Astrit Dehari është Benno Ohnesorg i Kosovës

Më 2 qershor 1967 një polic i Gjermanisë Perëndimore, bashkëpunëtor i shërbimit sekret komunist gjermanolindor, vrau në Berlin studentin Benno Ohnesorg. Më 5 nëntor 2016 regjimi kriminal i Kosovës, pasi e mbajti gati 70 ditë në burg Astrit Deharin, e çoi në vdekje këtë aktivist politik. Kjo vdekje është momenti i fundit për kryengritje civile kundër terrorit shtetëror në Kosovë.

Kur e vra Benno Ohnesorgu më 2 qershor 1967, ishte Frederike Hausmann ajo që vrapoi për t’i dalë në ndihmë. Në fotografinë e famshme ajo shihet duke ia mbajtur kokën viktimës. Në vitin 2010 Hausmann i dha një intervistë gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung», ku mes tjerash tha: «Nuk më pëlqen kjo fotografi».

Ka mbiemra që nuk thonë asgjë, nuk kanë ndonjë domethënie të veçantë apo kanë domethënie të parëndësishme, saqë askujt s’i bëjnë përshtypje. Dhe ka mbiemra kumbues, buçitës, me jehonë shekullore. Në Gjermani mbiemri Ohnesorg jehon pandërprerë. Përkthyer në shqip Ohnesorg domethënë «pa gajle», «pa kokëçarje», «i pamerakosur». Më 2 qershor 1967 studenti Benno Ohnesorg iu bashkua mijëra të rinjve gjermanë për të protestuar kundër vizitës së Shahut të Persisë në Berlin. Shahu akuzohej për shtypje të kritikëve në Iran, për një jetë në luks në kurriz të popullit iranian, për dekadencë.

Benno Ohnesorgun, studentin 26-vjeçar nga Berlini, e vrau polici Karl-Heinz Kurras. Në të vërtetë, ai e ekzekutoi Benno Ohnesorgun, duke shkrepur një plumb revoleje në zverkun e tij. Ky krim ndikoi në zgjerimin dhe radikalizimin e lëvizjes studentore gjermane, e cila luftonte jo vetëm kundër politikanëve që heshtnin për të kaluarën naziste, por edhe ia shtronin qilimin e kuq politikanëve si Shahut të Persisë. Në historinë bashkëkohore gjermane vrasja e Benno Ohnesorgut paraqet një kthesë.

Benno Ohnesorg studionte artin, kishte ëndrra – ëndrra për një Gjermani më të mirë, më të drejtë, më sociale. Po ashtu ai kërkonte një Gjermani që angazhohet për të drejtat e njeriut gjithkund në botë, përfshirë edhe Iranin e Shahut, të cilin e kishin sjellë në fuqi tregtarët perëndimorë të naftës, duke rrëzuar qeverinë legjitime dhe demokratike të Iranit në vitet ’50, qeverinë e Muhamet Mosadegut.

Shumë vite pas vrasjes së Benno Ohnesorgut Gjermania do të kuptonte se polici që kishte hapur zjarr ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret komunist gjermanolindor, i cili ishte në shërbim të Bashkimit Sovjetik.

Në Ballkan, e sidomos në Kosovë, punët janë më të ndërlikuara. Kanë kaluar dhjetë ditë nga vdekja misterioze në paraburgim e Astrit Deharit, aktivist politik i Lëvizjes Vetëvendosje. Sa më shumë që largohet me kohë dita e vdekjes së tij, aq më të mjegullta bëhen rrethanat. Regjimi i Prishtinës do të donte që kjo çështje të mbyllej menjëherë, qoftë edhe duke u përpjekur t’ia mbushë mendjen publikut se i ndjeri bëri vetëvrasje në qeli. Edhe në qoftë kjo e vërtetë, prapëseprapë shteti, bartësit e funksioneve qendrore shtetërore, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë. Sepse e mbajtën në burg gati 70 ditë Astrit Deharin, duke e akuzuar si terrorist, por pa e marrë në pyetje fare, siç po deklaron një prokuror.

Si është e mundur që një shtet të të mbajë në burg mbi dy muaj dhe asnjë prokuror të mos interesohet për rastin, të mos ketë seancë të marrjes në pyetje? A është ky standardi i drejtësisë në Kosovë? Nëse është, si shoqëri duhet të frikësohemi nga ky standard. Sepse është standard vrastar, standard që çdo të (para)burgosur mund ta çojë në vdekje.

Astrit Dehari përveç se aktivist i një partie politike, ishte qytetar, të cilit Kushtetuta e Kosovës ia garantonte të drejtën për jetë. Një e drejtë elementare njerëzore. Nëse shteti nuk është në gjendje të garantojë edhe këtë të drejtë, atëherë nuk duhet të ndërrohet shteti, por ata që bartin funksionet qendrore shtetërore.

Akti i parë në këso rastesh të rënda është dorëheqja. Deri më sot nga postet e tyre do të duhej të ishin larguar së paku ministrja e Drejtësisë, drejtori i burgut në Prizren dhe shefi i atjeshëm rajonal i policisë. Që të tre vazhdojnë të qëndrojnë në poste, sepse me gjasë mendojnë se edhe vdekja e Astrit Deharit do të harrohet – siç janë harruar edhe shumë vrasje të tjera misterioze, për të cilat si shoqëri kemi heshtur. Natyrisht me ndonjë përjashtim.

Kjo vdekje është momenti i fundit për kryengritje civile kundër terrorit shtetëror në Kosovë. Është një terror që ushtrohet në mënyra të ndryshme – nga regjimi kriminal dhe mediat e tij, nga cinikët që s’merakosen për «një vdekje më shumë», nga sehirxhinjtë publikë që janë bërë milionerë duke prodhuar gënjeshtra në shërbim të partive politike të korruptuara.

Kur u vra Benno Ohnesorgu më 2 qershor 1967, ishte Frederike Hausmann ajo që vrapoi për t’i dalë në ndihmë. Në fotografinë e famshme ajo shihet duke ia mbajtur kokën viktimës. Në vitin 2010 Hausmann i dha një intervistë gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung», ku mes tjerash tha: «Nuk më pëlqen kjo fotografi».

Studenti Astrit Dehari është Benno Ohnesorg i Kosovës. Na pëlqyen apo jo idetë e tij politike, si shoqëri duhet të luftojmë që vdekja e tij të sqarohet deri në fund dhe këso maskarallëqesh juridike të mos përsëriten kurrë më në Kosovë.