Analizë e institutit gjerman: 13 zona të konfliktit në Ballkan

Në ish-Jugosllavi janë 13 zona në të cilat mund të shpërthejnë konfliktet, ose që tashmë janë në zhvillim e sipër, që më së shpeshti janë rezultat i tensioneve etnike shekullore, tregon një ekspertizë e kohëve të fundit e Institutit të Heidelbergut për Hulumtimin e Konflikteve. Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, janë zona më e rrezikshme e konfliktit në rajonin e Ballkanit, siç kanë konstatuar analistët gjermanë.

Fotografi të personave të pagjetur para selisë së qeverisë së Kosovës. Foto: Shutterstock



Ballkani edhe më tej mbetet zonë e rrezikut të lartë të konflikteve etnike, madje edhe ndërshtetërore, e një situatë e tillë ka ndikim të drejtpërdrejtë në Kroaci. Ekziston një e dhënë shumë e saktë: Në ish-Jugosllavi janë 13 zona në të cilat mund të shpërthejnë konfliktet, ose që tashmë janë në zhvillim e sipër, që më së shpeshti janë rezultat i tensioneve etnike shekullore, tregon një ekspertizë e kohëve të fundit e Institutit të Heidelbergut për Hulumtimin e Konflikteve.

Silvia Steininger është politologe dhe juriste, e cila në Institutin e Heidelbergut për Hulumtimin e Konflikteve (IHHK) është përgjegjëse për hetimin e konflikteve dhe tensioneve në rajonin e Ballkanit. IHHK që nga viti 1992 e publikon çdo vit një barometër të konflikteve, i cili e ofron një analizë të konflikteve globale. «Ndarjet, përpjekjet për shkëputje, protestat kundër qeverive dhe provokimet në nivele etnike: Ballkani nuk qetësohet», ka thënë Steininger kohët e fundit në një intervistë për Deutsche Welle, duke e përshkruar rajonin.

Tri grupet e konflikteve

Në analizën e gjerë theksohet se në Ballkan ekzistojnë tri grupe të konflikteve dhe të tensioneve. I pari përfshin ato që lidhen me tensionet etnike, të cilat janë kryesisht mbetje të luftërave ballkanike, dhe prandaj më shpesh paraqiten në vendet e ish-Jugosllavisë. Grupi i dytë janë të ashtuquajturat konflikte klasike ndërmjet opozitës dhe pushtetit, e ato IHHK i kualifikon si jo të dhunshme në Rumani e Bullgari, ose me paraqitje të dhunës në Kosovë dhe në Maqedoni. Grupi i tretë i konflikteve janë ato të lidhura me militantët. E tillë është për shembull përballja ksenofobike, grupet e ekstremit të djathtë dhe minoritetet në Hungari, apo konfliktet me grupet islamike në Bosnjë-Hercegovinë.

Bota, në përgjithësi, nuk është e qetë. Analistët e IHHK kanë arritur gjatë vitit 2016 të numërojnë 402 zona të konflikteve, ndër të cilat në 226 konflikte është përfshirë dhuna, nga përleshja e demonstruesve me policinë deri te lufta e vërtetë, të tilla si ato në Afganistan, në Siri dhe në Libi. Vetëm Turqia ka pasur qindra të vrarë në serinë e shpërthimeve, e shumë konflikte kalojnë pa u vënë re, siç janë luftërat ndërmjet forcave egjiptiane të sigurisë dhe mbështetësve të Shtetit Islamik në Gadishullin Sinai, në të cilat në të dyja anët janë vrarë 474 persona. As kontinenti europian nuk është kursyer, meqë në Donbas vijon konflikti i vazhdueshëm ndërmjet separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase, ndërsa janë regjistruar më shumë se 9800 të vdekur.

Krahasuar me situatën atje, në Ballkan vazhdon një paqe e qëndrueshme, por sipas përfundimeve të Silvia Steininger dhe anëtarëve të grupit të saj të kërkimit, në këtë rajon relativisht të vogël ekziston një numër i madh i konflikteve jashtëzakonisht të gjata dhe shumë helmuese. Në veçanti, numri i konflikteve etnike në Ballkan mezi është ulur, por «potenciali konfliktuoz në Ballkan mbetet dukshëm më i lartë».

Në të vërtetë, cilat janë ato pikat neuralgjike në analizën e politologëve të Heidelbergut në Europën Juglindore, së cilës i përket edhe Kroacia? Në ish-Jugosllavi ekzistojnë 13 zona të konfliktit, disa prej të cilave janë shumë të rrezikshme.

