Autokratët po sundojnë nëpër të gjitha kontinentet

Putini, Xi, Modi e Assadi – mirë se vini në botën e të fuqishmëve në kohën kur Perëndimi nuk ka fuqi për të vepruar, shkruan kolumnisti i njohur, Ian Buruma në «Guardian».

Ian Buruma.



Nëse fundi i janarit nuk sjell ndonjë të papritur, atëherë katër fuqi të mëdha në botë do të sundohen prej liderëve autoritarë. Vladimir Putini në Rusi, Xi Jinpingu në Kinë, Narendra Modi në Indi dhe Donald Trumpi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si të shpjegohet ngritja e një lideri a lidereje të fuqishëm? Pse po testohet kaq fort demokracia liberale në kaq shumë shtete prej demagogëve djathtistë, që duket se nuk lodhen hiç për anën liberale? Hungaria dhe Polonia tashmë nuk mund të quhen demokraci liberale. Zgjedhjet e ardhshme në Francë e Holandë do të tregojnë partitë autokratike të një njeriu (Partia e Lirisë e Geert Wildersit), ose një parti e së djathtës ekstreme joliberale (Fronti Kombëtar i Marine Le Penit) – këto do të shkaktojnë zhgënjim të madh në Europën Perëndimore.

Pretendimi se njerëzit i kanë qeveritë që i meritojnë, gjithnjë më është dukur frazë e padrejtë. Rusët nuk e kishin zgjedhur Stalinin. Mao asnjëherë nuk ishte zgjedhur. Opozitës kundër Putinit asnjëherë nuk ia dha ndonjë mundësi.

Për më tepër, numri i njerëzve që digjen për burrështetas të fuqishëm mund të jetë më i madh se i liberalëve të sjellshëm, si puna ime, më duhet ta them hapur. Por, mund të ketë një paralele që mund të tërhiqet me dëshirën e zakonshme për religjion të organizuar, që zbehet e venitet, por asnjëherë nuk shuhet përgjithmonë. Nnuk është e thënë se të gjitha fetë janë autoritare. Shumica e feve ofrojnë siguri me numrin e besimtarëve, ofrojnë njëfarë ndjenje të përkatësisë, njëfarë ëndrre shpëtimi, nëse jo në këtë botë, atëherë në të përtejmen, dhe një siguri patriarkale se e ardhmja jonë është në duar të sigurta të njerëzve të mençur dhe të përfaqësuesve të së mirës në tokë.

Politikanët popullistë e muskujfryrë mbështeten më shumë në karizmën e tyre se në ekspertizë ose politikë të menduar thellë. Në kohë stresi, kur numër i madh njerëzish i druajnë të ardhmes për kushedi çfarë arsye, liderët e tillë ofrojnë të njëjtën garanci si puna e autoritetit fetar. Ekspertiza në rastin më të mirë mbetet në plan të dytë, për të mos thënë se askush s’e bën hesap.

Nganjëherë, politikanët e fuqishëm ngërthejnë religjionin tradicional në kauzat e tyre. Modi erdhi në pushtet në Indi me një valë të shovinizmit hindu. Kur nuk është duke kalëruar pa kanotiere, Putini e paraqet veten si kampion i ortodoksisë ruse në betejë me dekadencën e Perëndimit të degjenuar. Referencat e Xisë për konfuçianizmin mbase thuhen sa për sy e faqe, por edhe ai mendjen e ka te mantela e sundimtarit tradicional kinez, kinse po e mbron vendin prej ndikimit të ankthshëm të botës barbare.

Politikat e prira keq të Perëndimit – zgjerimi i kufijve të NATO-së thellë e më thellë dhe shpejt e shpejtë – mund të kenë kontribuar në krijimin e imazhit të Putinit si shpëtimtar i kombit. Dhe ndërhyrja perëndimore (në Irak) ose me gjasë mungesa e ndërhyrjes (në Siri), e ka shndërruar Lindjen e Mesme në lëmsh të përgjakshëm, ku ende mbijetojnë diktatorët. Ngritja e Kinës do të vinte, pavarësisht se çfarë do të ndërmerrnin fuqitë perëndimore.

