«Anëtarësimin e Kosovës në OSBE mund ta pengojë vetë Serbia»




Medie të Beogradi kanë filluar të shqetësohen për nismën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim Evropian – OSBE.

 

Nga këto medie prin gazeta «Veçernje Novosti» e cila nuk lë asnjë shteg për mundësinë e anëtarësimit ë Kosovës në OSBE. Kjo gazetë, transmeton Koha.net, shkruan:

«Me kërcënimet se me ndihmën e ShBA e të Shqipërisë, do të përpiqet të lobojë për hyrjen në OSBE, Prishtina po gjuan me pushkë pa fishekë, sepse te karrigia në këtë organizatë mund të shkohet vetëm me konsensusin e të gjitha vendeve OSBE-së, 57 anëtareve të saj.

Kështu, edhe pse në letër anëtarësimi në Kombet e Bashkuara nuk është parakusht për pranim, ky është rregull i pashkruar marrë para sysh se të gjithë anëtaret e deritashme të OSBE-së kanë karrige në KB.

Përfaqësuesit e Washingtonit dhe të Tiranës qëndrimet e veta për pranimin e Kosovës i kanë paraqitur në takimin kohë më parë të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, por Serbia nuk është habitur me këtë. Sipas shefit të diplomacisë dhe kryesuesit të OSBE-së Ivica Daçiq, pothuaj në çdo takim emisarë të Shqipërisë e ndonjëherë edhe të ShBA pyesin kur do të marrë pjesë në OSBE edhe Kosova.

Daçiq porosit se Serbia nuk e konteston mundësinë që përfaqësues të Prishtinës të marrin pjesë në takime të ndryshme rajonale, por për Serbinë është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OSBE–së, sepse kjo do të thoshte prejudikim i statusit të Kosovës si shtet i pavarur.

Edhe Ivan Mërkiq, këshilltar i kryetarit të Serbisë Tomislava Nikoliq, mendon se pa marrë para sysh përkrahjen e mentorëve të fuqishëm, Kosova e ka të vështirë të zërë vend në OSBE.

Mjafton që vetëm një anëtar të mos pajtohet me anëtarësimin e Kosovës do t’i lëshohet rampa. Nuk shoh arsye pse do ta fillonin këtë rrëfim, të paktën gjatë dy vjetëve të ardhshëm, marrë para sysh që aktualisht Serbia është kryesuese e OSBE-së e në vitin 2016 bëhet anëtare e Trojkës ministrore të kësaj organizate.

Milovan Bozhinoviq, ish-ambasador i Serbisë në Vjenë, ku është selia e OSBE-së, thotë se përpjekja e Prishtinës që të marrë ulësen në këtë organizatë, është problemi më i vogël për Serbinë: Marrë para sysh se të gjitha vendimet merren me konsensus, Serbia vetë mund ta ndalojë pranimin e Kosovës në OSBE.

Probleme shumë më të mëdha janë organizatat tjera, siç është ai i Këshillit të Evropës dhe UNESCO».