Arabia Saudite ndalon revistën «National Geographic» për shkak të ballinës me Papën




Regjimi autoritar i Arabisë Saudite ka marrë edhe një vendim absurd kundër lirisë së shtypit. Numri më i ri i magazinës së njohur «National Geographic» nuk po lejohet të shitet në Arabinë Saudite.

Në ballinën e magazinës shihet një fotografi e Papës me titullin: «Reforma kishtare – kështu Françesku po i prin revolucionit të heshtur». Kjo, sipas gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», ka mjaftuar për të ndaluar revistën në Arabinë Saudite.

Kryeredaktori i edicionit arab të revistës, Alsa Omar al-Menhali, u ka kërkuar falje lexuesve përmes një postimi në Twitter, duke thënë se nuk po lejohet botimi i «National Geographic» për «arsye kulturore». Në Arabinë Saudite është e ndaluar jo vetëm të mbahen ceremoni fetare të krishtera dhe hebraike, por, gjithashtu, është e ndaluar të importohen dhe barten publikisht simbole fetare si kryqe, Bibla dhe rruzare. Kush injoron këtë ndalesë rrezikon të dënohet.

Regjimit saudit dhe klerikëve ekstremistë duket se nuk u ka pëlqyer as editoriali i shkruar nga kryeredaktori Alsa Omar al-Menhali, i cili ka shkruar se institucionet fetare – jo vetëm ato katolike – duhet t’i nënshtrohen reformave. «Parimet religjioze janë vetëm vegla që synojnë të ruajnë diçka. Nëse nuk mund ta bëjnë këtë më tutje, duhet të ndryshojnë».

Në Arabinë Saudite jetojnë rreth një milionë e gjysmë të krishterë, të cilët besimin e tyre mund ta praktikojnë vetëm në jetën private. Sipas Indeksit Botëror të Përndjekjes Arabia Saudite është një prej dhjetë kombeve ku të krishterët ndiqen më së shumti për shkak të fesë së tyre. Së fundi Amnesty International ka kritikuar ashpër dënimet me vdekje në Arabinë Saudite. Deri në qershor të këtij viti regjimi saudit ka ekzekutuar 102 veta. Amnesty International e ka quajtur sistemin ligjor të Arabisë Saudite si «të turpshëm». Është rritur sidomos numri i ekzekutimeve për shkak të delikteve të drogës. Arabia Saudite kritikohet vazhdimisht për shkeljen e të drejtave të njeriut. Së fundi në arenën ndërkombëtare ka bërë bujë ndëshkimi i gazetarit dhe blogerit Raif Badavi me një mijë të rrahura me kamxhik dhe dhjetë muaj burg për shkak të fyerjes së islamit. Po ashtu Badavi duhet të paguajë një gjobë prej 240 mijë euro.

Javën e kaluar u bë e ditur se Arabia Saudite ka shprehur dëshirën që në marrëveshje me qeverinë gjermane të ndërtojë 200 xhami për refugjatët myslimanë, sidomos sirianë, që po vërshojnë Gjermaninë. Lajmin e bëri të ditur gazeta libaneze «al-Diyaar», duke iu referuar Mbretit saudit Salman. Në konfliktin e Sirisë sundimtarët në Riad mbështesin shumicën sunite në luftë kundër diktatorit Bashar al-Asad, por deri më tani nuk janë treguar të gatshëm të pranojnë refugjatë nga ky vend. –lli

 Foto: Giulio Napolitano / Shutterstock.com