Atdheu juaj

Foto: Shutterstock

Po kush është atdheu juaj, o djelm! Atdheu juaj nuk është fusha ose kodra e katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit, minaretë ose kambanoret kryepërpjeta, oxhaqet e shtëpive, ose kasollet tuaja. Atdheu juaj është Shkodra për Korçarin, Korça për kosovarin, Kosova për Kolonjarin, Kolonja për Hotasin dhe Grudasin, Hoti e Gruda e Plava e Gusia për Devollasin e Danglliasin, Devolli e Dangllia për Bregdetasin e për Çamin dhe Çamëria e Himara për Dibranin dhe Lumjanin. Atdheu juaj është gjithë toka shqiptare brenda e jashtë e përtej detevet e kudo, ku ka shqiptarë e ku flitet gjuha e lehtë e e bukur, gjuha tingëllore e Shqipërisë. Atdheu është gjaku ynë, i prindëvet, e i të parvet tanë, ai gjak i vlertë që është derdhur mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij.

Është bashkimi ynë dhe dëshira për një rrojtje të lirë e të panjolltë; është qielli i bukur e i kaltër që mbulon Shqipërinë, është Dielli i flakët e i ëmbël që ndriçon Shqipërinë, është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlag zallet e Shqipërisë, janë fusha e malet e kodrat e bregoret e pllajat e rripat e liqenjt e lumenjt’ e kulluar të Shqipërisë! Atdheu është Kombi ynë i prirë prej flamurit tonë kuq e të zi dykrenor, që duhet ta duam me mish e me shpirt e ta adhurojmë e ta mbrojmë me gjakun tonë. Ky është, djelm, Atdheu juaj!