Asdreni u mplak (poezi satirike)

Asdreni.



Miqt’ e mij seç hynë në merak
Thonë se Asdreni na u mplak
Do të tjerë ca më t’ëmbël pak
Thonë Asdreni s’është akoma plak
Dhe disa më futin keq në lak
Kot, ç’do që të thuash, prap je plak
Flet bota pa fare ndonjë shkak
Pa shëko, Asdreni si u mplak
Ca më marrin ndënë vetull gjak
Thonë hiqu tej se qënke plak!
Me këto nuk tundem unë  aspak
Kur po më thonë Asdreni u mplak
Por dhe unë që t’u vë kapak
Ndjej, u them, se s’jam akoma plak
Gjer më sot s’kam shkelur  asajë prak
Që ta ndjej vërtet se qenkam plak
Kanë a s’kanë arsye sado pak
Para miqve mos të jem dredharak
Dhe që të mos bëhem qesharak
Më së fundi e pohoj: Jam plak!

1942