Anatomia e qenies shqiptare në Zvicër

Në opinionin publik qarkullojnë të dhëna të ndryshme për praninë e shqiptarëve në Zvicër, për shtrirjen dhe strukturën e tyre demografike këtu. Por, çfarë thonë statistikat zvicerane për këtë? Ja një tablo.

Në vitin 1980, në Zvicër mund të takoje 15 shqiptarë në kuptimin e shtetësisë. Gjithmonë në kuadër të popullsisë së rregullt. Më 1992, pas ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, Zvicra numëronte 123 shtetas shqiptarë. Më 1999, ata për herë të parë kapën numra katërshifrorë dhe ngeli me kaq: Më 2014, në popullatën e rregullt të Zvicrës numëroheshin 1’488 shqiptarë nga Shqipëria. Në vitin 2010, kur në statistikat zvicerane u përfshi edhe Kosova, këta diçka mbi njëmijë shtetas të Shqipërisë në Zvicër u asimiluan nga 58’755 kosovarë, një pjesë e të cilëve më 1980 strukeshin te 44’094 ish-jugosllavët, të cilët më 1994 e përbënin shumicën e 24’891 maqedonasve dhe në vitin 2001, kur nuk mblidheshin më të dhëna nën konceptin e ish-Jugosllavisë, përfshiheshin te 190’9040 emigrantët nga Serbia e Mali i Zi. Kështu, më 2014, në popullsinë e rregullt zvicerane, përveç këtyre 1’488 shtetasve shqiptarë, edhe pjesa dërmuese e 99’799 kosovarëve, shumica e 63’516 maqedonasve dhe një pjesë e 78’092 shtetasve të Serbisë, ishin shqiptarë. Këto janë të dhëna nga Leksikoni Statistikor Zviceran që gjendet në regjistrat e Entif Federal për Statistikë. Sipas një vlerësimi të magazinës zvicerane «Beobachter», 70 për qind e shqiptarëve në Zvicër vijnë nga Kosova, 25 për qind nga Maqedonia dhe 5 për qind nga Shqipëria dhe Serbia Jugore, përkatësisht Lugina e Preshevës.

Sipas të dhënave të Entit Federal për Statistikë, numri i shqiptarëve në popullsinë e rregullt të Zvicrës sillet në rreth 170’000 persona. Por, kur e ndërron paradigmën dhe i referohesh gjuhës së popullatës, 3 për qind e 8’236’666 banorëve të Zvicerës, më 2014, si gjuhë të parë e jepnin shqipen. Sipas një përllogaritje të shpejtë, nga kjo perspektivë, numri i shqiptarëve në Zvicër shkon në rreth 250’000 veta. Më 2014, numri i personave mbi 15 vjeç, që si gjuhë të parë e kanë dhënë shqipen ishte 174’102. Për sa i përket shpërndarjes, 25’653 prej tyre janë vendosur në regjionin e Liqenit të Gjenevës, 32’769 në Zvicrën e Mesme, 29’387 në atë veriperëndimore, 40’417 në Cyrih, 32’165 në Zvicrën Lindore, 18’198 në Zvicrën Qendrore dhe 2’874 e këtyre mbi 17-vjeçarëve janë vendosur në Tesinë. Përndryshe, 25’301 veta të popullsisë së rregullt zvicerane, nga 0 deri 14 vjeç, prej të cilëve 23’905 të lindur në Zvicër dhe 1’396 jashtë saj, rrjedhin nga Kosova. Në 10 shtetësitë më të shpeshta dhe nga gjithsej 1’224’981 veta të kësaj moshe përmendet edhe Maqedonia me 15’198 persona, me ç’rast shumica e tyre prej 14’333 vetave kanë lindur në Zvicër, kurse 865 në Maqedoni. Në anën tjetër, ndër 10 shtetësitë më të shpeshta në popullatën e rregullt zvicerane mbi 15 vjeçe, Kosova është e përfaqësuar me 43 gra dhe 36 gra në 1’000 banorë. Nga këto 37, përkatësisht 32 bëjnë pjesë në gjeneratën e parë të emigrantëve, kurse 6 burra dhe 4 gra në të dytën. Maqedonia këtu përfaqësohet me 25 burra dhe 23 gra, me ç’rast 23 burra dhe 20 gra përfshihen në gjeneratën e parë, kurse 2 burra dhe 2 gra bien në gjeneratën e dytë.

