Atdheu, ky shovinist i madh

Ku është atdheu? Ku është vendndodhja e tij? Në mbrojtje të shumësisë së atdheve dhe të futbollistëve që jo me çdo kusht duhet të zgjedhin Kombëtaren shqiptare.

«Nëna ime është meksikane. Babai im është finlandez. Unë kam lindur në Belgjikë», kështu u përgjigj një katërvjeçare në një emision televiziv belg kur u pyet: «Prej nga je?». Pyetjes së moderatorit «si çka ndihesh më shumë» (meksikane, finlandeze apo belge), me pafajësinë e një fëmije, në mënyrë krejt të natyrshme, vajza u përgjigj «Jam të trija së bashku. Nuk kam pse ta zgjedh njërën».

Kjo përgjigje e përthekon më së miri debatin e nevojshëm, por gjithsesi absurd, në hapësirat shqiptare se kujt i takojnë shqiptarët që luajnë me Kombëtaret e Zvicrës, Shqipërisë, Gjermanisë e gjetiu.

Ku është atdheu i Shaqirit, Mavrajt, Behramit, Xhakajve? Cilit vend «i takojnë» këta lojtarë – Shqipërisë, Kosovës, Zvicrës, Gjermanisë? Nacionaliteti i tyre është shqiptar! Prejardhja e tyre është nga Kosova! Ata janë rritur, edukuar dhe janë bërë futbollistë në vende të treta. Së këndejmi është budallallëk të stigmatizohen për vendimet e tyre se cilës kombëtare do ti takojnë.

Në fund të fundit, as Kosova, as Shqipëria e as ndonjë vend i tretë nuk e ka luksin t’i përvetësojë ata si të tillë. Është fat të kesh mundësi të zgjedhësh se cili është atdheu yt. Ashtu si vajza në fillim të këtij rrëfimi, emigrantët, ata që konsiderohen «të huaj» në vende tjera, e kanë të domosdoshme ta dekonstrukojnë vetë nocionin e atdheut, të vendit, flamurit apo miteve të cilave u takojnë. Në këtë kuptim, emigrantët e pluralizojnë të kuptuarit e «atdheut» – pra ka një sërë atdhesh. Një sërë vendesh ku ti ndihesh «si në shtëpi». Një sërë kulturash të cilave ti u takon. Një sërë vendesh ku ndihesh se bën pjesë.

Në librin e tij «Atdhe imagjinarë» Salman Rushdi shpjegon shumësinë e atdheve si domosdoshmëri për emigrantët. «Efekti i emigracionit ka krijuar të tjerë njerëz, njerëz që jo detyrimisht u takojnë vendeve, por ideve. Njerëz që kanë qenë të detyruar ta definojnë veten për shkak se kanë qenë të ndryshëm apo të tjerë» në vende të caktuara. Duke qenë se emigranti ka provuar disa forma të ekzistimit, ai ose ajo e kupton natyrën iluzore të atdheve».

Natyrisht, për shkak të historisë së emigracionit shqiptar në përgjithësi, dhe atij kosovar në veçanti, të kuptuarit e «atdheut» – vendit të cilit i takon – është pa diskutim një, i vetëm. Monopoli i atdheut është në flamurin e tij, në shtetin që ai përfaqëson, në gjuhën e tij. Kur është vetëm një, atdheu – jo vetëm atdheu i shqiptarëve – është strukturë shoviniste. Atdheu të do të përvetësuar, besnik dhe flijues. Atdheu është posesiv. Për të dhe projektin e tij, nuk kanë rëndësi medaljet, kupat, titujt, nëse këto nuk janë të veshura me flamurin e tij. Nëse këto nuk festohen me çirrje për krenari për homogjenitetin dhe pastërtinë e gjakut, të etnisë, të gjuhës. Atdheu nuk e ka në qejf «të përzierit» – humbjen e një pastërtie imagjinare të ndërtuar në mite, në histori, e që shfrenohet nëpër stadiume futbolli.

Për diasporën e cila duhet të ndërtojë një identitet shtesë, monopoli i atdheut dobësohet vetvetiu. Si rrjedhojë, shumësia e atdheve është rrjedhë normale. Ky është realiteti i diasporave – dhe jo vetëm i diasporës sonë. Shumë prej nesh, edhe pa qenë diasporë mirëfilli, e kanë normalizuar monopolin e atdheut, jo për ta zëvendësuar atë me një tjetër, jo për komplekse të asnjë natyre, por për vetë lirinë si të tillë. Për të mos qenë të përvetësuar, për të qenë pra, para se gjithash, të lirë. Për Xherdanin, Behramin dhe shokët e shoqet e tyre, shumësia e atdheve ka ardhur edhe si detyrim i rrethanave historike dhe jetësore. Praktikisht, ata janë edhe shqiptarë, edhe kosovarë, edhe zviceranë.

Në këtë shumësi atdhesh duhet parë edhe llojllojshmërinë e vendimeve se për kë do të vendosë të luajë diaspora jonë. Shqipërinë, Kosovën apo Zvicrën? Vendimi që do të përcaktojë se cilën Kombëtare do të përfaqësojnë nuk i bën as më shumë zviceranë, as më shqiptarë apo kosovarë. E mbi të gjitha nuk i bën as shqiptarë të mirë nëse vijnë në Kombëtaren shqiptare, e as tradhtarë nëse zgjedhin një Kombëtare e cila nuk e ka «flamurin më të bukur në botë».

Jo detyrimisht atdheu përfundon aty ku përfundon krenaria dhe histeria «autoktonë kuq e zi». Atdheu nuk do të rrënohet përtokë nëse Xhakat dhe të tjerët do të jenë përfaqësues të vendeve tjera ne Europës. Përkundrazi, do të kemi një copë «atdhe» në përfaqësuese të ndryshme. Dhe ky «atdhe» i padefinuar në një hapësirë të vetme toke, flamuri dhe gjuhe është jo vetëm më i fuqishëm, por edhe më i bukur.

Nëse vëllezërit Xhaka vendosën të luajnë për dy ekipe të ndryshme – njëri për Kombëtaren shqiptare, tjetri për atë zvicerane – është edhe një tregues sa i paqëndrueshëm është «atdheu» dhe monopoli i tij. Nuk do të thotë se hero i Granit Xhakës është me çdo kusht Willhelm Telli, e as që Skënderbeu është patjetër heroi i Taulant Xhakës. Mund të jetë e kundërta, ose asnjëra. Pak rëndësi ka. Kënaquni duke parë futboll dhe mos damkosni ata që «shqiptarinë» nuk e kanë atdheun e parë, ose atdheun e vetëm!