Aty ku s’njihet as e kaluara

Po përparon procesi i themelimi të Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve të luftës, shkruan revista brianike «The Economist».




Rreth gjashtëmbëdhjetë vite pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s që i dhanë fund sundimit të Serbisë në Kosovë, drejtësia më në fund mund të rrokë përpara edhe politikanë të lartë kosovarë, të cilët dyshohen se gjatë kohës së luftës kanë kryer krime. Pas shumë vonesash dhe viteve të përshkuara me kërcënim dëshmitarësh, shumë shpejt mund të themelohet Gjykata Speciale për të gjykuar dhjetë burra, përfshirë disa sosh që thuhet se janë bosët e krimit të organizuar në Kosovë.

Dick Marty, prokuror zviceran, raportoi në dhjetorin e vitit 2010 para Këshillit të Evropës për pretendimet e tij se ish-komandantë të kohës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin kriminelë që kishin urdhëruar vrasje dhe kishin mbikëqyrur torturat. Raporti i tij ishte fokusuar në «Grupin e Drenicës», të prirë prej Hashim Thaçit, atëherë kryeministër dhe tani ministër i jashtëm. Në pjesën më të ndjeshme thuhet se disa prej viktimave ishin vrarë për t’iu nxjerrë organet. Zoti Thaçi ka hedhur poshtë pretendimet. Shumë kosovarë mendonin se zoti Marty kishin bazuar raportin në rrëfimet e rrejshme të inteligjencës serbe.

EULEX-i, misioni evropian i sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, kishte themeluar pas raportit të Martyt një degë të misionit për këtë punë në Bruksel. Gjetjet e tij ishin «gjerësisht konsistente» me raportin e Martyt dhe kishte nxjerrë përfundimin se kishte dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuza ndaj «disa zyrtarëve të lartë» të ish-UÇK-së. Por nuk është themeluar gjykata. Tribunali për krime të luftës në ish-Jugosllavi në Hagë nuk kishte juridiksion për shkak se shumica e krimeve janë kryer jashtë territorit të ish-Jugosllavisë (në Shqipëri) ose pas përfundimit të luftës. Kështu ishin bërë plane për themelimin e një gjykate të veçantë kosovare, gjithashtu me seli në Hagë.

Krerët politikë kosovarë kanë bërë thirrje publikisht që t’i jepet kjo mundësi drejtësisë për pastrimin e emrave të atyre që mund të akuzohet dhe për pastrimin e UÇK-së. Por ata privatisht janë munduar ta bllokojnë themelimin e gjykatës. Plani ka hasur në pengesa kur ka mbërritur në Kuvend, ku po rritet kundërshtimi i deputetëve. Pas dënimit të javëve të fundit prej gjykatës së EULEX-it të disa prej të dyshuarve të «Grupit të Drenicës» për vrasje dhe krime lufte, zoti Thaçi ka akuzuar gjykatën se po mundohet «ta njollos luftën e UÇK-së»,  megjithëse ngulmon se Kosova nuk do të lejojë që çështja të rrezikojë «partneritetin e vendit të tij me bashkësinë ndërkombëtare».

Tracey Ann Jacobson, ambasadore amerikane në Kosovë, thekson se nëse Kuvendi refuzon themelimin e gjykatës, vendi i saj nuk do ta ndalë Këshillin e Sigurimit të OKB-së që ta themelojë gjykatën. SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë «ofertën më të mirë dhe të fundit» për shmangien e kalimit të procesit në OKB. Nëse çështja arrin në OKB, Rusia, armike e përbetuar e pavarësisë së Kosovës, do ta thotë fjalën e saj. Mund të shtyhet gjithashtu edhe nënshkrimi i një marrëveshje tregtare me BE-në.

Figura opozitare kundërshtojnë gjykatën për shkak se konsiderojnë se ajo shkel sovranitetin e Kosovës. Njëri prej tyre, Ramush Haradinaj, është arrestuar në Slloveni gjatë javës bazuar në një fletëarrest të vjetër të lëshuar prej Serbisë për krime lufte. Një tjetër politikan thotë se shokët sa nuk «po vdesin prej frike» prej punës së themelimit të gjykatës. Ai dyshon se mos ekzistojnë lidhje me dhunën e fundit në Maqedoni, ku u vranë tetë policë dhe dhjetë persona të armatosur. Ai sugjeron se një pjesë e mirë e rrymës kryesore politike gri të Kosovës ka gisht në këtë punë, me shpresë që të tregojnë se nëse do të dërgohet në burg, do të dilnin prej duarsh qentë e luftës. Kur kosovarët e vrarë në Kumanovë u varrosën me ceremoni të plotë ushtarake prej ish-komandantëve të UÇK-së, Enver Robelli, analist zviceran, theksoi: «Një vend që nderon kriminelët, nuk ka të ardhme të ndritshme».