Anketa e parë pas mbylljes së vendvotimeve: shumica e britanikëve kundër daljes nga BE

Sipas të dhënave të para të Institutit YouGov, të cilat janë të pasigurta, britanikët duket se preferojnë të qëndrojnë në BE.

Foto: Shutterstock

Mediumet e mëdha britanike dhe gjermane njoftojnë se pas mbylljes së vendvotimeve në Britaninë e Madhe anketa e parë tregon se 52 për qind e votuesve janë shprehur për qëndrimin e vendit të tyre në Bashkimin Europian. 48 për qind kanë votuar për dalje nga BE.

Anketa e kryer nga Instituti YouGov dhe e publikuar të enjten rreth orës 22 sipas kohës britanike nga televizioni Sky News nuk i përgjigjet kritereve të një ankete klasike, andaj të dhënat e saj nuk janë të sigurta. Një anketë e ngjashme e zhvilluar në vitin 2014 me rastin e referendumit për pavarësinë e Skocisë kishte dalë e saktë, por në zgjedhjet parlamentare britanike të vitit 2015 kjo metodë nuk funksionoi.

Komisioni Elektoral i Britanisë së Madhe do ta publikojë rezultatin përfundimtar të premten në mëngjes. Por trendi do të shihet që gjatë natës.

Kundërshtarët e BE-së në Twitter kanë shkruar se të gjithë votuesit që janë duke pritur në radhë, mund të votojnë. Një përdorues i Twitterit ka shkruar në profilin e tij se e ka takuar Bors Johnsonin në metro dhe ai kishte pranuar humbjen, shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemine Zeitung» në kanalin e saj të lajmeve të shpejta. Johnson, ish-kryetar i Londrës, është prijës i kampit të kundërshtarëve të BE-së. (-lli)