Anulohet pjesëmarrja në festivalin rumun e shfaqjes nga Kosova

Shfaqja e Qendrës Multimedia «Një shfaqje teatri me katër aktorë…», e cila është dashur të jepet sot, me datë 21 maj në ora 17:00, në Teatrin Hungarez në Temishvar të Rumanisë, si pjesë e festivalit TESZT (Euroregional Theatre Festival Timișoara), është anuluar. Fatkeqësisht, një pjesë e ekipit të shfaqjes nuk ia doli t’i sigurojë vizat për të udhëtuar në Rumani, njofton Jeton Neziraj nga Qendra Multimedia në një letër proteste kundër burokratëve të BE-së.

Pamje nga pjesa teatrale «Një shfaqje teatri me katër aktorë…».



Këto dy muajt e fundit, unë dhe stafi i Qendrës Multimedia kemi qenë në një përpjekje shumëfrontëshe për të siguruar vizat për krejt ekipin, por përpjekjet tona janë ndeshur me burokracinë dhe trajtimin poshtërues të disa prej ambasadave europiane në Kosovë. Jam i tronditur nga fakti se mbas krejt këtyre prezantimeve ndërkombëtare (mbi 100 sosh) të shfaqjeve tona, regjimi i vizave Schengen për artistët tanë është bërë më rigjid, më i egër dhe më jodashamirës. E provuar në lëkurën tonë, dhe jo vetëm këto dy muaj, por përgjatë krejt këtyre viteve të fundit, zona e Schengenit, për ne është shndërruar në një zonë të «fashizmit të butë», me të cilin burokracia rregullative europiane e konvertuar në «viza Schengen» shtypë, keqtrajton dhe poshtëron.

Paradoksalisht, para dhjet ditësh Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë më ndau mirënjohjen «Europiani i vitit», për «promovimin e ideve dhe vlerave europiane». Dhe ja, dhjetë ditë pas, mua dhe ekipit të shfaqjes na u pamundësua udhëtimi në Rumani. Prandaj, po pyes, nëse këto «vlera e ide europiane» përfshijnë edhe këtë qasje raciste e poshtëruese që disa prej ambasadave të shteteve të BE-së në Kosovë kanë ndaj neve kosovarëve? Rrjedhimisht, më me dëshirë do të rrija pa këtë kurorë «europiane», atëherë më me dëshirë do të rrija artist që përpiqet dhe lufton kundër rregullave që shtypin të voglin, të pafuqishmin, të ndryshmin, artist që është kundër privilegjeve të disa qytetarëve europianë në kurriz të disa të tjerëve «jo-evropian».

Kjo është hera e dytë që një shfaqje e Qendrës Multimedia pamundësohet të jepet jashtë Kosovës. Para disa vitesh, autoritetet kineze patën anuluar vizat për ekipin Kosovar, dhe pjesëmarrja e trupës kosovare në festivalin Shanghai International Experimental Theatre Festival (SIETF) qe pamundësuar. Sot është hera e dytë që na pamundësohet të japim shfaqjen tonë, sërish si rezultat i komplikimeve burokratike e politike me viza. Përderisa herën e parë, komplikimet dhe anulimi i shfaqjes kishin njëfarë kuptimi «logjik», duke e pasur parasysh që Kina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pamundësinë e pjesëmarrjes tonë në një festival europian e shohim me shumë shqetësim. Europa dhe zona e saj e Schengenit dhanë sot një shembull të vogël, por domethënës se kur janë në pyetje kosovarët, me Kinën i ndanë vetëm gjeografia.