Anëtarët e KPK-së s’ia njohin Sylë Hoxhës statusin e «ish zyrtarit të lartë»




Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga Aleksandër Lumezi, e në të cilën u refuzua kërkesa për realizimin e të drejtave për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, e paraqitur nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha

 

Kjo, për shkak se siç thuhet në njoftimin për media të këtij institucioni, shumica e anëtarëve të KPK-së konstatuan se «ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, nuk ka qenë asnjëherë Zyrtar i Lartë Shtetëror, për shkak se nuk ka pasur dekret nga Presidentja e Republikës së Kosovës».

Në mbledhje anëtarët e KPK-së, kanë zgjedhur anëtarët e ri të Komisionit Disiplinor, pasi që me ndryshimet e Ligjeve për Prokurorin e Shtetit dhe KPK-në, ka pushuar mandati i anëtarëve të këtij komisioni, përcjell koha.net.

Kryetar i Komisionit Disiplinor u caktua, Idain Ismailji nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe për anëtarë u caktuan, Sevdije Morina, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Sabri Ademi nga Prokuroria e Apelit.
Po sot, u themelua Komisioni për Integrime Evropiane i përbërë nga: Kujtim Munishi, Lavdim Krasniqi dhe Liridonë Kozmaqi.
Anëtarët e Këshillit Prokurorial gjatë takimit të sotshëm themeluan grupin punues për hartimin e strategjisë dhe planeve të veprimit për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në luftimin e veprave penale karakteristike. Grupi punues do të ketë këtë përbërje: Shqipdon Fazliu, Kujtim Munishi, Admir Shala, Naser Hasani, Besim Kusari dhe Valdrin Krasniqi.
Me ndryshimet e Ligjeve për Prokurorin e Shtetit dhe KPK-në, duhet të hartohen disa rregullore të reja si dhe duhet të bëhen plotësim/ndryshimet edhe të disa rregullore ekzistuese. Prandaj gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së, formuan edhe grupin punues për hartimin e rregulloreve prej nëntëmbëdhjetë anëtarësh. Ky grup do të ndahet në tre nën grupe për hartimin e këtyre rregulloreve, ndërkaq bartës i grupit punues do të jetë prokurori Besim Kelmendi.
Kërkesën e prokurorit Besim Kelmendi, për angazhim në projektin GIZ për hartimin e formave të shkresave penale, anëtarët e KPK-së e aprovuan por obliguan prokurorin Kelmendi që të njoftojë GIZ-in se sipas ligjit paga e tij nuk mund të kalojë 25% të pagës bazë si prokuror.
Gjithashtu, anëtarët e KPK-së aprovuan kërkesën e EULEX-it, për miratimin e emërimit nga KPK, të dy prokurorëve të EULEX-it. Meqenëse dy kandidatët e propozuar nga EULEX-i i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore për të qenë prokurorë u aprovua kërkesa e tyre, dhe u vendos që KPK-ja t’i dërgoj presidentes propozimin për emërimin e dy prokurorëve Paul Flynn dhe Anca Stan.

Raporti i mekanizmit përcjellës për periudhën janar-qershor 2015, dhe raporti i gjeografisë kriminale, u aprovuan gjithashtu në këtë takim të Këshillit Prokurorial.
Kërkesa për ligjërim e prokurorit Arian Gashi, u aprovua nga anëtarët e Këshillit Prokurorial, si dhe u morr qëndrim që të kërkohet nga të gjithë prokurorët në kuadër të sistemit prokurorial të Kosovës që deri më datë 20 shtator 2015, t’i dorëzojnë Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, kontratat e punës, orarin e ligjëratave, si dhe konkursin që ka qenë për pranimin e tyre në punë.