Atlasi i shpresës: në cilat vende pacientët me kancer kanë më shumë shanse të mbijetojnë?

Nuk i ke të njëjtat shanse të mbijetosh nëse jeton në Skandinavi apo në Brazil.

Qeliza kanceri.



Mbijetesa është çështje e gjeografisë, shkruante së fundi gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung». Kush ka nafakën e keqe të goditet nga sëmundja e kancerit, ai gjasat më të mira të mbijetojë ose së paku ta shtyjë ditën e fundit i ka në Skandinavi dhe në vendet e Beneluksit. Për shembull: në Suedi dhe Danimarkë 80 për qind e fëmijëve me tumor në tru jetojnë edhe pesë vite pas diagnozës. Në Meksikë dhe Brazil vetëm 40 për qind.

Analiza e gjithanshme mbi mbijetesën nga kanceri është publikuar së fundi nga revista e famshme shkencore Lancet. Epidemiologia Claudia Allemani dhe ekipi i saj kanë analizuar të dhënat e 37,5 milionë pacientëve nga 71 rajone të botës, të cilët janë regjistruar mes viteve 2000 dhe 2014. Analiza tregon se pacientët me kancer jetojnë gjithnjë e më gjatë, por dallimet mes vendeve janë të mëdha.

Shanset e mbijetesës nga kanceri varen edhe nga lloji i sëmundjes. Kush preket nga karcinomi i pakreasit, gjasat për të mbijetuar i ka më pak se 15 për qind – pa marrë parasysh se ku jeton. Te llojet e tjera të kancerit janë shtuar gjasat për mbijetesë: numri i të mbijetuarve nga kanceri në mëlçi është rritur nga dhjetë në 27 për qind. Edhe në rastin e kancerit në mushkëri gjasat për të mbijetuar pesë vitet e para pas diagnozës janë përmirësuar deri diku: nga shtatë në 13 për qind në Britaninë e Madhe dhe nga 23 në 33 në Japoni.
Më e favorshme është prognoza e kancerit në gji. Në SHBA dhe Australi 90 për qind e grave i mbijetojnë 5 vitet e para. Dukshëm më keq është situata për gratë e prekura nga tumori në gji në vendet si Rusia (71 për qind) dhe India (66 për qind). (dp)