënë qëndrime kundërthënëse lidhur me çështjen e therjeve të kurbaneve, një ritual ky i festës së Kurban Bajramit.




Përderisa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka rekomanduar që therja e kurbaneve të bëhet vetëm në thertore të licencuara, autoritetet komunale të Prishtinës, si vend për therje të kurbaneve kanë rekomanduar Tregun e kafshëve, që gjendet në Kodrën e Trimave. Sipas një komunikate të lëshuar nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë, qytetarëve të besimit islam që e respektojnë këtë ritual u është thënë që të therin në vendet adekuate, shkruan sot «Koha Ditore».

«Në të kundërtën, ju shkelni ligjet në fuqi dhe rrezikoni shëndetin e përgjithshëm publik», ka thënë AUV-i, duke sqaruar se situata edhe më e rëndë mund të jetë tashti kur ka dalë në sipërfaqe sëmundja e kafshëve ‘Gjuha e kaltër’. Për këtë, ata kanë sugjeruar që kurbanet të theren vetëm nën kontroll të veterinarit.