Interesimi për shtetësinë zvicerane te shqiptarët ka filluar relativisht herët. Shqiptari i parë në kuptimin e shtetësisë, shtetësinë zvicerane e ka fituar në vitin 1987. Ky trend në një numër dyshifror avancoi vetëm në vitin 1998, me 12 persona. Kulminacionin e përbën viti 2007, kur me shtetësinë zvicerane u pajisën 109 qytetarë të Shqipërisë, nga të cilët 48 burra dhe 61 gra. Mund vetëm të hamendet që ndonjëri prej 492 shtetasve të ish-Jugosllavisë që më 1981 e fituan shtetësinë zvicerane ishte shqiptar etnik. Kosova për herë të parë në statistikat e shtetësisë zvicerane figuron në vitin 2010 me 1’611 raste, nga të cilët 816 burra dhe 796 gra. Ndërsa numri i kosovarëve që pajisen me shtetësi zvicerane shkon në mënyrë lineare, te shtetasit e Maqedonisë bie në sy viti 2006 me 2’596 shtetësi zvicerane, nga të cilët 1’360 burra dhe 1’236 gra. Më 2014, shtetësinë zvicerane e kanë fituar 40 shtetas të Shqipërisë. Kategoria më e shpeshtë e qëndrimit të tyre në Zvicër është 5-9 vjet, ndërsa 10 prej këtyre kanë lindur në Zvicër. Në të njëjtin vit, shtetësinë zvicerane e kanë fituar 2’622 shtetas kosovarë; 468 veta, dhe kjo është kategoria më e shpeshtë, e kanë një stazh qëndrimi prej 15-19 vjetësh në Zvicër; kurse 1’186 prej tyre kanë lindur në Zvicër. Maqedonia më 2014 vjen me 1’279 shtetësi zvicerane; kategoria më e shpeshtë e qëndrimit në Zvicër është ajo 20-24 vjet; ndërsa 538 prej tyre kanë lindur në Zvicër. Totali i shtetësive të fituara zvicerane më 2014 nga të gjitha shtetet është 32’836 veta.

Vështruar nga pikëpamja e vendit të lindjes, shtetësisë dhe gjinisë, në statistikat e viteve 1981-2014, Shqipëria shfaqet me 2’446 veta: 1’141 burra dhe 1’305 gra. Në total, shtetësinë zvicerane e kanë fituar 707 persona nga Shqipëria – 313 burra dhe 394 gra. 828 burra dhe 911 gra e gëzojnë statusin e emigrantit. Më tej, në popullatën e Zvicrës bëjnë pjesë 76’792 shtetas të Kosovës, të cilët kanë lindur atje; prej të cilëve 40’292 burra dhe 36’500 gra. 21’689 veta – 11’311 burra dhe 10’378 gra – e kanë marrë shtetësinë zvicerane; 55’103 të tjerë – 28’981 burra dhe 26’122 gra – nuk e kanë atë. 59’193 qytetarë të Maqedonisë, që kanë lindur atje, jetojnë në Zvicër; 30’572 prej tyre janë burra, kurse 28’621gra. Shtetësinë zvicerane e kanë fituar 16’134 nga këta – 8’427 burra dhe 7’707 gra; 43’059 veta, 22’145 burra dhe 20’914 gra nuk e kanë atë.

Në një bilanc të viteve 1991-2014, në Zvicër janë martuar 32 shtetas shqiptarë. Në 5 raste me gra me të njëjtën shtetësi, në 18 të tjerë gruaja ka qenë zvicerane dhe në 9 raste – një e huaj tjetër. Kosovarët prijnë në mesin e komuniteteve shqiptare me 1’095 martesa në Zvicër: në 363 raste gratë e kanë të njëjtën prejardhje, në 593 të tjera gruaja është zvicerane, kurse në 139 raste janë të tjera. Ngjashëm ndodh edhe me martesat e shtetasve nga Maqedonia, vetëm se në përmasa më të vogla: 434 martesa, në 148 raste bashkëshortja i ka të njëjtat rrënjë, 229 herë bëhet fjalë për zvicerane, ndërsa në 57 prej tyre janë të tjera kombësi. Njëkohësisht, në këtë hark kohor në Zvicër janë martuar 53 shtetase shqiptare. Të përzgjedhurit e tyre në 5 raste kanë qenë shqiptarë, ndërsa në 23 zviceranë; në 25 raste kanë qenë të tjerë. 846 kosovaret, të cilat kanë vënë kurorë në këtë periudhë në Zvicër, në 363 raste kanë marrë për burrë një bashkatdhetar dhe në 398 raste të tjera një zviceran; 85 prej burrave kanë pasur kombësi tjetër. Ndërkaq, 394 qytetare nga Maqedonia në 148 raste kanë vënë kurorë me një burrë nga vendlindja e tyre, në 181 të tjera – me një zviceran; 65 prej burrave kanë pasur shtetësi të tretë.

