Ardian Kozniku: «Futbollistët e Kosovës nuk do të kursehen në Shkodër kundër Kroacisë»

Ardian Kozniku, ish-sulmuesi i famshëm i Hajdukut të Splitit dhe i Kombëtares së Kroacisë thotë se lojtarët kroatë në Shkodër do të priten si mbretër, por nuk duhet ta nënçmojnë shpirtin luftarak të futbollistëve të përfaqësueses së Kosovës. Ai thotë se jeton për ditën kur do të bëhet përzgjedhës i Kosovës.

«E dua Kosovën aq sa e dua edhe Kroacinë! Kur e kam bartur fanellën e Kroacisë, e kam promovuar futbollin shqiptar, e kam promovuar Kosovën dhe vendlindjen time, Gjakovën»: Ardian Kozniku.

Pasi reprezentacioni i Kosovës në futboll, në ndeshjen e parë zyrtare në historinë e vet luajti baras 1:1 si mysafir në Finlandë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës në Futboll në vitin 2018, biseduam me ish-reprezentuesin kroat Ardian Kozniku, i cili është me origjinë nga Kosova.

Fillimi i kualifikimeve për reprezentacionin e futbollit të Kosovës nisi me barazim me Finlandën e rrezikshme. Golin e vlefshëm për një pikë, përpara ndeshjes me Kroacinë, më 6 tetor, e shënoi Valon Berisha. Ardian Kozniku tregoi për tportal.hr sesi e përjetoi ai këtë ndeshje historike: «Gjithë atë që ne kosovarët e kemi përjetuar në muajt e fundit, prej pranimit nga UEFA dhe FIFA, e deri te mundësia që Kosova të luajë në kualifikimet për Kupën e Botës në një grup të fortë, në të cilin janë edhe Kroacia dhe Turqia, ishin për ne ditë historike. Që nga shkurti 2008, kur Kosova e shpalli pavarësinë, kemi ëndërruar për ndeshjen e parë zyrtare dhe kjo na doli mjaft mirë. Edhe pse deri në momentin e fundit nuk dihej se kush do të luajë, për shkak të rregullave të UEFA-s dhe disa arsyeve tjera që i dinë disa nga lojtarët, në fund u fitua një pikë e rëndësishme. Në futboll nuk fitojnë gjithmonë favoritët, prandaj nuk duhet të ndodhë shpërqendrimi dhe kërkohet të tregohesh në fushë, kështu që mund të them se jam krenar për të gjithë lojtarët e Kosovës dhe nga zemra i kam përgëzuar të gjithë për lojën luftarake dhe me zemër. Megjithatë, ky është një ekip i ri ende në formim dhe jam shumë i lumtur për ata që e krijuan një përshtypje të mirë», tha për tportal.hr 48-vjeçari Ardian Kozniku, ish-sulmuesi i famshëm i Hajdukut të Splitit, i cili në vitet 1994-1998 ishte anëtar i ekipit kombëtar kroat të futbollit.

Sa mund të jetë i mirë reprezentacioni i futbollit të Kosovës pas dy-tri vjetëve?

Nuk është reale të pritet që të gjithë lojtarët, të cilët janë me origjinë nga Kosova, të pushojnë së luajturi për reprezentacionet për të cilat kanë luajtur për vite me radhë. Kosova e ka një ekip shumë të ri, në të cilin lojtarë kryesorë janë Valon Berisha, i cili u shënoi gol finlandezëve, pastaj Amir Rrahmani nga Dinamo, i cili po rritet si mbrojtës shumë cilësor, mandej Milot Rashica, i cili vetëm sa i ka bërë 20, apo 19-vjeçari Bersant Celina, lojtar i Manchester City. Disa lojtarë, si për shembull Adnan Januzaj, i cili luan për Belgjikën, apo Përparim Hetemaj, i cili ka më shumë se 40 paraqitje për Finlandën, janë ende në të ashtuquajturën pritje. Për disa vite, Kosova mund ta ketë një ekip me të vërtetë shumë të fuqishëm!

Pas pak ditësh Kroacia, pas lëshimit në Zagreb kundër Turqisë (1:1), luan në Shkodër të Shqipërisë kundër Kosovës. Sa do të jetë kjo për ju, që e keni veshur fanellën e Kroacisë, një lojë e vështirë emocionalisht? Megjithatë, kjo është ndeshja e parë zyrtare e Kosovës si vendëse?

Natyrisht që kjo ndeshje për mua do të jetë shumë e vështirë. E dua Kosovën aq sa e dua edhe Kroacinë! Kur e kam bartur fanellën e Kroacisë, e kam promovuar futbollin shqiptar, e kam promovuar Kosovën dhe vendlindjen time, Gjakovën. E njëjta vlen edhe për Kujtim Shalën, i cili e ka bartur fanellën kroate në ndeshjen e parë historike në vitin 1990 kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Realisht, Kroacia e sotme, e cila me vite të tëra është në top 10, është ekip shumë më i mirë se Kosova dhe plot me yje që luajnë nëpër klube të mëdha. Modriqi, Manxhukiqi dhe shoqëria e tyre do të priten në Shkodrën shqiptare si mbretër, të jeni të sigurt në këtë! Megjithatë, Kroacia duhet të dëshmojë në fushë që është favorit, e lojtarët e Kosovës para 16 mijë spektatorëve të zhurmshëm nuk do të kursehen. Më duhet të them se me padurim po e pres këtë ndeshje dhe nuk do ta lëshoj rastin që ta shikoj në vendin e ngjarjes.

Dihet se ju pas karrierës si lojtar i jeni përkushtuar punës së trajnerit dhe si një profesionist që e ka licencën e UEFA-s keni dëshirë të madhe që një ditë të bëheni përzgjedhës i Kosovës?

Që dje kam qenë i gatshëm për të ndihmuar, por Kosova aktualisht e ka përzgjedhësin dhe nuk do të ishte korrekte që të imponohem nëpërmjet medieve. Për mua është më e rëndësishme që kryetari i Federatës, Fadil Vokrri, të cilin e çmoj dhe e vlerësoj jashtëzakonisht, ta kuptojë se sa shumë e dua Kosovën dhe se kam dëshirë që një ditë të jem përzgjedhës. E kush nuk do të dëshironte të ishte përzgjedhës i atdheut të vet? Personalisht, më përpara do ta kisha zgjedhur stolin e Kosovës se të ndonjë klubi të fortë nga liga e pesëshes, sepse ta udhëheqësh vendin në të cilin ke lindur është nder i madh. Jetoj për një ditë të tillë!