Artistët bëjnë thirrje për qetësi dhe maturi në ndeshjen Shqipëri – Serbi

Ashtu siç edhe ndodh rëndom, kur Kombëtarja Kuqezi ka ndonjë ndeshje futbolli, të gjithë shqiptarët kudo që janë bëhen një dhe të gjithë sytë i kanë të drejtuar kah kombëtarja.




Mirëpo, rëndësia e ndeshjes që do të luhet sonte në Stadiumin «Elbasan Arena», mes Shqipërisë dhe Serbisë, ka bërë që emocionet të jenë edhe më të mëdha, raporton «Express» i KTV-së. Kjo, ngase ndeshja po cilësohet historike, sepse në rast fitoreje, Kombëtarja Shqiptare do t’i afrohet kualifikimit për pjesëmarrje në Evropianin «Franca 2016».

Marrë parasysh atë që ndodhi në ndeshjen e kaluar në Beograd, tensionet janë të pranishme edhe për këtë ndeshje, për ndonjë incident të mundshëm që mund të shkaktohet. Prandaj, këto ditë mesazhe të ndryshme nga personazhe publike të shumta kanë ardhur gjithandej, përmes të cilave po bëhet thirrje për qetësi dhe larg ndonjë eksesi, i cili mbi të gjitha do ta penalizonte ekipin shqiptar.

Mesazhe kanë ardhur edhe nga komuniteti artistik, raporton emisioni Express i KTV-së. Ata pos thirrjeve, kanë shprehur edhe mbështetjen dhe krenarinë e tyre për djemtë e kombëtares.

Do të nisim me këngëtarin dhe aktorin Ermal Mamaqi. Përmbi këtë foto, ai ka shkruar: «Amon na leni ta fitojmë 3pikëshin nesër, pa bo nai budallallëk». Këtë status të Ermalit e ka postuar edhe këngëtarja e njohur Elvana Gjata, duke u shprehur e bindur se do të fitojmë. E Flori Mumajesi ka shkruar: «Edhe Dielli doli. Ditë e madhe sot».

Ndërkaq, postimi i reperit Noizy ka qenë më i gjatë.
«Lutjet e mia shkojnë për vendin tim, për të na dhuruar një lojë të mrekullueshme dhe fitore. Sa për tifozët, është koha për t’i treguar botës se ne jemi ndryshe. Dhe pse disa nga ne mund të jenë me mendimin se siç të trajtojnë të tjerët, ashtu ktheja dhe ti. Por, jo ne jemi më të mirë dhe më të zgjuar se kaq. Ne do të tregojmë respekt. Kur të hyjnë në shtëpinë tonë, kemi nder dhe dinjitet, sepse ashtu na kanë mësuar të parët tanë».
«Mos harroni ndeshje dhe sherr. Ku do vriteni nesër? Se vdisni t’boni sherr si atdhetarë të thektë që jeni. Se njifni fare fjalën qytetari në këto raste», ka qenë në anën tjetër postimi i Rozana Radit.

Ndërsa, aktori i njohur Blerim Destani ka postuar një fotografi me flamurin kombëtar, duke iu uruar suksese futbollistëve. «Francë ne po vijmë, unë besoj, jemi një», ka shkruar tutje Destani.

«Unë besoj, Shqipëria në Europian», i ka uruar suksese Shqipërisë reperi i njohur kosovar, MC Kresha.

Indiferente nuk ka qëndruar as Aurela Gaçe. «Fitore Kombëtares tonë, 3 pikë», ka thënë ajo, duke postuar edhe këngën «Xhamadani vija vija».

Mbështetje Kombëtares Shqiptare i ka dhënë edhe bukuroshja Diellza Kolgeci, me anë të një fotografie ku shihet me veshje kombëtare.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë fillonte sonte nga ora 20:45.