Asociacion financiar me histori shqiptare dhe gjeografi zvicerane

Një grup kuadrosh shqiptarë në sektorin financiar të Zvicrës formon asociacionin e vet. Ata kanë marrë përsipër një punë të madhe.




 

Cyrih, 26 shkurt 2015

Sallat e kompleksit Technopark në Cyrih mbajnë emra interesantë: «Zepelin», «Darwin», «Einstein»… Njëra prej tyre do të mbahet në mend së paku nga një komunitet kuadrosh shqiptarë nga fusha e financave. Një grup specialistësh shqiptarë nga sektori financiar i Zvicrës kishte zgjedhur dhomën «Newton» për mbledhjen themeluese të Asociacionit Shqiptaro-Zviceran të Finacave.

Numri i kuadrove shqiptarë që punojnë në sfera të ndryshme të sektorit të financave është inkurajues, u përmend në diskutimet e tubimit. Në mledhjen konstitutive ishin të pranishëm 24 prej tyre. Një ndër qëllimet e Asociacionit është mbledhja e tyre dhe kapitalizimi i këtij resursi në dobi të emigracionit shqiptar në Zvicër dhe zhvillimit të vendeve nga vijnë ata.

Një ide ambicioze

Në konceptin e grupit iniciues të Asociacionit gjuhë e komunikimit në mbledhje ishte gjermanishtja. Emërtimi origjinal i shoqatës është në anglisht: Swiss-Albanian Finance Association. Ndërsa kusht për të qenë anëtar i Asociacionit është identiteti shqiptar i kandidatit.

Në gjermanisht pjesëtarë të grupit iniciues të Asociacionit referuan për idenë e themelimit të kësaj shoqate. Dhe ajo nuk është aspak më modeste se grumbullimi i ekspertizës shqiptare të shpërndarë në sektorin financiar zviceran – shkëmbimi i informatave profesionale nga fusha e financave, përkrahja e njëri-tjetrit në karrierën financiare, këshillimi i atyre që ndjekin rrugën e pavarësimit ekonomik dhe organizatve të ndryshme në fushën e financave, mbrojtja e interesave të tyre, transferi i dijes dhe përvojës së grumbulluar në Perëndim në formë të ndihmës zhvillimore në vendet e prejardhjes, ofrim shërbimesh profesionale…

Ndër projektet e para që shpallën të pranishmit ishte ai i mentorimit, një metodë eficiente dhe shumë e përhapur kohëve të fundit për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Anëtarët e Asociacionit shprehen të gatshëm të përcjellin profesionalisht, duke u dhënë bilateralisht leksione nga fusha e financave personave të interesuar për këtë ekspertizë. Vullnetarisht!

Kuvendim kozmopolit

Si mund të kishte ndonjëri diçka kundër këtij programi? Një propozim ishte hartimi i një teksti ku vizioni i Asociacionit do të sistematizohej në mënyrë më të zgjeruar dhe eksplicite. Një lloj debati kërkoi çështja e kategorive të anëtarëve: aktiv, pasiv dhe të rinj. U dakordua që kontributi për anëtarët aktiv të jetë 100 franga; për ata pasiv, të cilët duhet të jenë persona juridik – 300 franga dhe për anëtarët e rinjë – falas. Në një gjë nuk kishte dilema: «Me rëndësi është aktiviteti, jo kontributi i anëtarësisë!»

Në diskutimin e parimeve bazë të statutit të Asociacionit, shumica e pjesëmarrësve refuzoi katalogizimin e arsyeve për përjashtimin eventual të një anëtari. Fillimisht u mjaftua me sanksionimin e mosrënies ndesh me qëllimet Asociacionit.

Një debat kërkoi përcaktimi i karakterit apolitik dhe areligjioz të Asociacionit. Mbledhja u karakterizua nga debate me saktësi juridike gjermane. Ku nuk shkonte, diskutuesit përfitonin nga privilegji i kuvendimit shqip. Nganjëherë, me vetkuptueshmëri shërbeheshin me anglishten – gjuhën e financave. Iniciuesit e Asociacionit ranë dakord që disa pika të statutit t’i kristalizojnë pasi të jenë zgjedhur anëtarët e kryesisë së Asociacionit dhe kur të jenë ndarë postet e kryesisë.

Kuvendi themelues zgjodhi me unanimitet anëtarët e kryesisë mbi bazën e vetpropozimit të kandidaturave me një motivacion të shkurtër: Alban Nevzati – kryetar, Albert Muhadri – zëvendëskryetar, Ernest Ukaj – arkëtar, Përparim Avdili – sekretar dhe zëdhënës, Petrit Ismajli – përgjegjës për marrëdhënie publike, Hetem Morina dhe Ilir Dobi – mbikëqyrës projektesh. Një konglomerat profilesh dhe prejardhjesh – nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Kuvendi me keqardhje u pajtua me refuzimin e tre grave pjesëmarrëse për t’u zgjedhur në kryesi.

Kënaqësi dhe përgjegjësi

Konstituimi i Asociacionit ishte kurorëzimi i një angazhimi të mëhershëm. Alban Nevzati konfirmon: «Një thelb i pjesëmarrësve të mbledhjes konstitutive kanë kohë që e bluajnë në kokë idenë e një asociacioni të punëtorëve në sektorin financiar të Zvicrës». Prej disa muajsh ata janë në kontakt të vazhdueshëm për konkretizimin e hapave të krijimit të shoqatës. «Katër muajt e fundit kemi punuar intensivisht për këtë ditë».

Nevzati ka një regjistër prej rreth 150 kontaktesh – shqiptarë që punojnë sektorin bankar të Zvicrës – anëtarë potencial të Asociacionit. Ata do të kontaktohen dhe ftohen të angazhohen në shoqatë. Një ndër detyrat e para të tij dhe kryesisë së Asociacionit është krijimi i një data-baze e shqiptarëve që punojnë sektorin financiar në Zvicër… Prioritar është hartimi i një programi të punës, pastaj krijimi i një vebsajti, informimi i mediave dhe opinionit për punën e Asociacionit, vënia e kontakteve me grupet e interesit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Aktiviteti i parë i Asociacionit do të jetë projekti i mentorimit.

«Asociacioni quhet shqiptaro-zviceran, sepse anëtarët e tij janë shqiptarë me banim në Zvicër dhe formim zviceran», shpjegon kryetari i parë i tij, Alban Nevzati. Ai ka lindur në Prishtinë, është rritur në Prizren. Si dhjetëvjeçar ka ardhur me familjen në Zvicër, ku ka përfunduar shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Universitetin e Cyrihut Alban Navzati ka kryer studimet për ekonomi dhe menaxhment. Prej tetë vitesh punon në UBS, në departamentin e kontrollit të riskut. Për tre vite e gjysëm ai ka punuar si staf i kësaj banke zvicerane në Nju Jork, ku ka krijuar dhe udhëhequr një ekip prej 18 vetësh për analiza të rreziqeve të tregut. Tani vazhdon të punojë në UBS në Zvicër si përgjegjës për implementimin e strategjive që kërkohen nga rregullatorë të ndryshëm. Angazhimi në Asocialcion nuk interferon në punën e tij, por e plotëson angazhimin në profesionin që e ka edhe pasion.

Pjesëmarrësit në mbledhjen konstitutive u shpërndanë pas një aperoje, me çrast ndanë përshtypjet për ngjarjen…