As Ramush Haradinaj nuk mund ta pengojë pastrimin e Kosovës

Kryetari i partisë minore AAK nuk mund ta mbulojë debaklin zgjedhor me kërcënime ndaj çdo rivali politik. Ka ardhur koha që Kosova të ketë një qeveri me duar të pastra. Këtë s’mund ta bëjë kurrë Ramush Haradinaj, sepse opsioni politik që ai ofron është i dëmshëm për Kosovën.

Foto: Shutterstock



Gjatë fundjavës Ramush Haradinaj i është drejtuar opinionit, por më shumë Lëvizjes Vetëvendosje (VV), fitueses së vërtetë të zgjedhjeve parlamentare, me një mesazh të përçart, me ton kërcënues dhe me gjuhë që në nëntokën ballkanike përdoret për shantazh. Ai flet për një mashtrim optik, duke u përpjekur të minimizojë suksesin e jashtëzakonshëm të VV në zgjedhje. Por, e vërteta është se VV dyfishoi numrin e votuesve të dielën e 11 qershorit, ndërsa koalicioni i territ dhe mesnatës, të cilit iu bashkua Haradinaj, pësoi një debakël historik.

Para zgjedhjeve prijës të PDK-së, AAK-së dhe Nismës flisnin për një fitore të radhës, thoshin se do të marrin rreth 50 deputetë, ndërsa epilogu i zgjedhjeve po tregon për çdo ditë se çfarë llogarie të gabuar kanë bërë shefat e këtyre tri partive, që në muhabete private njëri-tjetrin e kanë stolisur me tituj e me etiketa aq simpatike si kriminel, hajdut, i korruptuar, plaçkitës dhe kështu e radhë.

Në mesazhin e tij Haradinaj thotë se nuk ka më kohë për eksperimente për njëfarë Kosove futuriste. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe futurizmi është një drejtim tejet formalist e dekadent i fillimit të shekullit XX në letërsinë e në artin e disa vendeve borgjeze të Evropës, i cili mohoi letërsinë realiste e artin realist të së kaluarës e të kohës së vet, si edhe çdo trashëgim, kulturor, u ngrit kundër përmbajtjes ideore të krijimtarisë artistike e kundër brendisë kuptimore të fjalës, e trajtoi njeriun thjesht si një mekanizëm e i këndoi së shëmtuarës, duke u përpjekur të krijonte gjoja një «stil» të ri, të ashtuquajturin «artin e së ardhmes».

Se çfarë mendon Haradinaj me definicionin e tij për Kosovën futuriste mbetet fshehtësi e tij apo e ndonjë njeriu (të letrave?) që mund t’ia ketë shkruar mesazhin. A janë dekadentë të gjithë ata që duan të krijojnë qeveri të re, pa Haradinajn në krye? Natyrisht, kjo është e pavërtetë. Vetëm liderët komunistë si Enver Hoxha i kanë quajtur kundërshtarët politikë dekadentë e futuristë. Pra, në radhë të parë mesazhi i Haradinajt është një kotësi gjuhësore. Mesazhi kulmon me kërcënimin se «nuk mund ta shkatërrojmë vendin e t’ia nisim nga e para, për tekat e askujt». Domethënë, çdokush tjetër që tenton të krijojë qeveri në këtë vend është shkatërrues. Dihet se kush na qenkësh i licencuar për të qenë kryeministër: Ramush Haradinaj.

Për të nënvizuar pretendimin e tij se posti i kryeministrit i takon atij dhe vetëm atij, Haradinaj shkruan se është derdhur gjak për ta krijuar këtë Kosovë. Përmendja e gjakut gati 20 vjet pas luftës, kur – fundja! – s’bëhet fjalë më për luftë, por vetëm për krijimin e një qeverie si rezultat i votës demokratike, shpalos një mentalitet tepër agresiv në politikëbërje. Çdo politikan tjetër që tenton të krijojë qeveri, sipas këtij mentaliteti, e rrezikon Kosovën. Ky është një kërcënim serioz kundër çdo shumice parlamentare që mund të krijohet dhe e cila mund të mos jetë sipas qejfit të Haradinajt.

