Arrestohen tre persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Ujësjellësin «Hidroregjioni Jugor»

Policia e Kosovës arreston tre të dyshuar për keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe përvetësim në detyrë.




Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, sipas autorizimeve të prokurorisë kompetente, gjatë hetimeve disa mujore në kompaninë e Ujësjellësit të Hidroregjionit Jugor, ka arrestuar tre zyrtarë për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe për përvetësim në detyrë, transmeton Koha.net.

Inicialet e të arrestuarve janë H. G (1966), F. B (1973) dhe I. RR (1954), të tre të gjinisë mashkullore dhe të nacionalitetit shqiptar.

«Si rezultat i procedurave hetimore dhe operacionale janë gjetur prova të mjaftueshme se ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar tani më të arrestuar të lartpërmendur me iniciale kanë kryer veprat penale’ keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘ përvetësim në detyrë’, duke përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar dëme material kësaj kompanie mbi 23.000 mije Euro (kjo shifër është konstatuar nga kompania), mirëpo ka dyshime se vlera mund të jetë më e madhe pasi që edhe tridhjetë e nëntë (39) blloka (me fletëdëftesa) me nga tridhjetë e tri (33) dëftesa nuk janë dorëzuar në kompani dhe shuma e përvetësuar nga ana e këtyre zyrtarëve mund të ndryshoj», thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Hetimet janë udhëhequr nga Prokurori i shtetit dhe me urdhër të tij ndaj tre të dyshuarve të potencuar më lartë, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.