Arkeologët gjejnë gjurmë të një qyteti ilir në Kepin e Rodonit

Një fragment i çmontuar i një furre prodhimi qeramike, prezenca e skarciteteve nga furrat antike dhe dy gurë peshe, janë elementët që i kanë bërë arkeologët të besojnë se janë në gjurmë të një qyteti antik në Kepin e Rodonit.

Pamje nga Kepi i Rodonit.



I njohur për plazhin, natyrën e virgjër, një kishë të vjetër dhe fortifikimet e ndërtuara prej Skënderbeut, Kepi i Rodonit u fut në listën e vendeve joshëse për arkeologët pas gjetjeve pranë tij të dy anijeve 2300 vjeçare të mbytura pranë tij. Zbulimet nënujore të dy anijeve i bindën specialistët për pasurinë arkeologjike të territorit dhe sondazhet e javëve të fundit, që po kryhen nga një grup arkeologësh u kanë dhënë të drejtë. Veç furrës dhe mbetjeve të tjera, dy gurë peshe që shërbejnë edhe në tezgjah, u zbuluan disa metra larg materialit ndërtimor, duke shtuar provat për një qytezë që mund të datohet rreth shekullit të katërt para erës sonë.

«Jemi në kërkim të një vendbanimi qytetar, çka vërtetohet nga sasia e madhe e mbetjeve të tullave dhe tjegullave, prodhime që nisin nga shekullin e katërt para erës së re dhe që u gjetën në luginën ku ndodhet kisha e Shna Ndoit, në breg të detit», tha për BIRN, profesor Eduard Shehi, arkeolog i periudhës romake. Të frymëzuar nga gjetjet dhe shpresa se mund të zgjerojnë punimet, arkeologët shpresojnë që të paktën një pjesë e territorit të tij mund të kthehet në një park natyror, turistik dhe arkeologjik, për të mbrojtur nga dëmtimet dhe ndërtimet.

Kërkimet për qytetin antik

Specialistët kanë krijuar bindjen se qyteza e mundshme duhet kërkuar mbi njërën prej kodrave, që tashmë është e mbuluar plotësisht nga shkurret, por provat për të pritet të dalin nga gërmime të mëvonshme. Kërkesa është pritur mirë nga Instituti i Arkeologjisë dhe kërkimet për qytezën pritet të fillojnë në shtator. «Kërkesa u prit pozitivisht nga Këshilli Shkencor i Institutit të Arkeologjisë, dhe që na jep mundësinë të rifillojmë kërkimet në shtator, kur edhe numri i turistëve në zonë është më i vogël», tha arekologu Adrian Anastasi.

Kepi i Rodonit, është një nga zonat më tërheqëse të bregdetit shqiptar, qindra vjet më parë ai besohet se ka qenë një qendër e banuar ilire e cila ka humbur plotësisht dhe arkeologët shpresojnë se mund ta rigjejnë. Megjithëse në fazë fillestare, të dhënat e deritanishme nga gërmimet arkeologjike të filluar javëve të fundit janë shpresëdhënëse. Kërkimet në zonë u frymëzuan pasi pesë vjet më parë, kur nisi monitorimi i bregdetit, arkeologu nënujor Adrian Anastasi gjeti në afërsi dy relikte anijesh. «Gjatë zhytjeve zbuluam dy relikte anijesh, që i përkasin shekullit 4-3 para erës sonë», tha për BIRN Anastasi. Më shumë se 2300 vjet më parë këto anije, të cilat u emërtuam simbolikisht «Rodon 1» dhe «Rodon 2», besohet se transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të përziera me amfora korintike B dhe MGS V, si dhe tulla, tjegulla e qeramikë fine. Këtyre gjetjeve iu shtuan edhe elementët prej plumbi të spirancave të anijeve. Specialistët po ashtu besojnë se në ujërat pranë Kepit të Rodonit në 20 vitet e fundit janë grabitur egërsisht objekte arkeologjike.

Megjithatë Kepi i Rodonit ishte një territor i njohur për specialistët e monumenteve. Gjerak Karaiskaj, Apollon Baçe dhe Pirro Thomo janë ndër autorët kryesorë që kanë hedhur dritë mbi disa prej elementëve arkeologjikë të zbuluar disa dekada më parë. Por sondazhet e kësaj pranvere po krijojnë një imazh tjetër për të kaluarën e largët të territorit prej disa dhjetëra hektarësh, që laget nga të tre anët prej ujërave detare. Me sa duket veç Kalasë së Skënderbeut, e cila është edhe pika më e njohur nga turistët, që kërkojnë të zbulojnë gadishullin me vlera të veçanta natyrore, arkeologët gjatë javëve të kaluara kanë marrë në konsideratë edhe praninë e një feneri ndriçues.

Dr. Brikena Shkodra, me ndihmën e studentit të arkeologjisë, Krist Anastasi, ka vëzhguar imtësisht pjesën veriperëndimore të Kepit të Rodonit. Të dhënat arkeologjike ajo i mbështet edhe në hartat e albanologëve dhe historianëve të kapërcyellit nga shekulli 19-20. «Studiuesi hungarez Teodor Ipen 100 vjet më parë dokumenton praninë e një fari (feneri) në Kep, të cilin na duhet ta datojmë saktësisht», thotë për BIRN, Brikena Shkodra, e cila shton se shtresëzimet arkeologjike janë të dukshme në të dy krahët e gadishullit. Një tjetër kërkim është përqendruar në gjendjen e rrënojave të Manastirit të Shën Klarës, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj Mamica, motra e Skënderbeut, heroit kombëtar. Arkeologët po studiojnë mundësinë që manastiri të ndodhet pranë Kishës së Shna Ndout.

Rreziku i dëmtimeve

Kepi i Rodonit përbën një nga territoret më pak të njohura të bregdetit shqiptar. Izolimi i gjatë e ka ruajtur të paprekur bimësinë mesdhetare dhe kodrinat, që janë sulmuar vetëm nga erozioni agresiv detar i Adriatikut. Vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit kjo mrekulli e natyrës mund të vizitohet lirisht, për shkak të lehtësisë që krijon rruga automobilistike. Po kjo ka sjellë rrezikun e ndërtimeve pa kriter, që ka dëmtuar ndjeshëm pjesë të tjera në bregdetin e Durrësit dhe deri tani është shmangur edhe për shkak të pronësisë që ka mbi një pjesë të territorit Kisha Françeskane.

Arkeologët shpresojnë se zbulimet arkeologjike mund të shërbejnë si një hap i parë për rishikimin e statusit që ka Kepi i Rodonit. Krijimi i një parku natyror e mjedisor, me elementë arkeologjikë, të vizitueshëm në çdo stinë do t’i jepte një impuls të ndjeshëm turizmit në këtë zonë, vetëm 50 km larg Tiranës dhe Durësit. «Zonifikimi arkeologjik përbën hapin e parë, që pengon ndërhyrjet dëmtuese në të gjithë Kepin», tha Adrian Anastasi. Kërkimet e deritanishme kanë hedhur dritë mbi hipotezën e një vendbanimi ilir të prodhimit në zonë, ndërsa krijimi i një Parku natyror-arkeologjik në të ardhmen do të mbështetet, sipas Anastasit, edhe nga arkeologjia nënujore. (BIRN, reporter.al)