Arrestohet pejani i dyshuar për grabitje të armatosur

Policia e Kosovës ka arrestuar një person, nën dyshimin e bazuar për veprën penale «grabitje e armatosur».




Në kuadër të Sektorit të Hetimeve Rajonale pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, pas një pune operative dhe hetuese Policia e Kosovës ka bërë identifikimin dhe kapjen e kryerësit të veprës penale të grabitjes së armatosur, të ndodhur me datën 03.10.2015 në një objekt biznesi në rrugën «Bajram Kelmendi» në Pejë.

«Gjatë kësaj grabitje një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit ka kërcënuar dhe ka grabitur nga viktima që ishte punëtor në atë biznes, një shumë të hollash mbi dymijë (2000) euro. Pas këtij rasti, ai ishte larguar në drejtim të panjohur, ku hetimet për kapjen dhe identifikimin e tij ishin duke u zhvilluar intensivisht nga njësia rajonale e hetimeve», njofton Policia e Kosovës nga rajoni i Pejës, raporton Koha.net.

Dhe sot, siç bën me dije PK, gjatë një bastisje që kanë realizuar me urdhër të gjyqtarit të Gjykatës Themelore për krime të rënda në Pejë, pas sigurimit të provave dhe dëshmive, kanë bërë të mundur kapjen e të dyshimtit B. G. 1992 K/shqiptar nga Peja.

Ndaj këtij të dyshimti me urdhër të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh dhe i është ngritur kallëzim penal, ku për një kohë të shkurtër (bazuar në Kodin e Procedurës Penale) do të dalë para gjykatës kompetente.