Dr. Josip Glaurdiq, politolog që deri vonë ka punuar në Universitetin e Kembrixhit, ndërsa tani ligjëron në Universitetin e Luksemburgut, thotë se e kundërshton tezën e historisë së papërfunduar në Ballkan, sepse duhet të punojnë vazhdimisht për ta kuptuar se nga vijnë kërcënimet. «Me gjuhën e së djathtës duhet të jemi të gatshëm, ndërsa me gjuhën e së majtës asgjë nuk duhet të na befasojë», është ironik dr. Glaurdiq.

«Stabiliteti i një zone të caktuar nuk është një vlerë e parazgjedhur. Ajo është e kushtëzuar politikisht, për aq kohë sa ekzistojnë akterë politikë, të cilët janë mjaft të fuqishëm dhe të cilët kanë interes të mbjellin tension dhe të krijojnë jostabilitet – kjo do të jetë ashtu. Dhe kur kësaj ia shtoni rezervuarin e madh të të gjitha llojeve të pakënaqësisë që rrjedh nga luftërat e fundit, do ta keni recetën për probleme të mëdha», shprehet Glaurdiq.

Kroacia përmendet direkt në këtë për dy situata, nga të cilat e para ka të bëjë me kërkesat politike të pakicës lokale serbe. Edhe pse nuk specifikohet se për çfarë bëhet fjalë, si duket është kërkesa për futjen e alfabetit cirilik në hyrjen e institucioneve shtetërore në Vukovar, gjë që e kundërshton pushteti lokal i HDZ-së. Dhe, nuk është mirë, sepse ky problem është vendosur si një zonë e konfliktit në Ballkan, që e ka marrë vendin e parë, e që do të thotë se kërkon diskutim për zgjidhje.

Zonë e konfliktit është edhe mosmarrëveshja për kufirin slloveno-kroat, e cila thuhet se vazhdon që nga viti 1991, edhe në nivelin e debatit politik, ndërsa armiqësia do të ofronte shpjegim më të saktë.

Madje tri zona të konfliktit janë vendosur në Bosnjë-Hercegovinën fqinje, por, për fat të mirë, me nivel relativisht të ulët, nëse bëhet fjalë për rreziqet. Kjo ka të bëjë me konfliktin politik ndërmjet kroatëve dhe boshnjakëve krahas kërkesës për krijimin e entitetit kroat në Federatën e BeH, që është përshkruar si «autonomi e kërkuar», pastaj përpjekjet për shkëputjen e Republikës Serbe, që është detektuar si tentativë e tillë. Të dy këto konfliktet ende janë politike, megjithatë shkaktojnë tensione të përhershme; ja dëshmitë: ditëve të fundit, në Shiroki Brijeg, i gjithë stadiumi vërshëlleu gjatë intonimit të himnit kombëtar boshnjak, dhe gjatë kësaj kohe publiku brohoriste «Ne, kroatët!», ndërsa udhëheqësi politik boshnjak Bakir Izetbegoviq paralajmëroi se çdo përpjekje për t’u ndarë Republika Serbe nga Bosnjë-Hercegovina në mënyrë të pashmangshme do të çonte në konflikt që do të kishte pasoja të paparashikueshme për gjithë rajonin, duke theksuar se kjo është «vijë e kuqe», të cilën Milorad Dodik assesi nuk do të duhej të përpiqej për ta kaluar.

Por këtu (edhe më tutje) luftohet me fjalë, prandaj në IHHK kanë qëndrim se ky është nivel ulët i rrezikut për konflikt.

Prandaj është rritur shkalla e vlerësimit të «kërcënimit të grupeve islamike që veprojnë në këtë vend». Ajo është ngritur në një nivel tjetër, që tregon një konflikt serioz, por jo të dhunshëm në kohën e shkrimit të raportit.

Në rrezik më të madh është Maqedonia, ku janë në rrjedhë dy konflikte. Ai i intensitetit më të ulët u referohet kërkesave të komunitetit shqiptar për autonomi (në muajt e fundit shqiptarët i kanë shtuar kërkesat e tyre dhe tani duan zyrtarizmin e dygjuhësisë dhe ndryshimet kushtetuese, gjë që ka shkaktuar tensione të reja, të cilat nuk kanë ekzistuar në kohën e raportit të IHHK), derisa konfliktet e kundërshtarëve dhe përkrahësve të VMRO-së të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili është i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të policisë, janë ngritur në një shkallën e tretë të rrezikshmërisë, e cila përfshin dhunën në mesin e pjesëmarrësve.

Autonomia e Sanxhakut

Situata në Maqedoni është shumë shpërthyese, edhe pse presidenti Gjorge Ivanov ia dha mandatin kryetarit të socialdemokratëve, Zoran Zaev, për ta formuar Qeverinë, pasi e refuzoi këtë për muaj të tërë, duke argumentuar se ishte platformë jokushtetuese ajo me të cilën Zaev arriti marrëveshje për koalicion me partitë e pakicës nacionale shqiptare.
Siç pritej, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, janë zona më e rrezikshme e konfliktit në rajonin e Ballkanit, siç kanë konstatuar analistët në institutin Heidelberg.

