Kush e nxiti dhe kush e ndaloi eksodin e kosovarëve sipas «Der Standard»?

Çdo i tridhjeti kosovar e kishte lëshuar vendin. Ndërsa në fillim të këtij viti çdo i treti azilkërkues në Austri vinte nga Kosova. Por ky emigracion ndaloi me të njëjtin hov sikurse filloi. Vërenë Michael Matzenberger në një raport të gjatë për austriaken «Der Standard».




«Për arsye ekonomike nuk ka azil në Austri», me këtë fjali në shqip, por me sintaksë gjermane, fillon artikulli i «Der Standard». Është titulli i afishes së financuar nga Austria në gazetat e Kosovës gjatë emigrimit masiv në fillim të vitit. Ishte një eksod i vërtetë i kosovarëve për në Europën perëndimore. Nga rreth 200 azilkërkues kosovarë në muaj kishin regjistruar autoritetet austriake vjeshtën e vitit të kaluar, në dimër ky numër ishte rritur në 1’000. Ata përbënin 29,5 për qind të të gjithë azilkërkuesve në Austri. Motivet e këtij emigrimi autorit i bëhen më të qarta kur i lexon shifrat e papunësisë në Kosovë që shkojnë nga 35 deri 60 për qind dhe prodhimin e brendshëm bruto me 3,600 dollarë amrikanë për kokë banori. Ai e citon sekretaren e parë të ambasadës austriake në Prishtinë se njerëzit janë të detyruar ta lëshojnë vendin edhe për faktin e mungesës së një sistemi social dhe përkujdesjes mjekësore. Në këto rrethana, «perspektivat për një jetë në mirëqenie shikuar me realizëm shkojnë praktikisht nga zeroja», shton media.

«Korruption dhe pasivitet politik»

Infrastruktura e Kosovës ka qenë që para shpalljes së pavarësisë përtokë, thotë autori, dhe vërenë që një ndër 109 prej 193 shteteteve të OKB-së që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është edhe Austria. Mungesa e besimit në politikë shihet si një ndër arsyet që e ka shtyrë emigrimin masiv të kosovarëve. Si indikator i saj përmendet pjesëmarrja prej 42,6 përqindëve në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Ndërkohë që të gjitha partitë kishin pasur si kalë beteje luftimin e korrupsionit dhe papunësinë. Sipas medies, rezultati i zgjedhjeve ka nxjerrë që votuesit nuk ia kanë besuar ndonjërës prej forcave politike këtë premtim, dhe si dëshmi për këtë jepet fakti që konstelacioni politik ngeli pothuajse i pandryshuar. Artikulli nuk rri pa përmendur kohën e gjatë të zvarritjes së formimit të qeverisë, derisa Hashim Thaçi arriti një marrëveshje me partinë e dytë, duke ia dhënë asaj mandatarin e qeverisë dhe – sipas medies – për t’ia marrë stafetën e kryeministrit në gjysmën e dytë të mandatit të kësaj qeverie(!).

«Ekonomi klienteliste dhe tensione ndëretnike»

Fytyrat e njëjta dhe korrupsioni janë ndër arsyet kryesore të emigrimit, konstatojnë bashkëbiseduesit e autorit të artikullit. Korrupsioni ka pllakosur pjesë të mëdha të aparatit të sigurisë dhe sistemit të drejtësisë. Artikulli e citon Raportin e fundit të Progresit, ku vëzhguesit e UE-së shprehin dyshime serioze në paravarësinë, përgjegjësinë dhe eficiencën e prokurorëve të shtetit. Artikulli i kujton trazirat e fillimvitit si më të rëndat nga 2008-ta dhe i shpjegon ato si një produkt të ekonomisë klienteliste të dyzuar me tensione etnike. Ato, sipas artikullit, ishin shprehja më e qartë e mungesës së perspektivës politike dhe ekonomike në të cilën dergjet vendi. Për shumë qytetarë kishte ardhur momenti për të filluar «një jetë të re në veri». Ky disponim u favorizua nga transportues të cilët «në mënyrë të qëllimshme kishin përhapur thashetheme për kushte të mira pranimi në Gjermani», e citon artikulli Sekretariatin Zviceran për Emigracion. Edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Austrisë e kshin njohur rolin e transportuesve në eksodin e kosovarëve: «Ata prezentohen në rrejete sociale si agjenci udhëtimi. Kush nuk e njeh legjislacionin e UE-së, mund të mashtrohet lehtë.»

