Autoportret në tekstil

Foto: Shutterstock



Jeta është kjo garderobë veshjesh

E zgjedhur me sy, dhe rrallëherë me prekje.

 

Kjo këmishë mëndafshi e paveshur kurrë

Pret për një xhaketë mashkullore në supe,

Për të mbyllur ciklin e saj floreal

Kur s`ka ardhur, nuk do të vijë. Hidhe pa frikë!

 

Kjo pulovër akriliku

Kombinohet me një buzëqeshje dy herë më të madhe se unë,

Dhe një smalt të përkryer. Vite më parë, ndodhte e kundërta,

Ishte trikoja që i përshtatej buzëqeshjes.

Hidhe, as kjo nuk të bën punë!

 

Kurse ky fustan, të vetmen herë u vesh në një mbrëmje romantike.

Herën tjetër, (nëse ka një të tillë),

Deri të hedh në të njëjtin ishull pas dymijë vjetësh,

E deri atëherë, do t`i ketë kaluar moda.

Hidhe, zë vendin kot!

 

Kjo bluzë e bardhë është nostalgji për të shkuarën;

Bluja-për të ardhmen,

Të dyja thithin oksigjenin e dhomës gjatë natës.

Hidhi, mos ngurro!

 

Kjo xhaketë e zezë kadifeje, është blerë me të lirë

Në tregun e mallrave të përdorur. Mbaje!

Është gjithmonë më e lehtë fshehja pas lëkurës së tjetrit!