Arsimtarët që po mbajnë mësim gjithë ditën po kërkojnë t’u rritet rroga

Zbatimin e mësimit tërëditor në tri shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në kryeqytet, nuk po e pëlqejnë të gjithë. Naim Bajrami, që është mësimdhënës në shkollën «Model», thotë që me mësimin tërëditor u janë shtuar edhe orë pune.




Sipas tij ky proces nuk mund të realizohet me sukses, nëse mësimdhënësve nuk u rriten pagat, raporton KTV.

Mirëpo, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbëre Nagavci ka thënë që angazhimet e mësimdhënësve nuk janë plotësuar sa u kërkohet me kontratë.

Nagavci thotë që komuna planifikon për shtrirje këtë proces edhe në shkollat e tjera të Prishtinës, gjatë vitit të ardhshëm. Prindërit janë optimistë që ky proces do të ketë sukses. Nxënësve tashmë ka filluar t’u pëlqejë mësimi tërëditor. Ky orar gjithëditor ka nisur të aplikohet në shkollat, «Faik Konica», në shkollën «Model» dhe në shkollën, «Afrim Gashi». Në bazë të planit të Komunës për mësimin tërëditor, fokusi i programit është lexim-shkrimi dhe edukata fizike.