Ata që mund t’i blesh

Në Kosovë edhe ata që duhet të luftojnë korrupsionin përfundojnë në gjyq për shkak të korrupsionit. Kujt mund t'i besohet?

Agron Demi.



Kosova është vendi i vetëm në Europë, për qytetarët e të cilit nuk ka liberalizim të vizave, sepse autoritetet nuk po e plotësojnë njërin nga kushtet më të rëndësishme të BE-së: luftimin e korrupsionit. Në indeksin e korrupsionit të organizatës joqeveritare Transparency International Kosova gjendet në vendin e 95 prej 176 shteteve; kësisoj ajo i përket shteteve më të korruptuara të Europës. Krahas varfërisë dhe papunësisë ky është problemi më i madh i republikës së re. Keqpërdorimi më i madh bëhet me paranë publike në fushën e prokurimit: për çdo vit institucionet shtetërore japin gjithsejtë 1000 kontrata në vlerë prej 500 milionë euro – kjo është afërsisht një e katërta e buxhetit të shtetit. Sipas vlerësimeve të institutit GAP, ku punoj unë, rreth 100 milionë euro përfundojnë në allishverishe korrupsioni. Ndërmarrjet duhet të paguajnë ryshfet për të marrë një kontratë publike.

Korrupsioni në shëndetësi është i shtrirë gjerë dhe mund të ketë pasoja tragjike. Kur së fundi vdiqën tre pacientë në spital gjatë operacionit, hetimi i inspektorit të shëndetësisë tregoi se rastet e vdekjes ishin shkaktuar nga gazi oksidol që përdoret në anestezi. Firma që kishte furnizuar spitalin me gaz nuk kishte licecnë për prodhimin e tij. Megjithatë, ajo kishte fituar një kontratë shumëvjeçare.

Shpesh në spitale qëllimisht prishen pajisjet mjekësore që pacientët të detyrohen të shkojnë në klinika private. Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani gjendet para gjyqit me 44 kardiologë dhe infermiere, sepse dyshohen se i kanë transferuar pacientët nga spitalet publike në ato private. Për çdo pacient mjekët dhe infermieret merrnin 500 euro.
Edhe projektet e infrastrukturës janë të prekura nga korrupsioni. Më 12 qershor 2017, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, kur vëmendja ishte e drejtuar nga rezultatet preleminare, në Ministrinë e Infrastrukturës u nënshkrua vonë gjatë natës tenderi për ndërtimin e autostradës nga Prishtina në Gjilan, e cila kushton 100 milion euro. 27 firma kishin konkurruar për këtë projekt. «Tenderin e mesnatës» e fitoi një firmë, oferta e së cilës ishte 33 milionë euro më e shtrenjtë se ato të ofertuesve të tjerë. Pasi këto firma u ankuan, Organi Shqyrtues i Prokurimt (OSHP) anuloi tenderin.

Menjëherë pas këtij vendimi shefi i OSHP-së mori kërcënime, sepse kishte refuzuar të takojë personalisht Sami Lushtakun. Lushtaku, ish-kryetar i komunës së Skenderajt dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është njëri nga personat më me ndikim të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila rrjedh nga UÇK dhe qe një dekadë është në pushtet. Lushtaku konsiderohet si njëri nga ata që shfrytëzon pushtetin e tij për të ndikuar te institucionet në dhënien e kontratave publike. Aktualisht ai gjendet para gjyqit për shkak të një tenderi tjetër: sipas aktakuzës Lushtaku u përpoq të shantazhojë shefin e KEK-ut për t’ia dhënë tenderin një firme të caktuar – ajo udhëhiqet nga kushëriri i Lushtakut dhe ish-truproja e tij.

Për shkak të keqmenaxhimit, mashtrimit dhe papërgjegjësisë së zyrtarëve të lartë Kosova viteve të fundit ka humbur shumë milionë euro – dhe shumë të tjerë do të humbin në të ardhmen. Pasi shteti e kishte ndërprerë kontratën para kohe me firmën austriake Österreichische Staatsdruckerei për prodhimin e pasaportave të Kosovës, ai qe i shtyrë të paguajë 5 milionë euro.

30 milionë dëmshpërblim i ka marrë firma private e telekomunikacionit Z-mobile; një gjykatë ndërkombëtare e arbitrazhit konstatoi se anulimi i kontratës nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ishte i kundërligjshëm. Kështu PTK humbi dy herë: herën e parë kur më 2009 u lidh kontrata e dyshimtë dhe e dëmshme, herën e dytë kur kjo kontratë u anulua.

Kosova ndodhet në një proces arbitrazhi me ACP Axos Capital GmbH, një ndërmarrje gjermane e telekomunikacionit, e cila sipas të dhënave jozyrtare po kërkon 380 milionë euro dëmshpërblim. Arsyeja: anulimi i kontratës mbi shitjen e rrjetit të telefonisë mobile të PTK-së. Ndonëse nuk kishte kontratë me shkrim mes qeverisë kosovare dhe Axos Capital, prapëseprapë Axos është e mendimit se qeveria ka shkelur ligjin duke e ndërprerë procesin e privatizimit pa arsye. PTK, dikur një ndërmarrje krenare dhe shumë fitimprurëse, nga e cila 200 milionë euro shkonin në buxhetin e Kosovës, tani, për shkak të menaxhimit të dobët, mund të ketë nevojë për subvencione.

