Arti zbërthen legjendat në Shpellën e Gadimes

Shënime mbi një ekspozitë në Shpellën e Gadimes.

Shpella e Gadimes.



Një zhurmë frikësuese, tamam sikurse ndonjë kolonë zanore e filmave horror, mban nën ethe disa njerëz në njërën pjesë të shpellës. Ulërimat që shoqërohen me muzikë trishtuese janë krijuar nga artistja irlandeze Jojo Hynes, me qëllim që një pjesë e shpellës të duket si shesh xhirimi. Muzika del nga altoparlanti që nuk shihet dhe është i mbuluar me një perde në tokë. Artistja asaj i referohet edhe si «Perdja e shpëtimit». Mbretëron errësira, pos në gjashtë kënde janë nga një pëlhurë me imazhe femrash.

«Në shpellë dikush edhe mund të frikësohet. Inspirimin e kam gjetur te filmi . Aty janë gjashtë personazhe. E edhe këtu kam paraqitur imazhet e gjashtë femrave», thotë artistja Hynes, e cila bashkë me gjashtë kolegë artistë kanë «pushtuar» Shpellën e Gadimes me ekspozitën «Shfaqja dhe përhumbja e artit nga Londra në Shpellën e mermertë në Gadime».
«Vazhdimisht kur e dëgjon këtë muzikë mendon se çfarë po ndodh», thotë artistja. Imazhet e femrave në pëlhura janë të mangëta. Duket sikur janë bërë copë nga përbindëshat. Autorja e veprës thotë se edhe shpellat janë të frikshme dhe janë vend ideal për të sjellë vepra të tilla.

Të tillë atmosferë ka sjellë edhe ideatori i ekspozitës, artisti kosovar që jeton në Angli, Bekim Ratkoceri. Skulpturat e tij të bardha zënë goxha vend pothuajse në qendër të shpellës që shpeshherë është bërë mollë sherri midis pushtetarëve e banorëve lokalë të fshatit Gadime të Komunës së Shtimes, rreth menaxhimit të saj. Një kokë gjigante, pjesë trupore po ashtu të mëdha, përfshirë këmbë e duar, kanë zënë vend në ambientin që vazhdimisht pikon ujë të premten mbrëma. Krejt koncepti i tij lidhet edhe me legjendat për shpellën. Ideja e tij ka të bëjë me gjëra në të cilat dikur besohej, por gjëllijnë si gojëdhëna edhe sot e kësaj dite.

«Është një tip i figurës antropomorfe. Është një lloj hibridi. I kam rikrijuar fragmentet e thyera të shtatorëve të diktatorëve. Kam luajtur me të kinse është thyer. Kam dashur ta paraqes si një zbulim arkeologjik», thotë Ratkoceri. Format janë goxha të paqarta, por nëse për një moment mendja e njeriut i bashkon ato, duket sikur diktatori i ish-Bashkimit Sovjetik, Joseph Stalini, ka zënë vend në Shpellën e Gadimes.

«Ka të bëjë me teorinë e konspiracionit. Ka njerëz që besojnë se gjigantët ekzistojnë. Vepra titullohet . Është një fjalë nga hebraishtja e vjetër që i bie . Sipas Dhiatës së Vjetër, ka pasur disa engjëj të rebeluar që nuk kanë pasur formë. Gjigantët kanë qenë shumë të fuqishëm, shumë inteligjentë, por njëkohësisht shumë djallëzorë», thotë artisti. Por prapë i kthehet njerëzores që ndodh të mitizohet. Thotë se punimi me ngjyrë të bardhë portretizon edhe figurën e diktatorëve që janë njerëz të fuqishëm. Krejt këtë muhabet e lidh me lokacionin ku vepra e tij dhe ato të kolegëve do të qëndrojnë të ekspozuara vetëm deri mbrëmjen e ditës së sotme (e shtunë). Veprën e lidh me legjendat e shpellës.

«Mënyra qysh e kam bërë është një reagim ndaj ambientit të shpellës, ku nuk është gjithçka e definuar dhe mund të interpretohet në forma të ndryshme», thotë artisti. Përmend faktin se imagjinata në horizontet e shpellës shkon deri në atë masë saqë disa zona të mermerta krahasohen me mjekrën e Skënderbeut apo edhe me Borëbardhën e shtatë xhuxhët.

