Analizë e Daniel Serwer: Rreziqet në rritje në Ballkan kërkojnë veprime nga brenda dhe jashtë

Tensionet e shtuara dhe dhuna e mundshme janë parashikuar për Ballkanin në vitin 2018, ndaj popujt në rajon duhet të gjejnë kurajën dhe të kërkojnë zgjidhje vetë, pastaj t’i kërkojnë ndihmë Washingtonit dhe Brukselit.

Daniel Serwer.



Ballkanasit janë habitur që Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, CFR, një organizatë e njohur në SHBA, që ndodhet shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, e ka renditur Ballkanin mes prioriteteve të saj për parandalimin e konfliktit për vitin 2018. CFR paralajmëroi specifikisht «përshkallëzimin e tensioneve apo dhunës ekstremiste në Ballkan – Shqipëri, Bosnjë, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi – që do të rezultojnë në paqëndrueshmëri politike dhe përleshje të armatosura» dhe vlerësoi se ka gjasa të moderuara të ndodhë.

Ky vlerësim i «nivelit III» ka shkaktuar një interesim të madh, megjithëse është veçse një njohje e Washingtonit me atë që njerëzit në Ballkan e kanë hasur prej vitesh: recesioni ekonomik dhe trazirat sociale po rriten, anëtarësimi në BE po rezulton shumë i largët për të bindur politikanët e Ballkanit që të marrin rreziqet që lidhen me reformimin dhe Rusia është duke bërë çmos për të bllokuar progresin drejt NATO dhe BE. Nuk ka nevojë për topth kristali për të sugjeruar se ka rrezik përplasjesh të armatosura dhe ekstremizmi të dhunshëm në një rajon që ka parë tashmë sulm mbi parlamentin maqedonas, paraushtarakë që kalojnë kufirin nga Kosova, kërcënime për referendum të pavarur në Republikën Srpska në shkelje të marrëveshjeve të paqes Daytonit dhe rekrutim të ekstremistëve fetarë dhe etnik për të luftuar në Siri dhe Ukrainë.

Amerika ia kaloi lidershipin në Ballkan Europës më shumë se 10 vjet më parë. Europa është çapitur që atëherë. Çështja është nëse Shtetet e Bashkuara do të kthehen në një rol lidershipi duke u përpjekur të zgjidhin çështjet që po bllokojnë vendet e Ballkanit nga anëtarësimi në BE dhe NATO. Emri i Maqedonisë, kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës, mungesa e anëtarësimit në OKB të Kosovës dhe ndërhyrja e Rusisë në politikën ballkanike janë çështje që mund të zgjidhen më lehtë me angazhimin e Washingtonit se sa pa të. Pse nuk ndërhyn SHBA-ja?

Përgjigja fle në dy nivelet e prioriteteve të parandalimit që qëndrojnë mbi Ballkanin në renditjen CFR. Amerikanët janë të zënë me armët bërthamore dhe raketat e Koresë së Veriut, ndërhyrjen ruse në Europën Lindore, kërcënimet kibernetike, Iranin, Detin e Kinës Jugore dhe terrorizmin në vend, për të mos përmendur krimin e organizuar në Meksikë, separatistët në Ukrainë, ambiciet e pavarësisë së Kurdistanit, konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, dhe disa problemeve të tjera të mundshme me ndikim më të madh në interesat amerikane sesa Ballkani.

Edhe po të sugjeroja që SHBA të caktojë një të dërguar të posaçëm për Ballkanin ose të delegojë përgjegjësi specifike te Zëvendëspresidenti Mike Pence, nuk jam i bindur se kjo do të ndodhë. Çfarë atëherë? Njerëzit në Ballkan duhet të marrin kontrollin në duart e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje të negociuara, në bashkëpunim me miqtë e tyre europianë dhe amerikanë. Pse Greqia do të vazhdojë fushatën kundër emrit të Maqedonisë nëse kjo pengon Maqedoninë që të jetë ashtu si Greqia aleat në NATO dhe një anëtare e Bashkimit Europian?

Pse Serbia do të vazhdojë qëndrimin e saj kundër anëtarësimit në OKB të Kosovës, duke e ditur se kurrë nuk do të mund ta qeverisë ish-krahinën e saj dhe do të duhet të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me të përpara se Beogradi të hyjë në BE? Pse shtetasit e Republikës Srpska vazhdojnë të premtojnë një referendum që nuk mund të sjellë njohje ndërkombëtare si një shtet i pavarur dhe do t’i shërbejë vetëm interesave të elitës politike rusofile të korruptuar?

Për mua, përgjigjet janë të qarta, por këto pyetje duket se nuk bëhen kurrë. Është koha gjithashtu që BE-ja të luajë një rol më të fuqishëm. Brukseli është mësuar të heqë dorë: sapo të keni zbatuar ligjet e unionit, do të marrim në konsideratë t’ju anëtarësojmë. Kjo po rezulton e pamjaftueshme. Procesi duhet të lehtësohet. NATO gjithashtu mund të jetë më energjike në përpjekje për të zgjidhur çështjet që kanë ndaluar Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnjën për të mos hyrë në aleancë. Problemet që e futën Ballkanin në listën e prioriteteve të parandalimit këtë vit nuk janë të pazgjidhshme. Por kërkojnë pak kurajë politike dhe dorë diplomatike për t’u zgjidhur.

Vullneti duhet të vijë jo vetëm nga Washingtoni dhe Brukseli, por edhe nga brenda Ballkanit. Kur shtetasit e tij të kërkojnë gjëra të bëra më mirë, rreziku i destabilizimit politik dhe përplasjeve të armatosura do të bjerë. Është më mirë të jesh jashtë listës së CFR se i përfshirë në të.

Daniel Serwer është profesor dhe drejtor i programit të menaxhimit të konfliktit në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara. Teksti u botua fillimisht nga BIRN.