Atje ku bie ylberi

Fragment nga Ujëvara Haifoss me ylber, Islandë. Foto: Shutterstock

Atje ku bie ylberi
atje do të jetë një vend, vëlla,
ku bota mund t’i këndojë të gjitha llojet e këngëve
dhe ku ne këndojmë së bashku, vëlla,
ti dhe unë, ndonëse ti je i bardhë dhe unë jo.
Do të jetë këngë e pikëlluar, vëlla,
sepse nuk e dimë melodinë
dhe do të jetë vështirë ta mësojmë.
Por ne mund të mësojmë, vëlla, ti dhe unë.
Nuk ka melodi të zezë.
Nuk ka melodi të bardhë.
Ka vetëm muzikë, vëlla,
dhe është muzikë që do ta këndojmë së bashku,
atje ku bie ylberi.

Përktheu: Enver Robelli

[Richard Rive, lindur më 1931 në një lagje punëtorësh në Cape Town të Afrikës Jugore. Docent në shumë universitete të botës. Kundërshtar i aparteidit. Vdiq në vitin 1989].