Arrestohen grabitësit e nxënësve të Kosovës në Kavajë

Patrulla e Policisë e Stacionit të Policisë në Golem të Kavajës ka arrestuar të enjten dy të rinj nga Kavaja të cilët kishin grabitur një ditë më parë në një kompleks në Plazhin e Golemit një grup nxënësish, ekskursionistë nga Kosova. Të arrestuarit janë Endri Leçini 22 vjeç dhe Skerdi Rexhepi 24 vjeç, të dy lindur dhe banues Kavajë.




Ata u kapën në flagrancë për kryerjen e veprës penale të «Vjedhjes me dhunë në bashkëpunim». Sipas komunikatës për shtyp të Policisë së Kavajës, më datë 01.10.2015, patrulla e policisë të Stacionit të Policisë Golem, ka marrë dijeni se në një kompleks në Golem-Kavajë, dy persona ishin futur në banesat ku pushonin studentët nga Kosova dhe po i grabisnin ata, raporton korrespodenti i «Kohës Ditore» nga Shqipëria.

Menjëherë patrulla ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë kapur në flagrancë në brendësi të objektit, shtetasit Endri Leçini dhe Skerdi Rexhepi. Nga kryerja e veprimeve procedurale rezulton se shtetasit e mësipërm janë futur në dhomat ku pushonin nxënësit nga Kosova nga ballkonet e objektit.

Me anë të kërcënimit, ata kanë kontrolluar sendet dhe veshjet e tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet tip «Fiat», dy aparate celulare, një sasi prej 1.255 euro dhe 30 mijë lekë. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprën penale «Vjedhje me dhunë në bashkëpunim».

Nuk është hera e parë që nxënësit ekskursionistë nga Kosova bien pre e grabitësve në Shqipëri. Një vit më parë, Policia e Tiranës ka arrestuar një një grup prej 7 të miturish e adoleshentesh të moshës 11-16 vjeç, që ishin bërë tmerri i nxënësve nga Kosova që cilët vizitonin Tiranën duke i grabitur këto të fundit nën kërcënimin e thikave e armëve plastike.

Policia e kryeqytetit ka sqaruar asokohe se të miturit ruanin momentin kur nxënësit kosovarë kalonin në rrugë të vetmuar dhe kur në rrugë nuk kishte njeri, u dilnin përpara duke u grabitur sendet dhe paratë që kishin me vete.

Të miturit përdornin thikat plastike dhe pistoletat plastike për të kërcënuar nxënësit nga Kosova. Në këto kushte, këta të fundit detyroheshin që t’u jepnin të miturve, apo adoleshentëve të gjitha sendet me vlerë që kishin me vete dhe sasinë e parave.