Arabia dënon me 350 goditje me kamxhik britanikun të cilit iu gjet verë

Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se prej Arabisë Saudite kanë kërkuar që ta lirojë një britanik të moshuar, i cili në këtë shtet përballet me dënimin prej 350 goditjeve me kamxhik, pasi që në shtëpinë e tij është gjetur verë, teksa ai dënim, sipas fjalëve të familjes së tij, mundet që ta mbysë.




Carl Andree (74) është dënuar me 12 muaj burg në gusht të vitit të kaluar, por ai ende ndodhet në burg, në pritje të dënimit të radhës, pasi që ka shkelur ligjet strikte saudite për ndalimin e alkoolit, kur policia kishte gjetur shishe me verë në veturën e tij, shkruan sot «Koha Ditore».

«Janë shqiptuar dy dënime. Dënimi me burg është kryer në gusht, por kanë mbetur goditjet me kamxhik, kështu që po ma merr mendja që për këtë arsye ende po e mbajnë në burg», ka thënë i biri i tij, Simon Andree, duke shtuar se familja nuk e di se çfarë do të ndodhë më tutje.

Ai ka theksuar se babai i tij, që tashmë 25 vjet punon për kompanitë e naftës në atë shtet, është shëndetlig dhe tri herë ka marrë terapi për kancer, e krahas kësaj vuan edhe nga astma.

«Ai është një i moshuar i brishtë dhe druaj se rrahja me kamxhik për të do të ishte dënim me vdekje», ka thënë i biri, duke shtuar se është kjo arsyeja që familja është tejet e brengosur dhe po mundohet ta shpëtojë.

Ministria e Jashtme britanike ka bërë të ditur se stafi i Ambasadës në Riad kontrollon rregullisht shëndetin e të burgosurit.

Ministrat dhe përfaqësuesit e lartë britanikë e kanë hapur këtë çështje në negociatat me Arabinë Saudite, duke e kërkuar lirimin e tij, sa më shpejt të jetë e mundur, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, zëdhënësja e kryeministrit britanik ka bërë të ditur se vetë David Cameron do t’i shkruajë Qeverisë së Arabisë Saudite rreth kësaj çështjeje.

«Është rast tejet shqetësues», u ka thënë gazetarëve zëdhënësja e Cameronit. «Duke pasur parasysh shqetësimin dhe faktin se do të donim të kishim më shumë progres, kryeministri do t’i shkruajë sauditëve që të merren me këtë çështje».

Ambasada saudite në Londër nuk ka dashur ta komentojë rastin.

Rasti i Andree vjen vetëm një javë pasi që Cameroni i kishte bërë thirrje Arabisë Saudite që të mos ekzekutojë një shiit, të dënuar për rolin e tij në protestat kundër Qeverisë.

Zëdhënësja e Cameronit po ashtu ka bërë të ditur se sektori për tregti i Departamentit qeveritar të Drejtësisë do të tërhiqet nga tenderi 8.97 milion dollarësh, për ofrimin e shërbimeve të trajnimit për stafin e shërbimit korrektues në Arabinë Saudite. Vendimi për ofertimin ishte kritikuar nga ligjvënësit britanikë dhe grupet për të drejtat e njeriut.

Tërheqja bëhej në kuadër të planeve për reduktimin e aktiviteteve të degës komerciale, ka thënë zëdhënësja, duke shtuar se nuk kishte lidhje me rastin e Andree.