Mbase më tinëzarja prej të gjitha formave të autokracisë moderne është ajo e Kinës, sepse ndryshe prej Bashkimit Sovjetik, është shumë e suksessme, së paku në aspektin material. Madje edhe disa aeroporte provinciale kineze e bëjnë JFK-në e qytetit njujorkez të duket si relikt i botës në zhvillim. Tani që SHBA-ja nën drejtimin e Trumpit, ka gjasë të humbë edhe vullnetin, edhe besueshmërinë për të mbrojtur aleatët e saj demokratikë, i pandalshëm, së paku në Azi, do të jetë dominimi i Kinës. Për kinezët ky nuk është asgjë tjetër pos rikthimi i natyrshëm i rendit të vjetër, kur popujt përreth duhej t’ia paguanin taksën e ndryshimit sundimtarëve të Mbretërisë së Mesme.

Disa diktatorë – Hitleri, Mao – u bënë zota të kultit të tyre si zëvendësues për religjionet tradicionale. Edhe atyre u mungonin ekspertët dhe kritikët, që trajtoheshin si të pafe që do të digjeshin në hunj.

Rënia e rendit perëndimor ka rastisur me demokracitë perëndimore që po menaxhohen prej një mori ekspertësh, ose elitash teknokrate, që ishin më pak të interesuara për projektimin e ëndrrave të së ardhmes, e lëre më shpëtimin, se sa të gjenin zgjidhje burokratike të problemeve të atypëratyshme. Është e vërtetë se Bashkimi Europian i ka themelet në ëndrrën e pasluftës për paqe dhe vëllazëri, por gjithashtu drejtohet prej burokratëve shpirtngushtë që po dështojnë t’u japin siguri njerëzve.

Në këtë gjendje të ankthshme, shumëkush më nuk u beson ekspertëve. Ata kërkojnë rehatinë që mund ta ofrojnë vetëm liderët karizmatikë, figura e fuqishme e babait, njeriut të ëndrrave, njeriut të utopive antiestablishment që premton rikthimin e mrekullisë edhe njëherë. Në krahun djathist, edhe këta liderë zakonisht premtojnë përndjekjen e të pafeve, jo vetëm elitistët dhe kritikët acarues, që ua ha mendja se janë më të mirë se ne, por pakica jopopullore që nuk janë si ne.

Edhe feja ka peshë në këtë punë. Në studimin e tij për demokracinë amerikane në shekulin e nëntëmbëdhjetë, Alexis Tocqueville vërejti se liria politike mund të funksionojë vetëm në harmoni me moralin e krishterë. Por, vetëm deri atëherë sa do të mbahej e ndarë feja e organizuar prej autoritetit politik.

Kjo harmoni kishte funksionuar për një kohë bukur të gjatë. Feja e organizuar ofroi një burim institucional qetësie, bashkësie dhe shprese, madje, edhe – ose, sidomos – për njerëzit më së paku të privilegjuar të shoqërisë. Si rrjedhojë, tendencën e rrezikshme për të projektuar nevojat kur plotësoheshin me bindje fetare te liderët shekullarë.

Për të qenë të sinqertë, religjioni ende ka rol larg më të rëndësishëm në mesin e amerikanëve të rëndomtë se në Europë. Presideni amerikan ende duhet të shtiret se kujdeset për religjionin, edhe nëse nuk mërzitet hiç për këtë punë. Dhe prapëseprapë, mllefi kundër elitave, që konsiderohen të korruptuara, arrogante e të pashpirtë (imazh i zakonshëm i Hillary Clintonit), ka mbledhur këtë fuqi, saqë edhe njerëzit besimtarë kërkojnë njëfarë prehje në tubimet me masa të dalldisura, duke i besuar verbërisht një magnati të dyshimtë biznesi, që është martuar tri herë, që «nuk pret, por ia ngjet». Ai mund të jetë mëkatar, por premton gjëra të lavdishme, që nuk mund t’i ofrojë asnjë teknokrat. Dhe fakti që kaq shumë njerëz i kanë besuar, tregon se kemi rënë në fund të pusit.

(Autori është profesor i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Kolegjin Bard në New York. Në mesin e librave të tij është edhe «Murder in Amsterdam: The Death of Theo van Gogh and the Limits of Tolerance» («Vrasje në Amsterdam: Vdekja e Theo van Goghut dhe kufijtë e tolerancës»).