Angela Merkel në veten e parë: «Barazia mes gjinive në të gjitha fushat mua më duket e logjikshme»

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka folur si rrallëherë më parë hapur mbi feminizmin, mbi qeverisjen e vendit nga një grua, mbi zërin e errët të burrave dhe ka treguar këtë përvojë: «Për një burrë nuk është fare problem që 100 ditë me radhë të bart një kostum të kaltër në të errët, por kur unë brenda dy javësh e bart katër herë xhaketën e njëjtë, atëherë qytetarët më dërgojnë letra». Detaje nga intervista e Angela Merkelit në «Die Zeit».

Angela Merkel.



Angela Merkel nuk njihet si politikane që ofron shumë pamje në jetën e saj private. Për të me rëndësi është cilësia e qeverisjes dhe jo fakti se ajo e qeverisë Gjermanisë si kancelarja e parë. Tani Merkel ka folur. Në një intervistë të gjatë me gazetën e përjavshme «Die Zeit» Merkel flet në veten e parë, shpalos kujtime mbi të kaluarën, feminizmin, qeverisjen e vendit nga një grua dhe mbi gardërobën e saj dhe të burrave politikanë.

Merkel tha se aq sa ajo shikohet si grua nga Gjermania Lindore po aq i pëlqen të shikohet vetëm si grua dhe si mbi 60-vjeçare. «Gjermania Lindore është pjesë e biografisë sime. Unë s’jam rritur në pjesën perëndimore të Gjermanisë, andaj unë s’mund të përshkruhem nga kjo perspektivë. (…) Të gjitha rrënjët e mia janë të rëndësishme për ma, ato gjermanolindore bëjnë pjesë aty. Por, as nuk merrem gjithë ditën e lume me to, as nuk i mohoj». Në pyetjen nëse është e vetëdijshme se shumë gra në Gjermani kanë një lidhje emocionale me të, Merkel u përgjigj: «E ndjej një respekt të caktuar që unë përpiqem ta kryej punën si duhet, por unë te të tjerët nxiti edhe shumë emocione negative. Të dyja këto mund të vijnë nga gratë dhe nga burrat. Kështu ka qenë edhe gjatë krizës së euros dhe po ashtu gjatë çështjes së refugjatëve».

Merkel shpjegoi se përse nuk angazhohet për një aleancë mes grave siç ekziston njëfarë vëllazërie mes burrave. «Unë rrallë u drejtohem grave, sepse unë nuk jam vetëm kancelare federale e grave në Gjermani, por kancelare e të gjithë njerëzve në Gjermani».

Në këtë intervistë Merkel tregoi se përse nuk pranon të quhet feministe. «Për mua feministe janë gratë si Alice Schwarzer. Apo Marie Juchacz, e cila bashkë me gra të tjera para 100 vitesh u angazhuan dhe e fituan të drejtën e votës. Unë nuk dua të stolisem me merita të rrejshme. Siç kanë luftuar ato gjatë gjithë jetës për të drejtat e grave, unë s’mund të them për vetveten. Por, natyrisht si çdo grua edhe unë është dashur të gjej rrugën time, në mënyrë që një ditë të kemi vërtet një paritet (barazi) të gjinive. Jo vetëm si kancelare, por edhe më herët si fizikane kam bashkëpunuar me shumë burra. Barazia në të gjitha fushat mua më duket thjeshtë e logjikshme. Këtë nuk duhet ta përsëris pandërprerë». Merkel tha se pajtohet me definicionin e Mbretëreshës holandeze Máxima, e cila mendon se feminizëm është kur angazhohesh që burrat dhe gratë të kenë shanse të barabarta në jetë.

Intervista ka edhe mjaft momente të hareshme. Në pyetjen «a jeni bërë grua pasi jeni zgjedhur kancelare», Merkel u përgjigj: «Jo, assesi në këtë post, edhe më herët kam qenë grua». Në vazhdim Merkel tha: «Qysh si studente e fizikës burrat në universitet i kam përjetuar si shumë dominues. Në politikë kjo është shfaqur sërish më ndryshe. Fushëpamja ime ndaj disavantazheve që i presin gratë është zgjeruar, sepse kam arritur të shoh shumë segmente të jetës». Në një pikë, tha Merkel, e ka pasur më lehtë si kancelare. «Nga një kancelar tradicionalisht pritet që gruaja në krahun e tij të angazhohet në aktivitete vullnetare. Në rastin tim dhe të burrit tim nuk ka qenë kështu. Ai bën punën e tij si shkencëtar, unë e kryej punën time».

E pyetur se si negocion një grua me burra, si komunikon me ta në situata konflikti, Merkel u përgjigj: «Një zë gruaje nuk është aq i errët dhe i fuqishëm si një zë burri. Të demonstrosh autoritet për gruan është diçka që duhet ta mësojë». Kancelarja tha se natyrisht që ka pasur edhe debate mbi mënyrën si vishet ajo. «Për një burrë nuk është fare problem që 100 ditë me radhë të bart një kostum të kaltër në të errët, por kur unë brenda dy javësh e bart katër herë xhaketën e njëjtë, atëherë qytetarët më dërgojnë letra». Merkel tha se qytetarët i shkruajnë se u ka rënë në sy se po e bart xhaketën e njëjtë. Merkel tha se profesionin e politikanit apo politikanes mund ta ushtrosh vetëm nëse nuk prekesh lehtë nga kritika.

Merkel tha se në Gjermaninë Lindore nuk ka ekzistuar një barazi e vërtetë e grave me burrat. Regjimi kishte nevojë për fuqi punonjëse dhe insistonte që gratë të kyçen në procesin prodhues. Sipas Merkel ky ka qenë një instrument subtil për të penguar që ndonjë grup i shoqërisë të rezistojë. «Kush punonte çdo ditë dhe i përkiste një kolektivi, ai ishte nën mbikëqyrje». Duke integruar sa më shumë njerëz në strukturat publiko-shoqërore pushteti komunist synonte që t’i edukonte masat sipas përfytyrimeve të tij.

Merkel mbrojti sërish vendimin e saj për pranimin e gati një milion refugjatëve nga Siria në vitin 2015. Ajo tha: «Kam reaguar ndaj një situate urgjente humanitare. Sfida ishte këtu dhe mua më duhej të veproja. Nuk kam qenë e befasuar që shumë njerëz në landet e reja gjermane (që dikur i përkisnin Gjermanisë Lindore, v.j.) do të kenë vështirësi më të mëdha me këtë vendim se në landet e vjetra. Në Gjermaninë Lindore ka pasur pak përvojë me kultura të tjera». Merkel e pranoi se numri i madh i refugjatëve për një vend dhe njerëzit e tij paraqet edhe mundim të madh.
E.R.