Arrihet marrëveshje për krizën politike në Maqedoni

Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, 24 orë program në gjuhën shqipe në RTVM, një ministër në krye të policisë me mandat trejavor dhe rrezik për fshirjen e mbi 25 mijë mërgimtarëve shqiptarë nga lista e votuesve – janë pikat që prekin shqiptarët në marrëveshjen e arritur dje mes katër partive më të mëdha në Maqedoni. Zgjdhjet pritet të mbahen më 11 dhjetor nëse deri në fund të gushtit implementohen ndryshimet dhe krijohen kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike.

Nga protestat në Maqedoni. Foto: Giovanni Vale / Shutterstock.com

Katër partitë më të mëdha politike në Maqedoni – VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH –me ndërmjetësim të ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav, arritën marrëveshje për t’i dhënë fund krizës politike dhe për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nëse deri më 31 gusht përmbushen detyrimet e mara nga kjo marrëveshje dhe implementohen reformat e dakorduara, zgjedhjet në Maqedoni pritet të mbahen më 11 dhjetor. Marrëveshja përmban pesë pika kryesore: lista zgjedhore, mediat, qeveria teknike dhe zgjedhjet, prokuroria speciale, si dhe reformat e tjera.

Zgjedhësit në emigracion

Nga këto bisedime, ku dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO dhe LSDM e kanë pasur fjalën kryesore, shqiptarët kanë dalur thuajse duar bosh, madje edhe me rrezik të madh për diasporën shqiptare të Maqedonisë. Pikë e parë e marrëveshjes është lista e votuesve, me ç’rast parashihet që 171’500 votues nga diaspora do të transferohen në listën plotësuese. Këtij grupi nuk do t’i merret e drejta e votës, por kjo siguri nuk vlen për 39’502 votuesit e tjerë, 65 për qind e të cilëve janë mërgimtarë shqiptarë. Ata do të duhet të vijnë në vendlindje para zgjedhjeve. Ka dy afate që të paraqiten në KSHZ dhe të konfirmojnë të drejtën e votës dhe plotësimin e kushteve. Afati i parë do të jetë i dedikuar pikërisht për këtë kategori, ndërsa shansi i dytë për ta do të jetë shqyrtimi publik i listës. Nëse nuk vijnë në këto dy afate dhe nuk paraqiten, atëherë që të gjithë do të fshihen nga lista e votuesve dhe nuk do të kenë të drejtë të marin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deri më tani mbetet e paqartë nëse do t’ju merret e drejta e votës vetëm për zgjedhjet e radhës parlamentare, apo për të gjitha ciklet zgjedhore në të ardhmen.

Ministria e Punëve të Brendshme

Katër partitë janë dakorduar që pas përfundimit të zgjedhjeve, nga dita e shpalljes së rezultateve deri në formimin e Qeverisë së re që përfshin një periudhë tre javore, me ministrinë e puneve të brendshme të udhëheqë zëvendësministri i cili është kuadër i BDI-së. «Ky është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, por edhe për komunitetet në vend, se për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë në periudhën pas përfundimit të mandatit të Qeverisë për zbatimin e zgjedhjeve, ministri i punëve të brendshme do të jetë një shqiptar deri në formimin e Qeverisë së re që do të del nga rezultatet e zgjedhjeve», deklaroi Artan Grubi, përfaqësues i BDI-së në bisedimet në Përzhino.

Lajmin për arritjen e pajtimit edhe për pikën e fundit, e cila i zgjati për dy javë më tepër negociatat, kompetencat e ministrit të punëve të brendshme në qeverinë teknike, e kumtoi ambasadori amerikan Xhes Bejli. «Kemi lajme të mira: u arrit marrëveshje. Partitë u pajtuan që një vit pas marrëveshjes së Përzhinos të vazhdojë implementimi i saj. Ekipet negociatore u dakorduan që ligji për punë të brendshme që e miratoi Qeveria kohë më parë të suspendohet deri më 1 janar 2017, ndërsa ministri i ri të ketë mundësinë të ndërrojë 15 kuadro. Partitë u zotuan të përkushtohen në zbatimin e reformave evropiane dhe se do ta respektojnë ligjin për prokurorinë speciale», deklaroi ambasadori Bejli.

