Art me kujtimet për vendlindjen

Ishte fundi i viteve ‘90 kur do ta linte vendlindjen për t’u shpërngulur në Londër. Por artisti prishtinas në të vërtetë nuk ka hequr dorë asnjëherë nga vendi ku është rritur.




Veprat e tij janë rezultat i kujtimeve për të që shpërfaqen mbi pëlhurë të bardhë. Jetësohen me ngjyrë dhe ekspozohen nëpër mure galerish, shkruan sot «Koha Ditore».

Gazmend Ejupi qysh prej vitit 2005 ka nisur të ekspozojë punën e tij nëpër galeri të shumta në botë. «Chelouche Gallery» në Tel-Aviv, «Clockwork» në Berlin, e galeri të tjera në Hamburg, Paris, Londër janë stacionet e punimeve të tij artistike, që në të shumtën e rasteve janë piktura.

I diplomuar në arte të bukura në «Central Saint Martin College of Art and Desidn», Ejupi aktualisht ushtron zanatin e artistit në Londër. Muajin e kaluar ai ishte pjesë e ekspozitës «Two Mouthsful of Silence» të realizuar nga Shoqata e Artistëve të Ballkanit.

Në ekspozitën me vepra të gjashtë artistëve ballkanas, Ejupi u paraqit me piktura. Pjesë e ekspozitës ishin edhe instalacione të artistëve nga vende të ndryshme si Kroacia, Greqia, Turqia e Bosnjë- Hercegovina.