«Çdo i tridhjeti e lëshoi vendin»

Megjithatë, pohon artikulli, vendi më i lakmuar nga emigrantët kosovarë nuk ishte Austria. Ndërmjet dhjetorit dhe janarit të 2014/15-tës këtu kishin shkuar 2’800 kosovarë, në të njëjtën periushë 30’000 ishin futur nga Serbia në Hungari dhe kishin aplikuar për azil aty, 23’000 kosovarë kishin kaluar nga Austria në Gjermani dhe kishin kërkuar njëlloj azil. Në mars të 2015-tës kuota e azilkërkuesve nga Kosova në Gjermani kishte shkuar në 37 për qind. Në Kosovë nuk ka shifra të sakta, por llogaritet se në këtë periudhë kanë emigruar rreth 60’000 kosovarë, dhe kjo i bie që çdo i 30-ti qytetar e ka lëshuar vendin. Por ky hov, për çudinë e medies, ndaloi shumë shpejt. Autoritet austriake në mars të 2015-tës kishin proceduar vetëm një numër të vogël të këkesave për azil nga Kosova.

«Policë, procedura të përshpejtuara, kthime»

Autori i artikullit dhe bashkëbiseduesit e tij, janë të bindur që hovin e eksodit të kosovarëve për në Austri e ka frenuar vizita e ministres së punëve të brendshme Johanna Mikl-Leitner në Prishtinë dhe fushata mediatike në mediat kosovare. Ata i kishin sqaruar përfundimisht kosovarët se nuk ka gjasa për azil në Austri. Përveç kësaj kishin ndikuar të ashtuquajturat masa ekzekutive bilaterale dhe multilaterale. Artkulli përmend faktin që Gjermania kishte çuar njësi policore në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë dhe kërkesat e kosovarëve për azil i kishte përmbylluar brenda 14 ditëve. Edhe Austria i ishte bashkangjitur këtij aksioni policor dhe ua kishte kaluar gjermanëve, duke rekomanduar procedimin e kërkesave të azilit të kosovarëve brenda dhjetë ditëve. Austria e ka kualifikuar Kosovën si një vend të sigurtë, ndërsa shkalla e pranimit të azilit në 2014-tën në përgjithësi ishte 39 për qind, ajo e kosovarëve shkonte në rreh një për qind. Menjëherë kishin filluar fluturimet e kthimit me pasagjerë, të cilëve u ishte refuzuar azili. Disa prej tyre ishin kthyer vullnetarisht, përmend media. Nga fillimi i vitit, numri i tyre shkon në 850.

«Jo kushtet më të mira për jetesë»

Artikulli pohon, duke u mbështetur edhe në deklaratat e ministrit Skënder Hyseni, që edhe Kosova është e interesuar që të kthehen emigrantët. «Ne e dimë që Kosova nuk i ofron kushtet më të mira të jetesës», ka pranuar ministri për medien, megjithatë dëshiron t’ua heqë qytetarëve dilemën se mund të marrin azil jashtë. Thjesht: për atë është e qartë që shumica nuk e fitojnë këtë status dhe kthehen mbrapsht. Këto masa, mendon media, kosovarëve vetëm se ua kanë prishur planet e emigracionit, por jo edhe gatishmërinë për një gjë të tillë. Autori është skeptik ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit Thaçi se nuk do të ketë ndonjë valë tjetër emigracioni. ks