Sot, sipas Haradinajt, VV është një organizatë që shkatërron shtetin. Në tetor të vitit 2015, ai si aleat i VV hyri me forcë në Kuvendin e Kosovës për të dorëzuar një peticion kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Me atë rast një zyrtar të sigurisë e quajti «budallë», ndërsa një tjetër zyrtar e ofendoi rëndë duke e quajtur «peder». Këto skena të ulëta të demokracisë së brishtë kosovare mund të shihen në kanalin youtube – siç mund të shihet edhe skena kur Ramush Haradinaj mbush gota të plastikës me raki në një seancë të tensionuar të Kuvendit të Kosovës. Këtij banketi pervers, fatkeqësisht, iu bashkua edhe ndonjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse, me gjasë, nuk i dukej pak hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend. Me këtë njollë alkoolike parlamentare duhet të jetojë sot edhe VV. Siç duhet të jetojë edhe me faktin se Haradinaj tani i është bashkuar Klanit Pronto pasi e ka shfrytëzuar VV-në për qëllimet e tij politike. Duhet thënë se VV ka lejuar të përdoret dhe keqpërdoret nga Haradinaj për interesat e tij të ulëta politike.

Përkundër gabimeve të herëpashershme dhe aleancave të panatyrshme me AAK-në dhe Nismën, megjithatë VV fitoi besim të madh në zgjedhjet e 11 qershorit për shkak të këmbënguljes për t’i ofruar Kosovës një qeverisje tjetër, një qeverisje me duar të pastra. Këtë s’mund ta bëjë kurrë Ramush Haradinaj, sepse opsioni politik që ai ofron është i dëmshëm për Kosovën. Është përpjekje tinëzare për të rehabilituar qeverisjen e keqe të PDK-së, e cila në mandatin e ri të Kuvendit do të ketë vetëm rreth 20 deputetë.

Ramush Haradinaj mund të bëjë potere nëpër qytet se vetëm atij i takon posti i kryeministrit, por rendi demokratik nuk mund të përcaktohet nga cilësia e rakisë që shërbehet prej tij në Kuvend. Qeverinë e themelon ai koalicion që ka 61 vota. Se a do të jenë në nivel të përgjegjësisë historike VV dhe LDK për të krijuar një qeveri të re dhe për të çuar në opozitë PDK-në dhe hyzmeqarët e saj, mbetet të shihet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kësaj radhe e kanë bërë të qartë se do të bashkëpunojnë me çdo kabinet që arrin të sigurojë shumicën në Kuvend.

Haradinaj mbetet ta bind Lidhjen Demokratike të Kosovës për t’iu bashkuar në përpjekjen për krijimin e qeverisë. Nëse LDK pranon, kortezhit për varrosjen e saj do t’i prijë Haradinaj, ndërsa varrin LDK-së do t’ia hapë shefi i PDK-së. Deri para zgjedhjeve Haradinaj me mendjelehtësi të paparë e ka njollosur LDK-në duke e quajtur parti që nuk ka më asnjë lidhje me Ibrahim Rugovën. Por, zgjedhjet e 11 qershorit treguan se nga kandidatët e LDK-së për deputetë më së shumti vota morën ata që përfaqësojnë një kurs të ri, duke respektuar meritat historike të LDK-së rugoviane. Vota morën ata që kanë kritikuar qeverisjen e PDK-së dhe kanë treguar konsistencë në refuzimin e koalicioneve joparimore me PDK-në të tillë siç është sot – një parti jashtë kornizës demokratike, e cila partnerët e koalicionit i saboton dhe shkatërron.

Përkrahja masive që morën nga elektorati i LDK-së Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanaj dhe ndëshkimi i atyre që e sollën LDK-në buzë greminës me aleanca e kumbari me PDK-në, është sinjal mbi një kapitull të ri në LDK. Ky kapitull mund të jetë i suksesshëm vetëm me një koalicion me një VV që respekton partnerët politikë dhe largohet nga mendësia stigmatizuese. Suksesi i jashtëzakonshëm i VV në zgjedhjet e 11 qershorit është shans që kjo parti të marrë përgjegjësinë historike që i takon: pastrimin e Kosovës nga hajnat politikë. Deklaratat e para të Albin Kurtit, kandidatit të VV-së për kryeministër, janë shpresëdhënëse. Për të bërë kthesën e madhe politike në Kosovë duhet të ekzistojë vullneti dhe guximi edhe i LDK-së. Nuk ka garancë se në këtë parti ekziston një guxim i tillë. Por, shansi është para liderëve të LDK-së.

Si do të mbetet puna me Ramush Haradinajn? Le të bëjë politikë në opozitë bashkë me Klanin Pronto në katër vitet e ardhshme. Kjo ishte zgjedhja e tij. S’ka arsye të fajësojë askënd, as të kërcënojë. Mrekullia e vitit 2017 është se askush nuk frikësohet nga kërcënimet e Ramush Haradinajt. Këtë e di edhe ai, andaj i drejtohet publikut me mesazh aq qesharak siç bëri gjatë fundjavës.