Armëpushim





Gjatë kemi luftuar pa e shikuar njëri-tjetrin në sy.
Ata ishin të tjerët, armiqtë. I kemi parë si binin
ose si bëheshin copë e grimë. Predhat e tyre na vrisnin
ose na plagosnin. Marrëdhëniet tona nuk kishin më shumë se
tre emra: frikë, urrejtje dhe përbuzje.

Sot u arrit paqja. I hodhëm armët dhe kaluam
nëpër atë që ishte tokë e askujt.
I shohim linjat e istikameve, gërmadhat,
barrikadat, rrënojat. Të tjerët vijnë drejt nesh
krahëhapur, për të na treguar se nuk i mbajnë
armët fshehur.

Gëzim, habi, rinjohje. Armiku nuk është përbindësh.
Ashtu si ne edhe ai ka fytyrë, emër,
histori e cila më parë nuk ekzistonte dhe e cila
nuk do të përsëritet. Ai ka prindër, grua, fëmijë, miq,
të kaluar, ardhmëni, dhembje, turp
dhe së paku kujtime për lumturinë.

Një mashtrim tragjik, lufta. Jemi vëllezër.
Sado të ndryshëm që jemi, prapëseprapë
shumë i ngjajmë njëri-tjetrit.
Ngremë dolli me raki të keqe.
Shkëmbejmë shujta të cilat janë krimbur.
Vëllazërimi atyre u jep shijen e nektarit.
Kurrë më, kurrë nuk do ta vrasim njëri-tjetrin.

Pasi kthehemi sërish në shtëpi, prej atyre që na kanë pritur
dhe dhurata e letra inkurajuese në front na kanë dërguar
përjetojmë vetëm armiqësi. Tinëz na fajësojnë që kemi mbijetuar.
Më shumë kanë qejf të na shohin si heronj të vdekur.

Gjithçka na ndan. S’kemi çfarë të bisedojmë.
Në vend të simpatisë është mllefi; tërbimi
në vend të mirënjohjes. Ata që kemi besuar
se i njohim gjatë gjithë jetës, tani na duken të huaj.
Çfarë përbuzje në sytë e tyre, sa shumë urrejtje
në fytyrat e tyre. Tanët tash janë të tjerë.
Armiku ndërron emrin. Fushëbeteja është zhvendosur.

(Përktheu: Enver Robelli)