Armët e verës

Foto: Shutterstock



Dëgjoje regëtimën e hapësirës
janë hapat e stinës në afsh
përmbi thëngjijtë e vitit

Zhurmë flatrash dhe kastanjetash
daulle të largëta shiu
kërcitje dhe gulçime të tokës
nën petka insektesh dhe rrënjësh

Etja zgjohet dhe ndërton
kafazet e saj të mëdha prej xhami
ku lakuriqësia jote është uji që i kanë vënë pritë
uji që këndon dhe shpërthen vrullshëm

Me armët e verës ngjeshur
hyn në dhomën time, hyn në ballin tim
dhe i lëshon frerin lumit të fjalëve
Shihe veten në këto fjalë të shpejta

Drita digjet pak e nga pak
mbi peizazhin e shfuqizuar
hija jote është një vend zogjsh
që dielli e shpërndan me një lëvizje.

Përktheu: Mira Meksi