Arabia Saudite përkrah skenën e selafistëve në Gjermani

Organizata të shumta saudite, por edhe nga Kuvajti dhe Katari po mbështesin ekstremistët islamikë në Gjermani. Në një përfundim të tillë kanë arritur mediumet gjermane pas një hulumtimi të gjatë. Qeveria në Berlin është e shqetësuar se selafistët e dhunshëm mund të joshin edhe refugjatët. Për rolin e rrezikshëm saudit kishte alarmuar edhe gazeta amerikane «New York Times» në një shkrim mbi Kosovën.

Ekstremistë fetarë duke protestuar.



Në fund të majit të këtij viti gazeta e famshme amerikane «New York Times» paralajmëruar opinionin botëror mbi rrezikun që i kanoset Kosovës nga organizatat ekstremiste fetare të Arabisë Saudite. «Kosova, si mbarë Europa, po përballet me kërcënimin e islamit radikal. Policia e Kosovës ka identifikuar gjatë dy viteve të fundit 314 kosovarë – përfshirë edhe dy vetëvrasës kamikazë, 44 femra dhe 28 fëmijë – që kanë dalë jashtë vendit për t’iu bashkuar <Shtetit Islamik>. Kosova ka numrin më të lartë të shtetasve të saj në ISIS në Europë krahasuar me numrin e banorëve. Ata ishin radikalizuar dhe rekrutuar, theksojnë hetuesit kosovarë, prej klerikëve ekstremistë dhe shoqatave sekrete të financuara prej Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera të Gjirit Persik, duke përdorur donacione të ndryshme nëpërmjet organizatave kinse bamirëse, individëve privatë dhe ministrive qeveritare».

Një rrezik i tillë nga Arabia Saudite i kanoset edhe Gjermanisë, njoftojnë gazeta «Süddeutsche Zeitung» dhe televizionet NDR dhe WDR pas një hulumtimi të gjatë. «Organizatat religjioze nga Arabia Saudite dhe nga shtetet e Gjirit Persik si Kuvajti dhe Katari dyshohet se me lejen e qeverive të tyre po i përkrahin selafistët gjermanë. Qëllim i këtyre aktiviteteve misionare në rritje – mes tjerash ndërtimi i xhamive dhe shkollave si dhe dërgimi i imamëve – është përhapja e variantit fundamentalist të islamit», shkruan «Süddeutsche Zeitung» duke iu referuar shërbimit sekret gjerman dhe entit federal për mbrojtjen e kushtetutës. Këto institucione janë ngarkuar nga qeveria gjermane të hulumtojnë eksportin e fesë.

Sipas gazetës qeveria gjermane është e shqetësuar se përhapja e islamit të prapambetur dhe jotolerant mund të ndikojë në rritjen e numrit të selafistëve në Gjermani. Kjo skenë tani për tani ka rreth 10 mijë pjesëtarë. Qeveria gjermane po ashtu frikësohet se selafistët e përkrahur nga Arabia Saudite do të joshin edhe refugjatët e ardhur së fundi në Gjermani. Vetëm vitin e kaluar Gjermania ka pranuar gati një milion refugjatë – shumica nga Siria.

Në një bilanc të hulumtimeve shërbimet sekrete gjermane theksojnë se lëvizjet misionare nga shtetet e Gjirit Persik kanë për qëllim të ushtrojnë ndikim në shoqërinë gjermane dhe kjo, sipas tyre, është strategji afatgjatë. Sipas shërbimeve tashmë ka mjaft dëshmi se organizata si «Revival of Islamic Heritage Society» (RIHS) nga Kuvajti, «Shaykh Eid Charity Foundation» nga Katari apo «Muslim World League» nga Arabia Saudite financojnë xhamitë dhe shkollat e selafistëve gjermanë dhe europianë. Gjithnjë sipas këtyre informacioneve RIHS dyshohet se përmes një firme të patundshmërive është përpjekur të ndërtojë një qendër selafiste në landin e Baden-Württembergut. Pas intervenimit të autoriteteve ndërtimi ishte ndërprerë. Sipas shërbimit sekret gjerman investimi i planifikuar në vlerë prej disa milionash është «pjesë e një plani strategjik për islamizimin e Gjermanisë jugore». Organizata RIHS është e ndaluar në SHBA që nga viti 2008 për shkak të përkrahjes së grupeve terroriste.

Qeveria gjermane disa herë ka kërkuar nga Arabia Saudite të ndërpresë përkrahjen e islamistëve radikalë. Qeveria në Riad thekson se lëvizjet fetare janë të pavarur, por shërbimet sekrete gjermane kanë arritur në përfundimin se ato janë të lidhura ngushtë me autoritetet e vendeve prej nga vijnë. Sipas shërbimeve gjermane islamizimi i mbarë botës është rezon shtetëror dhe pjesë e politikës së jashtme të Arabisë Saudite. Rrjedhimisht, duhet llogaritur që këto organizata do të zgjerojnë aktivitetet e tyre në Europë dhe në Gjermani. Autoritetet gjermane po përpilojnë një listë të funksionarëve dhe predikuesve të njohur me qëllim që t’u ndalohet hyrja në vendet e Schengenit. (-lli)