Artizanët e filigranit në Prizren mbajnë gjallë zanatin e lashtë kosovar

Një grup i vogël artizanësh në qytetin e Prizrenit në Kosovë po përpiqen të mbajnë gjallë një traditë shekullore të bizhuterive të filigranit të bëra me dorë, duke e trashëguar atë nga babai tek i biri.




I mbledhur në një cep të dyqanit të tij në qytetin jugor të Prizrenit, një burrë trupvogël me flokë gri merr një copë të vogël argjendi dhe e kthen atë në një fije të hollë e të përdredhur.

Pastaj ai e kombinon atë me fije të vogla metali dhe rruaza, duke përdorur një tub për t’i dhënë metalit forma të ndryshme. Ato më vonë do të bëhen një gjerdan, shpjegon ai.

Nrec Gjini, 49 vjeç, e trashëgoi këtë zanat të lashtë nga babai i tij, i cili e trashëgoi atë nga babai i tij.

Ai s’e ka menduar kurrë të ndryshojë ndonjë gjë për mënyrën se si ai punon, edhe pse shpesh ka qenë e vështirë dhe teknologjia moderne do t’i kishte bërë më të lehta të gjitha.

Atje, në punishten e tij të vogël, në një qoshe, ai është vetëm dhe i lumtur me argjendin.

«Ne punojmë me fije të përdredhura argjendi», thotë Gjini. Jo të gjithë mund ta mjeshtërojnë si duhet këtë art, vëren ai, duke shpjeguar se përveç talentit artistik, kjo punë kërkon saktësi absolute, pasi motivet dhe detajet e argjendit janë shumë të vogla.

Gjini është një nga argjendarët e paktë që kanë mbetur në Prizren të cilët ende e njohin dhe praktikojnë artin e filigranit, një lloj bizhuterie tepër delikate që bëhet me fije në formë fjongosh, rruaza të vogla dhe fije të përdredhura. Arti mbetet tepër i njohur në Azi, sidomos në Indi, por edhe në Afrikën e Veriut – por është i rrallë në Europën moderne.

Ky zanat i ka dhënë shumë famë Prizrenit gjatë shekujve. Nuk ka një datë të saktë se kur shqiptarët në Kosovë filluan të punojnë me argjend, por historianët thonë se kjo ndodhi ndoshta dikur në shekullin e 18-të.

Prizreni u bë qendra kryesore për argjendarët, por kishte artizanë të famshëm edhe në Pejë, Gjakovë dhe Prishtinë, ku argjendarët i trashëgonin me kujdes sekretet nga babai tek djali.

Tregtia s’e pati origjinën në Kosovë, por kjo e fundit ishte e famshme sidomos për artizanët e saj, tha për BIRN etnografi Bekim Xhemili.

«Ndërsa teknika e filigranit u trashëgua gjatë shekujve, artizanët filluan të punonin me baballarët e tyre që në moshë shumë të re, gjë që i bëri ata perfeksionistë. Kjo i bëri teknikën, stilin dhe motivet e tyre unike», shtoi Xhemili.

Dikur, Kosova kishte minierat e saj të argjendit në Trepçë dhe Novobërdë dhe argjendarët kishin shumë material të papërpunuar për të punuar. Por në Kosovë nuk nxirret më argjend, kështu që artizanët e mbetur duhet ta importojnë atë, duke bërë që mezi të mbulojnë shpenzimet e tyre.

Tregtia po vdes. Xhemili thotë se shteti i Kosovës duhet t’i mbështesë ata artizanët e vegjël që ende përpiqen të mbajnë gjallë traditën.

Ai thekson se arti është përfshirë në një listë përkohësisht të mbrojtur, ku përfshihen 1,543 asete trashëgimie kulturore. Ai është nën një mbrojtje të tillë për një vit.

Foto: Die Morina.

Kujtime të një epoke të artë

Në vitet 1980, tregtia e filigranit lulëzoi. Në ato kohë në Prizren kishte 150 deri në 200 artizanë.

Familja e Gjinit ishte ndër ta. Ata punonin shumë, por gjithashtu shisnin shumë, sidomos turistëve në bregdetin kroat. Ai kujton se shumë artizanë nga Prizreni u larguan nga qyteti dhe u transferuan në Dubrovnik, në Kroaci, ku gjetën biznes më të mirë.

Por pastaj shpërtheu lufta në të gjithë Ballkanin në vitet 1990 dhe tregtia u dëmtua. Tani ka vetëm 10 familje – ndoshta më pak – që kanë mbetur që punojnë ende argjendin në Prizren.

Ajo që e shtyn Gjinin të vazhdojë ende është djali i tij, Nue, i cili dëshiron shumë të trashëgojë zanatin e babait të tij.

Njëzetë e tre vjeçari është ndoshta argjendari filigran më i ri në Prizren dhe është krenar të vazhdojë traditën e familjes së tij.

«Kjo gjë më ka interesuar që kur isha nëntë vjeç. Për mua, është puna më e mirë në botë», shtoi ai.

Djaloshi thotë se ai është rritur i rrethuar nga mjetet dhe fijet e argjendit, që më vonë u bë më shumë sesa një hobi, ndërsa ai ndiqte hapat e babait dhe gjyshit të tij.

«Stili im i preferuar në filigran është ai barok, sidomos për varëse, sepse do më shumë detaje dhe një kombinim fijesh dhe rruazash», thotë ai, duke shtuar se ka ndërmend të vazhdojë të punojë dhe të mësojë brezin e ardhshëm që të mbajë gjallë profesionin e familjes së tij.

«Ne e kemi trashëguar këtë për shekuj me radhë, gjë që më bën të ndihem mirë ndërsa punoj. Dua ta vazhdoj këtë traditë», këmbëngul ai.

«Nuk mendoj se ka ndonjë artizan tjetër të moshës sime në Prizren. Nëse do të kishte një, padyshim që do ta njihnim njëri-tjetrin», thekson ai.

Gjatë viteve të vështira të viteve 1990 për artizanët filigranë, ata ishin të detyruar të tregtonin bizhuteri të tjera argjendi dhe ari, duke importuar mallra nga vende si Turqia, Italia dhe vende të tjera.

Në ditët e sotme një gramë filigran kushton midis 4-5 euro, gjë që e bën të vështirë për një familje artizani të mbijetojë vetëm nga kjo punë, kështu që ata ende shesin bizhuteri të tjera ari dhe argjendi të eksportuara nga vende të tjera.

Klientët më të interesuar për filigranin në Prizren janë turistët, kryesisht të prezantuar me të nga guidat që e prezantojnë këtë punim argjendi si pjesë të identitetit të qytetit.

Por Nrec Gjini thotë se së fundmi njerëz nga Kosova po interesohen gjithashtu gjithnjë e më shumë për bizhuteritë e filigranit. Nuk mund të krahasohet ende me vitet 1980, por ai shpreson se gjërat do të përmirësohen.

«Së fundmi kemi pasur kliente që do dëshironin të vendosnin bizhuteri filigrani në ditën e tyre të dasmës», thotë ai plot shpresë, duke kujtuar se si babai i tij bënte unaza martese.

(https://www.reporter.al/artizanet-e-filigranit-ne-prizren-mbajne-gjalle-zanatin-e-lashte-kosovar/)