Ndërmarrja Mabco Con­struction me seli në Zvicër ka dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID) një padi kundër Kosovës. Njëri nga aksionarët e ndërmarrjes është miliarderi Behgjet Pacolli, i cili ka shtetësi zvicerane dhe kosovare dhe aktualisht është zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës. Ndërmarrja e Pacollit kishte marrë pjesë në privatizmin e njërit prej hoteleve më të mëdha në Prishtinë. Me atë rast njerëz nga rrethi i Agjencisë shtetërore të Privatizimit kishin kërkuar prej tij 4 milionë euro ryshfet, kështu së paku Pacolli u ka thënë mediave lokale. Një ironi e historisë: Pacolli, kundër të cilit në Zvicër ishin zhvilluar hetime për shkak të dyshimit se u ka paguar ryshfet në Rusi pjesëtarëve të familjes së Boris Jelcinit, tani vetë qe viktimë e korrupsionit. Pasi te gjykatat vendore hasi në veshë të shurdhër, Pacolli iu drejtua ICSID-it. Si ministër i Jashtëm ai, mes tjerash, është përgjegjës t’i bind firmat e huaja për të investuar në Kosovë.

Sipas një studimi të publikuar në nëntor 2017 të fondit amerikan për ndihmë zhvillimore Millennium Challenge Corporation korrupsioni është një nga shkaqet kryesore për të mos investuar në Kosovë. Kjo vlen edhe për pjesëtarët e diasporës kosovare – 700 mijë njerëz, gati një e treta e të cilëve jetojnë në Zvicër. Ata në të vërtetë dërgojnë shumë para në vendlindje: më 2016 ata dërguan 691 milionë euro (prej tyre 156 milionë nga Zvicra). Por këto para nuk investohen, ato janë të destinuara për konsum.

Investimet nga Zvicra kanë qenë edhe më modeste: 424 milionë euro në dhjetë vitet e fundit, këto janë 13 për qind e investimeve nga bota e jashtme. Pjesa më e madhe e këtyre parave u harxhuan në sektorin e patundshmërive dhe hoteleve. Një hulumtim i shpejtë i të dhënave të agjencisë së regjistrimit të bizneseve tregon se mbi 120 ndërmarrje në emrin e tyre bartin fjalën «Bau» dhe rreth 100 prej tyre përmbajnë variacione të fjalës «Schweiz» (Zvicër).

Sado që korrupsioni në Kosovë është i dëmshëm dhe harxhimi i taksave të qytetarëve tepër mizor, pothuaj askush nuk merret në përgjegjësi. Edhe kur ndokush dënohet për shkak të akuzave për korrupsion, ai s’duhet të shkojë në burg, zakonsisht jepen dënime me kusht. Dhe në shumë raste është konstatuar se instutucionet kompetente për të luftuar korrupsionin edhe vetë janë të involvuara në korrupsion.

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 u themelua një task-forcë kundër korrupsionit. Atë e drejtonte juristi Nazmi Mustafi. Në vitn 2013 Mustafi u dënua me 5 vjet burg: ai kishte marrë ryshfet pasi kishte hequr dorë nga aktakuza në disa raste korrupsioni të hetuara prej tij. Hetimet kundër Mustafit u drejtuan nga një prokuror i EULEX-it, mision ky i BE-së për sundimin e ligjit. Për këtë mision ndërkombëtar punojnë 800 zyrtarë, mes tyre policë, prokurorë dhe gjykatës nga BE. Ata kanë për detyrë të ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e policisë, drejtësisë dhe administratës dhe kanë kompetenca të mëdha.

Nëse shikojmë rastet e shumta të korrupsionit, në të cilat janë të përzier zyrtarë të lartë, atëherë me habi mund të pyesim: kush duhet ta luftojë korrupsionin në Kosovë?

Njerëzit nuk i besojnë më as EULEX-it. Para tri vitesh ky mision u ballafaqua me dyshime pikërisht për korrupsion: prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh akuzoi kolegët e saj se kanë manipuluar rastet e korrupsionit; pastaj kjo sinjalizuese humbi vendin e punës. Në nëntor 2017 kryegjyqtari i EULEX-it, Howard Simmons, fajësoi misionin për korrupsion dhe dha dorëheqje. Mandej EULEX njoftoi se kundër Simmons ekzistojnë akuza serioze.

Pak njerëz besojnë se të korurptuarit do të dënohen ndonjëherë. Edhe bashkësia ndërkombëtare, për të ruajtur stabilitetin, ka toleruar korrupsionin në nivelin më të lartë. Sot korrupsioni është aq gjithëpërfshirës, saqë zor të mposhtet. Ai është «too big to jail».

Agron Demi është analist i Institutit GAP në Prishtinë. Ky shkrim u botua në shtojcën mujore «Folio» të gazetës «Neue Zürcher Zeitung».