Vrasjet në Mynih nuk kishin lidhje me ISIS-in, shenjat flasin për një sulm të çmendur

Ndërkohë është kontrolluar shtëpia e autorit të vrasjeve të djeshme në Mynih. Sulmuesi, sipas të dhënave të para të policisë, kishte planifikuar një sulm të çmendur «amok» dhe jo një sulm terrorist.

Imazhe nga atmosfera e Mynihut pas gjakderdhjes në qendrën tregtare.

Skena dramatike janë luajtur dje në qendrën tregtare Olympia në Mynih. Një 18-vjeçar në tërbim e sipër vret nëntë persona, plagos 16 të tjerë dhe trazon një qytet të tërë milionësh. Sot, të shtunën, një ditë pas aktit, policia ka dalë me rezultatet e para të punës së saj hetuese. Kryesorja është se S., sikurse przentohet autori i vrasjeve, nuk kishte planifikuar sulm terrorist. Süddeutsche Zeitung i përmbledh detajet e tjera të hetimit të policisë:

1) Policia e ka bastisur shtëpinë e autorit të gjakderdhjes së Mynihut. Aty ka gjetur disa sende, të cilat të shpiejnë në një sulm «amok», si artikuj gazetash që merren me aksione policore në rast gjakderdhjesh të tilla.

2) Nuk dihet shumë për identitetin e 18-vjeçarit gjermano-iranian. Nuk dihet nga e ka siguruar armën e krimit.

3) Përpara pikërisht pesë viteve Anders Behring Breivik kishte vrarë në Norvegji 77 veta. Autori i vrasjeve të Mynihut ishte marrë intensivisht me rrjedhat e sulmeve «amok», prandaj mendohet se ka një lidhje me modelin e Breivikut.

4) Viktimat e gjakderdhjes janë kryesisht të rinj dhe të rinj të rritur. Tre ishin nga 14 vjeç, dy nga 15 vjeç. Të tjerët kishin 17, 19 dhe 20 vjet; vetëm njëri ishte 45 vjeç. Të gjitha viktimat banonin në Mynih dhe rrethinë. Asnjëri nuk është i jashtëm apo turist. Tre nga viktimat janë kosovarë, ka njoftuar qeveria e landit, tre të tjerë kanë qenë shtetas turq.

5) Sulmi kishte filluar shkurt përpara orës 18 të së premtes së 22 korrikut. Ora 18.35 policia konfirmoi: «Për momentin, në qendrën tregtare Olympia është duke u zhvilluar një aksion policor. Ju lutemi ta shmangni zonën e qendrës tregtare». Krismat kishin filluar në një McDonald’s përballë qendrës tregtare Olympia, nga ku vinin edhe imazhet e një videoje që qarkullonte në internet me autorin që po gjuante me armë. Më pas ai ishte tërhqur në qendrën tregtare ku kishte vazhduar të shtine me armë. Më pas u treguan skena ku autori debaton me një person nga çatia e qendrës tregtare.

6) Fakti që fillimisht flitej për tre autorë ka të bëjë me lajthitjet e dëshmitarëve për shkak të kaosit që mbretëronte në ato momente. ks