Në Serbinë e sotme janë tri zona të konfliktit, e këto janë pozita e komunitetit boshnjak, i cili e dëshiron autonominë e Sanxhakut, dhe enklavat shqiptare në Luginën e Preshevës, që tentojnë bashkimin me Kosovën. Rreziku i tretë i provokimit të konflikt janë islamistët radikalë që janë kthyer nga Iraku dhe Siria, disa prej tyre me siguri të prirë për terrorizëm.
Mundësitë e humbura

Edhe në Kosovë janë regjistruar tri zona të konfliktit, njëra prej të cilave është më e rrezikshmja në mesin e shqiptarëve, meqë anëtarë të Lëvizjes «Vetëvendosje» me demonstrata të dhunshme tentuan ta përmbysin qeverinë e atjeshme. Edhe pse nuk ka pasur dhunë, marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërmjet serbëve të Kosovës dhe autoriteteve lokale, të cilat pothuajse tërësisht janë shqiptare, janë tensionuar në shkallë të rrezikshme.

Cila është atëherë zgjidhja, ashtu që Ballkani, sado që mund të tingëllojë banale, të pushojë të jetë një fuçi baruti, ku edhe konflikti më i vogël ndërnacional mund të shkaktojë shpërthim. Shpesh është konsideruar se zgjidhja është në pranimin e përshpejtuar të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian, madje edhe sipas kritereve më të buta sesa në rastin e Kroacisë. Mbështetësit e kësaj ideje argumentojnë se integrimet europiane do t’u jepnin fund tensioneve ballkanike dhe do ta trasonin rrugën e prosperitetit. Edi Rama, kryeministër shqiptar, kohët e fundit shkoi një hap më tej dhe në mënyrë të hapur u kërcënua: BE-ja duhet ta përshpejtojë pranimin e anëtarëve të rinj, ose Shqipëria dhe Kosova do të mendojnë për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar. Në këtë, nga Beogradi pasuan kërcënimet e luftës për shkak se autoritetet serbe ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe nga elitat politike të Ballkanit, Josip Glaurdiq dyshon në lidhje me tezën, sipas së cilës Bashkimi Europian mendon intensivisht për shpëtimin e Ballkanit: «Është humbur një numër i madh i mundësive, veçanërisht nga Brukseli, por edhe nga shumica e fuqive të mëdha. Të pritet nga Bashkimi Europian, që ndodhet në mesin e negociatave për Brexit, de facto pa aleatë në Washington dhe me kërcënimet nga brenda e nga jashtë për të gjetur energji të re për zgjerim në rajon, është një iluzion. Europa në këtë kohë thjesht nuk ka kapacitete për këtë. Dhe, mbi të gjitha kapacitete njerëzore. Disa breza të liderëve të mundshëm europianë me përzgjedhje negative thjesht kanë humbur. Zgjedhjet franceze ofrojnë njëfarë shprese se kjo tendencë mund të ndryshojë, por diçka e tillë duhej të ndodhte edhe në shumë vende të tjera. Vetëm kur kjo të ndodhë, nëse ndodh, mund të shpresojmë për një politikë konstruktive drejt Evropës Juglindore. Deri atëherë na presin probleme të mëdha, të cilat i financojnë dhe i inkurajojnë ata që janë të interesuar për jostabilitetin e rajonit tonë dhe të Evropës. Para së gjithash, këtu është fjala për Moskën», paralajmëron dr. Glaurdiq.

Një shpjegim shumë të ngjashëm për revistën Magazin e ka shprehur edhe Nikola Samarxhiq, profesor i historisë në Fakultetin e Filozofisë në Beograd dhe analist politik. Samarxhiq rikujton se integrimi europian i Ballkanit Perëndimor është shndërruar në prioritet strategjik për të gjitha shtetet anëtare, të cilat janë nën presionin hibrid të agresionit rus dhe lëvizjeve populiste, të cilat gjithashtu janë me klientelë kryesisht ruse dhe kuislinge. Megjithatë, Federica Mogherini kohët e fundit e ka pranuar që administrata e Brukselit, me të në krye, nuk është në gjendje që në të njëjtën kohë të merret me edhe me Brexit-in, edhe me Ballkanin Perëndimor. «Një mungesë e tillë e lidershipit dhe e vizionit kërcënon me regres politik, ekonomik dhe të sigurisë, të cilit nuk do të jetë në gjendje t’i kundërvihet ajo pjesa jo e integruar e Ballkanit Perëndimor, me institucionet e veta joefikase dhe të korruptuara, dhe çdo hapësirë të​ zbrazët do ta zënë Rusia dhe Turqia, të cilat tashmë e kanë ndarë Bosnjën, duke rrëmbyer sovranitetin e entitetit serb dhe atij myslimano-kroat», tërheq vërejtjen Samarxhiq.