Shqiptarët dhe shqiptaret, jo vetëm janë martuar në të shumtën e rasteve me zvicerane dhe zviceranë, edhe në rastin e ndarjeve zviceranet dhe zviceranët janë më të shpeshtë; ndonëse këtu shifrat janë më të ulëta. 11 shtetas shqiptarë, gjithsesi para martesës, janë shkurorëzuar; në 1 rast gruaja e kishte të njëjtën shtetësi, në 7 raste ishte zvicerane, kurse në 3 raste ishin të tjera. Në këtë vit janë ndarë 96 kosovarë; në 13 raste bashkëshortja e kishte të njëjtën shtetësi, në 68 prej tyre flitej për zvicerane, kurse në 15 raste ishin të tjera. 73 çifte janë ndarë më 2014, në të cilat burri kishte shtetësi maqedonase; në 13 raste gruaja ishte nga i njëjti vend, kundrejt 48 të tjerave që ajo ishte zvicerane, ndërsa në 12 raste ajo kishte tjetër identitet. Në anën tjetër, nga 14 shkurorëzime të grave me shtetësi shqiptare, në një rast bashkëshorti ishte bashkëkombas, në 7 raste zviceran, kurse në 6 të tjera i huaj tjetër. 54 kosovare janë ndarë në bilancin e vitit 2014 prej bashkëshortëve të tyre; në 13 raste bëhej fjalë për burra me të njëjtën shtetësi, në 32 ata ishin zviceranë, kurse në 9 raste të tjerë. Kjo ka ndodhur 48 herë me shtetase të Maqedonisë: në 13 raste burri e kishte të njëjtën vendlindje, në 27 raste ishte shtetas zviceran.

Nuk gjenden statistika për shumë fusha në mënyrë të detajuar sipas shtetësisë. Një tjetër që ekziston quhet: «Lindje sipas përkatësisë shtetërore të fëmijës». Lindja e parë e shënuar e një fëmije me shtetësi shqiptare në Zvicër ka ndodhur në vitin 1987. Në vitin 1991 ishin 12 dhe deri më 2014 ngel një numër dyshifrorë: 31. Mund të imagjinohet se ndër ato 1’304 lindje të regjistruara fëmijësh me shtetësi ish-jugosllave nga ato të vitit 1983 gjenden edhe shqiptarë etnikë. Sikur edhe ndër 302 lindjet e fëmijëve me shtetësi maqedonase nga viti 1994, numri i të cilave më 2014 shkonte në 1’182. Kosovarët për herë të parë shfaqen në statistika më 2010 me 1’735 lindje në Zvicër dhe më 2014 me 2’146. Totali i të gjitha vendeve në këtë vit ishte 85’287.

Është evidentuar edhe sa veta kanë emigruar nga Zvicra. Sado atipike të duket, statistikat nxjerrin se që nga 1991, çdo vit një numër dyshifror shtetasish shqiptarë e kanë lëshuar Zvicrën; më së shumti më 2014: 73 persona. Më 2010, në statistika duken kosovarët me 131 të emigruar. Nga kjo kohë, ky numër ka shkuar duke u rritur, në vitin 2014 janë 451 shtetas kosovarë që e kanë braktisur Zvicrën. Shtetasit maqedonas filluan më 1993 me largimin e 25 vetave nga Zvicra; ndërsa dy vjet më pas bëhen 627. Ky trend vazhdon deri më 2001, kur vendi u përfshi në një konflikt të armatosur, atëherë ndalon lëshimi i Zvicrës. Më 2014 kishte 390 shtetas maqedonas të emigruar. Nga 73 shtetasit shqiptarë të larguar nga Zvicra më 2014, 31 ishin burra, kurse 42 gra. Mosha më e shpeshtë është ajo ndërmjet 20 dhe 39 vjeç. 292 prej kosovarëve të larguar nga Zvicra më 2014 janë burra dhe 169 gra. Mosha më e shpeshtë, në 276 raste, është përsëri ajo 20 deri 39 vjeç. Te të emigruarit me shtetësi të Maqedonisë flitej për 241 burra dhe 149 gra; këtu mosha më e shpeshtë e të larguarve është më e lartë: 40 deri 64 vjeç.

Një numër shqiptarësh e kanë lënë jetën e tyre në Zvicër. Dy rastet e para të vdekjes së shtetasve shqiptarë në Zvicër janë regjistruar në vitin 1987. Numri i tyre ngel njëshifror deri në vitin 2014: dy burra, një grua. Mund të besohet që në 94 rastet e vdekjes në Zvicër shtetasish ish-jugosllavë, të regjistruara për herë të parë më 1983, bën pjesë edhe ndonjë shqiptar etnik, sikur edhe në 13 personat me shtetësi maqedonase më 1994. Numri i këtyre të fundit me kalimin e viteve shënon një rritje të lehtë, më 2014 janë 81 veta: 47 burra dhe 34 gra. 79 rastet e vdekjeve në Zvicër të personave me shtetësi kosovare për herë të parë shfaqen më 2010; më 2014 janë regjistruar 128 vdekje kosovarësh këtu: 82 burra dhe 46 gra.

(Artikulli përbën një transmetim nga botimi «Image-Entwicklung der Albaner in den Schweizer Medien», Alain Maillard & Kujtim Shabani, ISEAL, 2016 Lausanne. Referenca e fundit kohore e këtyre të dhënave është viti 2014, sepse hulumtimet janë kryer në fillim të këtij viti, kur nuk kishin dalë akoma të dhënat për vitin 2015.)