Austria – vend joserioz, sall 13 ministra, pa zëvendësministra

Një krahasim tragjikisht joserioz mes Austrisë dhe Kosovës.




Kosova është rreth 11 mijë kilometra katrorë e madhe. Tamam nuk dihet sa është e madhe republika jonë e vogël, sepse demarkacioni me Malin e Zi nuk është kryer ende. Po ashtu nuk dihet sa e kanë gërryer nga brenda Kosovën çlirimtarët e saj – me gurthyes, privatizime skandaloze, afera korruptive, shitje resursesh etj. Një gjë është e sigurt: Austria është 83’882 kilometra katrorë e madhe – ose shtatë herë më e madhe se Kosova. Ose tetë herë. Këto s’janë kohë të matematikës, për pak s’po e këqyrim.

Me rëndësi: Austria është bukur e madhe dhe në territorin e saj do të zinin vend nja shtatë apo tetë Kosova. Austria ka 8,4 milionë banorë (saktë: 8’401’940). Në këtë vend flitet gjermanisht, por në disa rajone edhe sllovenisht, kroatisht dhe hungarisht. 63,5 për qind e banorëve janë të krishterë (60 për qind katolikë, 3,5 protestantë), 6,9 për qind myslimanë, 0,2 për qind hebrenj, 27,6 janë ateistë. Austria ka 9 lande, Kosova ka 38 komuna. Apo ndoshta janë 40. Për të fituar ndonjë votë politikanët tanë brenda natës themelojnë komuna të reja. Për të marrë votat e deputetëve serbë në Kuvend atyre shpejt mund t’u premtohet që Prilluzha do të bëhet komunë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Austrisë është – ndaleni frymën – 349,3 miliardë euro. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kosovës nuk i kalon 7 miliardë dollarë. Papunësia në Austri është 5,6 për qind. Me një PBB nominal për kokë banori prej 3’244 euro Kosova është vendi i tretë më i varfër i Europës – para Ukrainës dhe Moldavisë. Anketat e vitit 2016 kanë treguar se gjysma e popullsisë së Kosovës e konsideron si të mundshme që gjatë vitit nuk i mbulon përherë nevojat elementare. Rroga mestare është mes 350 deri 450 euro. Papunësia sillet  rreth 30 për qind, ndërsa te të rinjtë kalon 50 për qind. Ekonomia informale (rreth 30 për qind e PBB-së) dhe krimi i organizuar janë tejet të pranishme. Klientelizmi, korrupsioni dh oligopolet vazhdojnë të jenë pengesa për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Nuk është e vërtetë se në Austri nuk ka korrupsion. Por së paku ka sistem të drejtësisë që funksionon. Këto ditë ka filluar procesi gjyqësor kundër një ish-ministri të financave dhe bandës së tij për shkak të korrupsionit. Në Kosovë ministrat janë të paprekshëm, madje edhe kur në procedura kriminale shesin resurset shtetërore dhe në vend se të përfundojnë në burg – ulen sërish në kolltukë të qeverisë. Vetëm nga turizmi në vitin 2016 Austria ka arkëtuar rreth 22 miliardë euro.

Siç po e vëreni, lexuese të nderuara, lexues të nderuar, Austria është vend i pasur. Megjithatë, Austria nuk ka shumë ministri. Të hënën presidenti i vendit inauguroi qeverinë e re me 13 ministra. Në Bashkimin Europian Austria konsiderohet si vend me burokraci mjaft të majme, por prapë – kabineti i kancelarit Sebastian Kurz ka vetëm 13 ministri. Dikush nga Kosova mund të pyes: e sa zëvendësministra i ka kjo qeveri e Austrisë? Përgjigjja: asnjë!

Kosova ka 20 apo 21 ministri, një dreq e di. Kosova ka 69 apo 70 apo 71 zëvendësministra. Këtë nuk e di as ai që i ka emëruar, e lëre më qytetarët, me paratë e të cilëve bëjnë qejfin zëvendësministrat. Ka një lajm të mirë në fund të këtij viti: një këshilltar i kryeministrit në kushte të anonimitetit absolut ka treguar se nga 1 janari do të fillojë emërimi i zëvendësve të zëvendësministrave. Do të emërohet për çdo ditë nga një. 365 deri në fund të vitit 2018. Pastaj nga viti 2019 zëvendësministre do të emërohen edhe valltaret e një klubi të natës në Hamburg, shefi i të cilit ofroi krejt ekspertizën e tij për të qeverisur Istogun dhe për pak dështoi. Ne jemi vend serioz, Austria është joserioze. 13 ministra.