Anëtarët e Këshillit Prokurorial e kritikojnë Pulën për punën në luftim të korrupsionit

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës njëherësh edhe kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.




Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte raportimi i koordinatores nacionale në luftimin e Korrupsionit, Laura Pula.

Sipas komunikatës të dërguar nga KPK-ja, anëtarët e këtij këshilli vlerësuan se plani i veprimit për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në Luftimin e Korrupsionit, nuk ka pasur sukses, si dhe krititkuan koordinatoren se nuk ka sjellë ndonjë raport konkret, përpos statistikave të njëjta në vazhdimësi.

Andaj, anëtarët e KPK-së, theksuan se duhet të merren masa dhe të shikohet se çka duhet të ndryshohet në këtë plan veprimi, transmeton Koha.net.

Gjatë këtij takimi, kryetari i Komisionit për Akte Normative, Bahri Hyseni, ka raportuar para anëtarëve të Këshillit Prokurorial lidhur me hartimin e rregulloreve të reja.

Hyseni, theksoi se anëtarët e Komisionit, janë duke hartuar nëntëmbëdhjetë (19) rregullore, ndërsa janë nda në tri (3) grupe punuese për hartimin e këtyre rregulloreve.

Po sot, anëtarët e KPK-së, kanë aprovuar kërkesën e EULEX-it, për emërim të prokurores Damare Theriot, si prokurore në këtë mision.

Anëtarët e KPK-së, gjatë takimit të sotshëm caktuan Drejtorin e Njësitit të Performancës së prokurorive dhe prokurorëve, Lavdim Krasniqin, përfaqësues të KPK-së, për përfaqësim në rastet gjyqësore.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së, u pajtuan që të bëhet ndryshim-përmirësimi i vendimit KPK/Nr.244/2015. Anëtarët u pajtuan që të themelohet grupi punues, për hartimin e strategjive të planit të veprimit për rritjen e efikasitetit, të sistemit prokurorial për luftimin e korrupsionit, krimeve ekonomike dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte Mandati i Drejtorit të Sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Shkelzen Maliqi.

Kryetari i komisionit për përgatitjen e opinionit ligjor për mandatin e drejtorit të sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, prezantoi të gjeturat e komisionit dhe rekomandimet e këtij komisioni për Këshillin Prokurorial.

Rekomandimi i parë ishte KPK duhet të merr vendim për shpalljen e konkursit për këtë pozitë ose rekomandimi 2, KPK të formoj një komision për vlerësimin e performancës dhe pastaj në bazë të rekomandimit nga ai komision të vendos për vazhdimin apo mos vazhdimin e kontratës së drejtorit të Sekretariatit.

Anëtarët e KPK-së, me pesë (5) vota për vendosën që në afat prej 5 ditëve të hapet konkursi për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në fund anëtarët e KPK-së caktuan edhe anëtarët e komisionit vlerësues për përzgjedhjen e Drejtorit të Sekretariatit të Zyrës së

Kryeprokurorit të Shtetit, në përbërje të:

Aleksandër Lumezi, kryetar i KPK-së, kryesues i komisionit,

Idain Ismailji, anëtar nga KPK-ja,

Lulzim Sulejmani, anëtar nga radhët e prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit,,

Florent Mucaj, anëtar jo prokurorë nga KPK-ja dhe

Teki Bokshi, anëtar jo prokurorë nga KPK-ja.