Proceset e dështuara

Sipas këtij historiani, Ballkani është zonë e tensioneve të vazhdueshme, sepse shumica e shteteve atje nuk i kanë përfunduar proceset e modernizimit, që përfshijnë sundimin e ligjit, konsensusin shoqëror për kapitalizmin, platformën e gjerë shoqërore të komunizmit, zhvillimin e lirisë dhe heqjen e kufijve. Jugosllavia ishte e pasuksesshme, jo vetëm si bashkësi e kombeve dhe e kombësive, por si bashkësi që nuk lejoi realizimin e këtyre vlerave dhe të institucioneve që garantojnë realizimin e këtyre vlerave. Fati në fatkeqësi, vlerëson Samarxhiq, është paaftësia e përgjithshme për ta filluar një luftë të re.

«Për fat të mirë, jemi mjaft çarmatosur, dhe nuk ka më APJ, cila i gjeneroi konfliktet e viteve të nëntëdhjeta. Por, jemi nën presion apo stres të vazhdueshëm, sikur kjo nuk ishte e mjaftueshme, dhe sikur lufta kurrë nuk ka mbaruar. Mezi i harrojmë disi vitet e nëntëdhjeta, ose Luftën e Dytë Botërore, dhe atëherë fillon zhurma për fajin dhe përgjegjësinë në Luftën e Parë Botërore, dhe ashtu pa mbarim. Në Serbi, çdo ditë është nga një përvjetor i ngjashëm, me të cilin opinioni maltretohet, e opinioni nuk është në gjendje të formulojë çfarëdo mohimi racional të manipulimeve të tilla: çdo vit, tre muaj të bombardimeve virtuale të vitit 1999, me kujtime të dhunshme për një vuajtje dhe poshtërim nacional, por me mungesën e kujtesës se shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë duhej të parandalohej aty ku kishte filluar. Për më tepër, arrestimi dhe vdekja e Milosheviqit, Stuhia, e kështu me radhë», kujton Nikola Samarxhiq.

Krahas ekspertëve nga Heidelberg, edhe për Glaurdiqin dhe Samarxhiqin mbijetesa e shteteve komplekse, të tilla si Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, si dhe njohja e Kosovës nga Serbia është shndërruar në kusht për paqe në Ballkan. Për këtë nuk janë optimistë të tepruar.

«Një ditë mund të ndodhë që edhe Serbia ta njohë Kosovën. Por shtrohet pyetja nëse Kosova do të ekzistojë atëherë, apo para kësaj do ta fillojë bashkimin me Shqipërinë. Edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia mund të mbijetojnë, megjithatë është e vërtetë se pa ndikimin e fortë dramatik të Bashkimit Europian, sepse në Amerikën e Trumpit nuk duhet llogaritur, e ardhmja e Maqedonisë dhe e Bosnjë-Hercegovinës është duke u vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje», është skeptik Josip Glaurdiq.

Nikola Samarxhiç vlerëson se e gjitha është çështje e kohës dhe se është e nevojshme që Serbisë në këtë proces t’i lihet pak më shumë kohë dhe durim, ndërsa Kosova duhet t’i përjetojë drejtpërdrejt përfitimet nga negociatat në Bruksel dhe nga integrimi evropian.
Përgjegjësia për BeH

«Na duhen edhe vizione për të ardhmen e përbashkët, para së gjithash t’u mundësohet shqiptarëve ta shfrytëzojnë gjithë hapësirën ish-jugosllave për të lëvizur lirshëm, për të investuar, për të punuar, për t’u arsimuar, për t’u shëruar, për të vënë kontakte. Dhe, mendoj se në këtë moment çështja e mbijetesës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë është ultimative, e në këtë veçanërisht paralajmëruan ngjarjet aktuale në Shkup, ku klientela ruse u përpoq të shkaktojë një grusht shteti me arsyetim se interesat nacionale i rrezikojnë edhe ato parti shqiptare që ishin pjesë e koalicionit qeveritar të VMRO-së nga viti 2008. Përgjegjësia e Zagrebit dhe Beogradit nuk përfundon me marrëdhënien ndaj Bosnjë-Hercegovinës, e cila assesi të bëhet një vend i takimeve dhe bashkëpunimit rajonal, por edhe ndaj çështjes shqiptare, të cilën është e domosdoshme për ta akomoduar në perspektivën më të gjerë rajonale».