Antikorrupsioni konstaton konfliktin e interesit te këshilltari i LDK-së

Agjencia Kundër Korrupsionit ka vërtetuar se ushtruesi i detyrës së drejtorit në institucionin më të lartë shëndetësor në Podujevë, Afrim Shabani, është në konflikt interesi.




Në vendimin e kësaj agjencie të datës 14 tetor, thuhet se Shabani nuk mund të ushtrojë këtë post duke qenë edhe këshilltar komunal në të njëjtën komunë.

Vendimi i AKK-së ka ardhur pasi Afrim Shabani, nuk kishte reflektuar as pas takimit që kishte pasur në këtë institucion dhe as pa shkresës paralajmëruese të dërguar në muajin shtator, shkruan sot «Koha Ditore».

«Agjencia Kundër Korrupsionit ka nxjerrë një vendim me të cilin vërtetohet se ekziston konflikt interesi dhe kufizim në ushtrimin e funksionit publik në rastin me nr. AKK-03-02-2012/15, për zyrtarin e lartë z.Afrim Shabani, këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Komunës së Podujevës, dhe njëkohësisht u.d. i drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë», thuhet në vendimin e AKK-së. Sipas të njëjtit,Agjencia do të kërkojë nga institucioni ku zyrtari i lartë ushtron funksionin që të fillojë procedurën për shkarkimin e tij dhe po ashtu do të kërkojë fillimin e procedurës për kundërvajtje nga Gjykata kompetente.

Në shtator «Koha Ditore» ka raportuar për këtë rast, por për zyrtarët komunalë ky post i dyfishtë nuk ka paraqitur konflikt interesi. Zyrtarët e partisë më të madhe opozitare në Podujevë, PDK atëkohë ishin shprehur të bindur se ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Afrim Shabani është në konflikt interesi. Në një reagim të shefit të Grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Rafet Llapastica, thuhej se Shabani nuk bën që në të njëjtën kohë të jetë edhe këshilltar komunal e anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa, edhe u.d. i drejtorit të QKMF-së.