«Njerëzit vetvetiu nganjëherë i shndërrojnë në mite njerëzit», thotë artisti Ratkoceri.

Në pjesën e rrafshët të shpellës loja me formën bëhet nga pamjet e projektorit. Artisti londinez Rich Leppard paraqet imazhe që janë të bazuara në skulpturat e skulptorit të famshëm italian të shekullit XVII, Gian Lorenzo Bernini. Por koncepti i artistit nuk ndalet vetëm në këtë dimension.

«Është diçka që ka të bëjë me format herë reale e herë shpirtërore. Ato që i ndien. Format janë në kontrast me njëra – tjetrën. Nganjëherë të japin frikë e nganjëherë duken ndryshe. Pra, është një punë në progres», thotë Leppard. Krejt vepra e tij lidhte me gjërat që mund t’i mendojë njeriu në një ambient shpellor.

«Pra, në figura ka pak elemente reale e pak religjioze. Për shembull, lidhet edhe me halucinacionet që mund të të japë shpella», thotë ai, teksa qëndron krahas projektorit duke shikuar pamjet që shpesh kombinohen me hijet e vizitorëve të ekspozitës.

Artisti nga Manchesteri, Jame Alexander Crawford, qëndron para veprës së tij për të cilën sikur shumica e kolegëve thotë se nuk ka titull. Tri kasolle të vogla që duken sikur të ishin punuar nga fijet e kashtës reflektojë dritë.

«Ideja është se shpella mund të jetë edhe një shtëpi. E unë kam paraqitur disa shtëpi të vogla që nuk duken të bukura ose janë të ndërtuara keq», thotë ai, derisa konceptin ia përshtat edhe situatës nëpër Evropë. «Mund të duken edhe si shtëpi refugjatësh e ata mund të hyjnë edhe nëpër shpella», thotë ai.

Joane Newman nga Londra e ka «ndriçuar» hapësirën përreth saj pasi ka vendosur në tokë punime me material që shkëlqen. Këtë e ka bërë me pretekstin që shpella është e errët.

«Janë objekte të cilat duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin, sikurse pjesët e shpellës», thotë ajo, derisa bën me dorën e djathtë nga disa mjete që duken sikur shishe të mbështjella me fletëza alumini.

E artisti nga Shqipëria Bekim Mala ka bërë bashkë dy molla në një televizor. Njëra është vetëm pamje që e ofron ekrani e tjera qëndron mbi aparat bashkë me një punim dore.

«Ideja është që kur kemi qenë fëmijë jemi rritur me gjëra reale, me përrallat e gjysheve e me fruta reale. Kur ka ardhur televizori, ka ardhur si diçka magjike. Më shumë na ka pëlqyer imazhi i mollës sesa molla në realitet», thotë ai, derisa tregon se vepra quhet «Apple on TV». Titulli mund të përkthehet si molla në televizion apo molla mbi televizor.

«Pyetja është, cila është e vërteta? Hapësira është e panjohur. Është e magjishme. Njeriu hyn në shpellë pa e ditur se çfarë do të shohë apo çfarë do të ndodhë», thotë Mala. Për titullin e ekspozitës së kuruar nga të gjithë pjesëmarrësit thotë se i shkon fort realitetit të shpellës.

«Ndoshta njerëzit do ta harrojnë këtë ekspozitë. Është sikurse një hije që kur e sheh i mbyll sytë dhe nuk e sheh më», thotë ai. E Ratkoceri tregon se qëllimi i ekspozitës ndërlidhet me punët e tija të mëparshme. Është një temë që vazhdon ta ndjekë ende.

«Jam bazuar në idenë e monumentit dhe antimonumentit», thotë ai, derisa tregon se si i ka shkrepur kjo ide. Shpella ku ka organizuar ekspozitën kolektive e ku është paraqitur edhe vepra e Annabel Petrtigrew, për Ratkocerin, i rritur në një fshat afër saj, ka qenë diçka që i ka lënë mbresë si fëmijë.

«Ka qenë një moment kur më lindur ideja të organizoja diçka të tillë këtu duke e pasur parasysh se është një ambient magjik apo i veçantë», thotë ai midis hapësirës, ku nuk dihet nëse legjendat e veprave të artit janë më të forta se ato të natyrës. Krejt çka dihet është se ato të veprave të artit nuk do t’i zërë dita e diel e ato të shpellës ka mundësi edhe të shumëzohen në të ardhmen.