Angela Merkel refuzon St. Moritzin, kalon pushimet në një hotel modest në fshatin zviceran Pontresina

Politikania më e fuqishme e botës, Angela Merkel, prej më shumë se dhjetë vitesh i kalon pushtimet dimërore në Pontresina në kantonin Graubünden të Zvicrës. Ajo dhe burri i saj refuzojnë çdo luks dhe insistojnë të bëjnë pushime si të gjithë njerëzit e rëndomtë – larg St. Moritzit tmerrësisht të shtrenjtë, ku po supozohet se ka bërë qejf kryeministri i Kosovës me familjen e tij. Sa për krahasim: buxheti i Gjermanisë është 330 miliardë euro. Buxheti i Kosovës mezi mbërrin dy miliardë euro.

Angela Merkel dhe burri i saj gjatë pushimeve në Pontresina të Zvicrës.



I.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e ka demantuar shkrimin e «Insajderit» se gjatë ditëve të fundit festive ka qëndruar në hotelin tmerrësisht të shtrenjtë «Carlton» në St. Moritz, një qendër e njohur e skijimit në Zvicër, ku kalojnë pushimet pasanikë të botës, mes tyre edhe shumë oligarkë rusë. Në një përgjigje qesharake dhe cinike zyra për komunikim publik e kryeministrit, e cila në të vërtetë do të duhej të quhej tani e tutje zyra për dezinformim të publikut, ka njoftuar se: «Kryeministri i Republikës së Kosovës nuk ka qenë me agjendë shtetërore, por private dhe familjare. Institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale».

Kjo përgjigje ngrit shumë pyetje: me ftesë të kujt paskësh qenë Haradinaj në «Carlton», kush ia ka mbuluar shpenzimet, çfarë detyrimesh eventuale mund të ketë kryeministri ndaj «sponzorit» dhe si mund t’i shpjegohet qytetarëve të Kosovës që shefi i qeverisë në opinion krijon përshtypjen e një «sponzorushe»? Një natë në «Carlton» mund të kushtojë deri në 12 mijë euro. Sa kanë kushtuar pushimet (eventuale) të Haradinajt në këtë hotel? Askush nuk e di saktësisht, sepse kryeministri refuzon të japë llogari, ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të kërkojnë transparencë prej tij, sepse shumica e tyre janë të lumtur që marrin një rrogë dhe detyrë të tyre parësore e shohin të mos nervozojnë shefat, sepse në zgjedhjet e ardhshme mund të mos i kandidojnë për deputetë. Ky është mjerimi ku ka rrëshqitur Kosova sot. Me sa duket shumë njerëz në Kosovë janë dorëzuar ndaj kërcënimit të babait të Haradinajt, i cili me sinqeritet banal thoshte se Kosova «i ka borxh» Ramush Haradinajt.

Nëse është e saktë se për bankete e suita në St. Moritz, Haradinaj ka harxhuar me mijëra e mijëra euro (në mos rreth 100 mijë euro për më pak se 10 ditë), atëherë pjesëmarrës në këtë krim bëhet edhe PDK dhe sidomos deputetët e saj që durojnë këtë qeveri. Tani edhe Kadri Veseli duhet të përgjigjet në pyetje të pakëndshme. Nga opozita e Kosovës, e cila përfaqëson shumicën shqiptare, po ashtu duhet të shtrohen pyetje. Konkretisht Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk duhet të heshtin. Nëse heshtin, atëherë bëhen pjesëmarrës në këtë tmerr.

II.
Politikania më e fuqishme e botës, Angela Merkel, prej më shumë se dhjetë vitesh i kalon pushtimet dimërore në Pontresina në kantonin Graubünden të Zvicrës. Është një fshat modest. Kancelarja dhe burri i saj refuzojnë çdo luks dhe insistojnë të bëjnë pushime si të gjithë njerëzit e rëndomtë – larg St. Moritzit tmerrësisht të shtrenjtë, ku po supozohet se ka bërë qejf kryeministri i Kosovës me familjen e tij. Merkel dhe burri i saj, një shkencëtar i njohur dhe profesor universiteti, me vite të tëra i kanë kaluar pushtimet në një hotel modest – me tre yje. Çfarë kërkojnë Merkel dhe burri i saj në Pontresina janë – qetësia, modestia dhe diskrecioni. Sa më larg shtresës së pasanikëve («High Society») të St. Moritzit, të cilët nuk dihet se si i kanë fituar paratë, por supozohet se jo me punë të ndershme. Kur hoteli tejet modest i Merkelit u ballafaqua me vështirësi financiare, kancelarja zgjodhi një hotel tjetër – hotelin «Schweizerhof», i cili nuk i përket nivelit të lartë të shtëpive të mysafirëve. «Schweizerhof» është hotel me katër yje dhe një suitë aty kushton jo më shumë se 436 franga (372 euro) – pafundësisht më lirë se 12 mijë franga (ose 10’250 euro) sa kushton një natë në «Carlton» në St. Moritz.

III.
Në Pontresina, një fshat që i takon rajonit Engadin, Merkel duket se ndihet rehat ashtu siç ndihej filozofi Friedrich Nietzsche, i cili ishte i entuziazmuar me «ngjyrat e argjendta» të natyrës. Këtu kanë gjetur qetësi edhe shkrimtarë si Robert Louis Stevenson, Christian Morgenstern, Robert Musil, Kurt Tucholsky, Hans Christian Andersen, Hermann Hesse, Stefan Zweig dhe Thomas Mann. Njohës të turizmit në këtë pjesë të Zvicrës tregojnë se Merkel do të dëshironte të vinte me tren në Pontresina, por meqë këtë nuk e lejon sigurimi i saj, ajo vjen me helikopter nga aeroporti i Zürichut, ndërsa burri i saj me tren. Buxheti i Gjermanisë është 330 miliardë euro. Buxheti i Kosovës mezi mbërrin dy miliardë euro. Vitin që shkoi nga buxheti i Gjermanisë kanë tepruar 14 miliardë euro. Sa kanë tepruar nga buxheti i mjerë i Kosovës? Dhe athua Haradinaj ka blerë ndonjë kravatë në St. Moritz? Me këto pyetje duhet të merren tani të gjithë në Kosovë dhe sidomos ata argatët që për çdo ditë dalin në rrugët e Prishtinës për të shitur fuqinë e tyre punonjëse për 10 apo 20 euro në ditë. Fjala çlirimtar në Kosovë ngaherë është sinonim. Sinonim për plaçkitës. Mjerë ky vend kush e sundon. Dhe të mjerë ata që durojnë këta zullumqarë.