Angela Merkel dhe Republika e Kosovës: kundër pritjeve jorealiste

Kancelarja gjermane mund të kundërshtojë ndarjen e Kosovës, por nëse partitë politike në Kosovë nuk pajtohen për një strategji të përbashkët për shpëtimin dhe konsolidimin e shtetësisë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale, atëherë agjenda për copëtimin e Kosovës do të jetë përherë aktuale. Angela Merkel shumë shpejt mund të braktisë edhe postin e kancelares nëse kundërshtarët e saj të ashpër marrin drejtimin e partisë.

Duke braktisur skenën e madhe të politikës: Angela Merkel.



Politikanët e Kosovës, të cilët janë kundër planeve për zvogëlimin e Kosovës në favor të Serbisë, nuk duhet t’i varin shumë shpresat se Gjermania me në krye Angela Merkelin do të pengojë pazaret me territor të Kosovës. Për disa arsye:

1.
Gjermania me vite të tëra ka qenë tepër tolerante ndaj Serbisë, e cila ka sabotuar shtetësinë e Kosovës.

2.
Pas paralajmërimit se në dhjetor do të dorëzojë postin e kryetares së partisë, autoriteti i Angela Merkelit është duke rënë në mënyrë rapide – sidomos në Gjermani. Ka një mobilizim të kundërshtarëve të saj që në krye të partisë të vijë Friedrich Merz, një kundërshtar i ashpër i Merkelit, i cili kancelaren me përçmim e quan: «Ajo zonja nga Gjermania Lindore». Një grup politikanësh të prirë nga patriarku politik i CDU-së, Wolfgang Schäuble, po punojnë për t’iu hakmarrë Angela Merkelit. Schäuble përherë ka qenë i mendimit se ai do të kishte qenë kancelar më i mirë se Merkel, por ëndrrën e tij e ka shkatërruar një fizikane nga Gjermania Lindore. Schäuble është kryetar i parlamentit gjerman. Tani ai synon ta imponojë Friedrich Merzin si kryetar të CDU-së. Po ndodhi kjo, Merkel mund të largohet nga posti i kancelares ndoshta para fundit të këtij viti. Sidoqoftë, bashkëpunimi i saj me Merzin duket i pamundshëm për shkak të konflikteve në të kaluarën. Merkel pak a shumë hapur e pati përzënë Merzin nga postet udhëheqëse në parti. Në këtë rrëmujë të politikës gjermane Kosova nuk është vrima e fundit e kavallit, ajo nuk është fare në kavall.

3.
Një anketë e bërë publike të shtunën tregon se përkrahja për socialdemokratët gjermanë ka rënë në mënyrë dramatike. Vetëm 13 për qind e gjermanëve duan të zgjedhin partinë socialdemokrate (SPD), e cila në Berlin bashkëqeverisë me CDU-në e Merkelit. Publicistë me ndikim nga Hamburgu në München po i bëjnë presion SPD-së të largohet menjëherë nga koalicioni dhe të fillojë një proces rigjenerimi në opozitë. Këtë opsion e preferon edhe e majta më radikale brenda SPD-së. Po u tërhoq kjo parti nga koalicioni, qeveria bie.

4.
Atëherë Gjermania shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ose Friedrich Merz provon të lidhë një koalicion të ri me të Gjelbrit dhe Liberalët. Në të dy variantet Merkel nuk do të ishte më protagoniste në skenën e madhe të politikës gjermane. Por, edhe nëse Merkel vazhdon të qëndrojë në postin e kancelares, ajo do të ishte një «Lame Duck», siç thonë amerikanët, pra një politikane nga e cila askush nuk pret më asgjë përveç ditën e largimit të saj. Faza e fundit e pushtetit të saj do të dominohet nga debati se kush do ta trashëgojë, në këtë atmosferë nuk mund të priten hapa të mëdhenj në politikën e brendshme dhe të jashtme. Kosova? Ballkani? Janë tepër larg. Në numrin e fundit revista «Der Spiegel» kështu e komenton heqjen dorë të Merkelit nga posti i kryetares së partisë: «Tani bëhet fjalë për vendin, jo për të. Largimi i saj jo aq vullnetar nga posti i shefes së partisë në realitet është një akt egocentrik. Duke hequr dorë nga një pjesë e pushtetit, Merkel dëshiron të mbajë pushtetin tjetër, atë më të madh, kryeministrinë. Por, nuk ka më arsye që ajo të qëndrojë. Gjermania mundet edhe pa të, përkundër të gjitha meritave. Zgjedhjet e reja pa Merkelin do të ishin një shans për një fillim vërtet të ri. Kancelarët që kanë shërbyer gjatë shpesh mendojnë se të tjerët ende nuk janë të përgatitur sa duhet, se ende nuk dinë, por kjo është mendjemadhësi e demokratëve që kujtojnë se janë mbretër. Edhe për Angela Merkelin në fillim është thënë se nuk ka potencial për të qenë kancelare, por pastaj ajo për shumë vite e ka dëshmuar të kundërtën. Kjo duhet t’i kujtohet asaj tani dhe të largohet në mënyrë dinjitoze. Por, jo të largohet pak, por tërësisht». Edhe e përjavshmja me ndikim «Die Zeit» është e mendimit se Merkel nuk mund ta shpëtojë postin e kancelares me dorëheqjen nga kreu i partisë.

5.
Politikanët në Kosovë duhet të mendojnë me gjakftohtësi se si t’i qasen idesë së kryetarit të Serbisë për ndarjen e Kosovës, i cili, për fatin e tij, partner në krim e ka kryetarin e Kosovës. Është thënë disa herë dhe kurrë nuk është mjaft të përsëritet: ata që e votuan shefin shumëvjeçar të PDK-së për kryetar të republikës, i kanë bërë një shërbim antihistorik Kosovës. Motivet e tij për të qëndruar në politikë nuk kanë të bëjnë me hallet e qytetarëve të Kosovës, por vetëm me shqetësimet e tij personale – Gjykata Speciale, ruajtja e piramidës fitimprurëse që ka ndërtuar me vite në politikë, zgjerimi i rrjetit nepotist.

6.
Kundërshtimi këmbëngulës i ndarjes është veprimi më i logjikshëm. Por, për këtë duhet të ekzistojë një unitet i partive politike shqiptare të Kosovës. Ky unitet nuk ekziston për shkak të polarizimit shumëvjeçar, për shkak të kriminalizimit të politikës, për shkak të korrupsionit galopant dhe mbi të gjitha për shkak të mosbesimit historik mes «krahut të luftës» dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Zhurma e muajve të fundit për ndarjen e Kosovës ka treguar se nuk ka asnjë garanci as nga Shtetet e Bashkuara se nëse Kosova ia jep Serbisë një të katërtën apo një të tretën e territorit, Beogradi do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe si qershi mbi tortë do ta pranojë kufirin e ri të Kosovës afër vijës hekurudhore dhe autostradës E-75 përtej Preshevës dhe Bujanocit. Nuk ka asnjë garanci se Serbia dhe Rusia do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Projekt historik i Serbisë është hyrja në BE. Pa e njohur Kosovën kjo nuk ka shanse të ndodhë. Vërtet pesë vende të BE-së nuk e kanë pranuar Kosovën, por 23 e kanë bërë këtë. Dhe prej tyre shumica do të insistojnë që Serbia së pari të pajtohet me mëvetësinë e Kosovës, pastaj të hyjë në BE. Por, ka dy persona – njëri në Beograd, tjetri në Prishtinë – që kërkojnë zgjidhje të ngutshme. Motivet e tyre nuk janë fisnike, por thjeshtë pushtetmbajtëse.