Auditori kërkon nga komunat kontroll të shpenzimeve për karburante e dreka

Shpenzimet për dreka zyrtare e karburante në komunat e Kosovës janë të nevojshme, mirëpo mungesa e kontrolleve të brendshme dhe e kufizimeve, të bazuara në akte nënligjore ka bërë që të ketë tejkalime që në raste të caktuara nuk janë as të arsyeshme e as të logjikshme, është thënë të mërkurën në Prizren gjatë një tryeze të organizuar nga OJQ «EC Ma Ndryshe».




Në prani të zyrtarëve të lartë nga Komuna të ndryshme të Kosovës janë prezantuar gjetjet e Auditorit në lidhje me këta zëra buxhetorë, ndërkohë që si rekomandim ka dalë që të shqyrtohet mundësia për hartimin e akteve nënligjore që do të vendosnin kontroll më të madh mbi këto shpenzime.

Elmedina Baxhaku nga EC Ma Ndryshe ka bërë të ditur se sipas raportit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, gjatë vitit të kaluar harxhimet më të larta janë regjistruar te komunat e Prizrenit, Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë, Pejës, etj.

Ajo ka bërë të ditur se këto komuna së bashku kanë shpenzuar mbi 350 mijë euro, nga 750 mijë euro sa janë shpenzuar nga 34 komunat e Kosovës dhe pushteti lokal nuk ka politika të shkruara për shpenzimet e reprezentacionit, derisa nuk janë të definuara qartë as nevojat dhe kriteret për këto shpenzime, sikurse edhe aprovimet e duhura të menaxhmentit dhe përcaktimi i stafit me të drejta përfaqësimi.