Me këtë marrëveshje parashihet që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të rikthehet Qeveria teknike e dakorduar më 2 Qershor dhe 15 korrik të vitit të kaluar në Përzhino, ku LSDM mer ministrinë e punëve të brendshme dhe atë të punës e politikës sociale, si dhe tre zëvendësministra teknik. Por, funksionarët e opozitës në Qeverinë teknike do të kenë mandate deri në publikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare nga ana e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Ndryshimet e fundit në ligjin për punë të brendshme do të prolongohen për më 1 janar 2017, ndërsa ministrit teknik që do të vijë nga radhët e LSDM-së i është kufizuar në 15 numri i ndryshimeve kadrovike që mund të bëjë në mandatin 100 ditësh. Datën e zgjedhjeve do të caktojnë liderët e katër partive më të mëdha, të cilët më 31 gusht do të vlerësojnë nëse janë përbushur kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike.

Partitë maqedonase

Marrëveshja është komentuar edhe nga dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM. «Jam i kënaqur që sot mund të njoftojmë se kemi marrëveshje. VMRO-DPMNE edhe sot, edhe gjatë gjithë kësaj periudhe, vinte për një marrëveshje, që t’i japim fund kësaj krize, të cilën LSDM-ja ia imponoi gjithë shtetit. Jam i kënaqur pasi me këtë marrëveshje hapet mundësia për mbajtjen e zgjedhje fer, demokratike, të lira dhe kredibile në të cilat do të marrin pjesë të gjithë», deklaroi Nikolla Todorov, negociator i VMRO-DPMNE-së pas përfundimit të takimit. Nga LSDM marrëveshjen e vlerësuan si të arritur, por thanë se duhet pritur respektimi dhe implementimi i saj. «Në fillim të këtij procesi u zotuam se fillimisht do të sigurojmë kushte për zgjedhje fer dhe demokratike dhe më pas do të sigurojmë datë për zgjedhje. Premtuam se edhe të gjitha veprimet e njëanshme që i ka ndërmarë Qeveria e VMRO-së dhe BDI-së patjetër do të tërhiqen. Qeveria kalimtare do të kthehet, ndërsa ligji për punë të brendshme që ishte problem i madh në bisedime, do të prolongohet deri vitin e ardhëshëm. Kjo marrëveshje siguron që të përfundojë kriza e cila na mori shumë kohë dhe energji dhe të sigurohen kushte për zgjedhje fer dhe demokratike», deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska.

Pika për mediat mediat

Në pjesën e mediave, katër partitë janë dakorduar që gjatë 15 ditëve të ardhëshme Kuvendi të miratojë ndryshimet e ligjit për media, ndërsa brenda 30 ditëve do të formohet komision ed-hog brenda agjencisë së mediave që do të monitorojë raportimin e tyre gjatë zgjedhjeve. Komisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë, katër do t’i zgjedhin partitë në konsultim me organizatat profesionale, ndërsa i pesti do të zgjidhet me konsenzus të katër anëtarëve të tjerë. Komisioni do të fillojë me punë 100 ditë para zgjedhjeve dhe do të ketë të drejtë të dënojë mediat që shkelin kodin zgjedhor. Por, partitë kanë rënë dakord që gjobat do të jenë për 50 për qind më të ulta se deri më tani. Sipas kësaj marrëveshjeje, asnjë gazetar apo media nuk do të gjobitet për shprehjen e mendimit. LSDM-ja opozitare do të propozojë kryeredaktor të Transmetuesit Publik (RTVM) nga radhët e ekspertëve në këtë fushë.

Mbështetje për prokurorinë speciale

Katër partitë politike janë dokorduar që të mbështesin Prokurorinë Speciale, si dhe i bëjnë thirrje Gjykatës Kushtetuese për të vendosur për kushtetueshmërinë e ligjit për prokurori speciale, me mundësi që në seancën e radhës – thuhet mes tjerash në marrëveshjen e arritur mes katër partive në vend. Në rast se Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë ligjin, atëherë katër partitë janë zotuar se do të bëjnë ndryshime për të përshtatur ligjin me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Në kapitullin e fundit që ka të bëjë me reformat, parashihet formimi i grupit punes parlamentar, i cili bashkë me shoqërinë civile dhe ekspertët do të zbatojnë reformat gjithëpërfshirëse. Partitë kanë marrë për obligim edhe miratimin urgjent të rekomandive të Pribes dhe rekomandimeve të komisionit të Venecias. Në fund të marrëveshjes, si pika shtesë, por pa ndonjë plotësim, përmenten edhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimet euro atlantike.