Armand Duka dëshiron t’ua ndalojë simbolet kombëtare futbollistëve që s’luajnë për Shqipërinë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë ka sulmuar futbollistët shqiptarë, të cilët kur japin gol për ekipet e tjera bëjnë shqiponjën me gishta. Pa ia përmendur emrin Shaqirit, Duka ka thënë se është e papranueshme që lojtarët të mbajnë në këpucët e tyre flamurin shqiptar.

Armand Duka, një njeri me peshë në të gjitha aspektet.



Në prag të fillimit të Kampionatit Europian të Futbollit në Francë, kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, ka goditur ashpër futbollistët shqiptarë, të cilët luajnë për ekipe të huaja dhe kur shënojnë gol bëjnë shqiponjën me duart e tyre. Ky gjest është popullarizuar shumë viteve të fundit, por, sipas Dukës, është e papranueshme që lojtarët ta bëjnë shqiponjën apo të mbajnë në këpucët e tyre flamurin shqiptar, ndërsa kanë vendosur të luajnë për Zvicrën. Njëri nga futbollistët që mban flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës në këpucë është Gjerdan Shaqiri.

Këtë deklaratë Duka e ka dhënë në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger», e cila në numrin e së enjtes ka botuar një reportazh nga Durrësi mbi Kombëtaren e Shqipërisë. Duka ka thënë se nuk është e mundshme që si fubollist të kesh «dy zemra». Gazeta e përshkruan Dukën si njeri me peshë në të gjitha aspektet dhe si biznesmen që nuk e fsheh pasurinë e tij, andaj kur vjen t’i vizitojë futbollistët e Kombëtares në Durrës, vetura duhet të jetë patjetër e shtrenjtë, për shembull Bentley. «Ai është 53-vjeçar, ka para. Të cilat i fiton me një fabrikë për ushqim kafshësh, me prodhim të vezëve, ai është pronar i një rrjeti me dyqane ushqimore, bën tregti me kafe, shet verë dhe pajisje elektrike dhe ofron telefoni mobile. Ai s’pranon të tregojë sa para ka në xhirollogari. Por me krenari tregon se i punëson 1000 veta».

Duka ka treguar se kur kishte marrë drejtimin e Federatës së Futbollit para 14 vitesh kishte hasur në një situatë të tmerrshme. Infrastruktura ishte e keqe, gjendja në ligën e futbollit dhe përgatitja e trajnereve nuk ekzistonin fare. Duka kishte shtuar numrin e punëtoreve të Federatës nga 5 në 55 – dhe në vitin 2011 ai gjeti trajnerin, i cili e çoi përpara Kombëtaren: italianin Gianni De Biasi. Para tij kishin provuar të krijojnë një ekip të denjë trajnerët Hanspeter Briegel, Otto Bariq, Arie Haan dhe Josip Kuzhe. Duka thotë se secili prej tyre ka vendosur një gur për të ndërtuar shtëpinë.

Më 11 qershor shqiptarët do të luajnë kundër Zvicrës. Duka nuk e ka dëshiruar Zvicrën si kundërshtare. «Sërish e kemi këtë debatin e përjetshëm për shkak të lojtarëve me prejardhje shqiptare, të cilët luajnë për Zvicrën. A janë ata shqiptarë? A janë zviceranë?», pyet Duka. Mërgim Mavraj nga «FC Köln» përpiqet t’i qaset kësaj pyetjeje në mënyrë filozofike: «Nëse një gjel del nga veza në një ahur, ai është dhe mbetet gjel dhe nuk bëhet lopë». Për Mavrajn Xhaka, Behrami, Shaqiri dhe të tjerët janë shqiptarë – «gjaku përcakton prejardhjen», thotë Mavraj ndërsa shpjegon gjakun dhe gjelat. (-lli)