Angela Merkel: Ky është ilaçi im kundër mendjemadhësisë dhe varësisë nga pushteti

Në një intervistë me revistën gjermane «Der Spiegel» kancelarja gjermane flet hapur për mënyrën se si e sheh politikën dhe përse ende dëshiron t’i shërbejë vendit.

«Si kancelare unë jam nën vëzhgim të përhershëm të opinionit publik dhe të mediave – dhe kështu duhet të jetë»: Angela Merkel.



«Po ia fillojmë menjëherë». Me këto fjalë kancelarja gjermane Angela Merkel i ka pritur gazetarët e «Der Spiegel» në intervistë. Shumica e mediave në Gjermani shtrojnë pyetjen nëse është i drejtë vendimi i Angela Merkel për të kandiduar për herën e katërt për postin e kancelares. Fizikania Merkel, e brumosur me etikën protestante të punës, i tha «Der Spiegel» se deri në nëntorin e kaluar kishte menduar nëse do të kandidonte sërish dhe në fund kishte ardhur në përfundim se «jam si deri më tani kureshtare – ndaj njerëzve dhe mbi atë se si po ndryshojnë jeta dhe vendi, dhe ndaj detyrave, të cilat i parashtron politika. Mendoj se kjo është më e rëndësishmja: që të mos besosh se i di të gjitha».

Në pyetjen e gazetarëve se çfarë mekanizma shfrytëzon për t’i ikur mendjemadhësisë dhe varësisë nga pushteti, Merkel u përgjigj shkurt: «Lexoj artikuj kritik në shtyp». Në vijim ajo shtoi: «Si kancelare unë jam nën vëzhgim të përhershëm të opinionit publik dhe të mediave – dhe kështu duhet të jetë. Për mua me rëndësi janë bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët, të cilët qartë më thonë se si i shohin gjërat. Një indikator tjetër i rëndësishëm është atmosfera në qarkun tim zgjedhor. Kur jam atje – dhe atje jam shpesh -, askush nuk është i emocionuar apo i habitur që po takon kancelaren. Aty menjëherë më tregojnë se çka po ecën mirë dhe çka jo».

Këtë të diele Merkel do të marrë pjesë në duelin televiziv me sfiduesin e saj nga Partia Socialdemokrate, Martin Schulz. Kancelarja është e bindur se ky format televiziv është i rëndësishëm dhe rast për miliona shikues që ta kenë të qartë se «çfarë politike ofrojmë Martin Schulzi dhe unë në katër vitet e ardhshme». Zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të mbahen më 24 shtator. Anketat parashohin një fitore të partisë konservatore CDU të kancelares Merkel.
E.R.